Zeqir Bekolli

Zeqir Bekolli: Në bisedë me Hamëz Jasharin, pas sulmit të 22 janarit 1998, mësova për gjithë rrjedhën e ngjarjes

Pas sulmit të parë të vitit 1991, ushtria dhe policia serbe, bërë edhe një sulm tinëzar mbi familjen Jashari të Prekazit, më 22 janar të vitit 1998. Sulmi ka nisur, në ora 15,15 minuta nga njësitet e veprimit të shpejtë të policisë dhe ushtrisë serbe. Në këtë aksion, ushtria dhe policia serbe pat angazhuar edhe skuadrat kriminale të Arkanit dhe Plaziniqit nga Beretat e Kuqe, të cilat një natë më parë ishin strehuar në pjesën veriore të vendit. Aksioni ishte i rrufeshëm dhe i mbështetur nga armatimi i rëndë dhe helikopteri. Ndaj këtij sulmi ishte përgjigjur furishëm familja Jashari duke i zmbrapsur kriminelët serbë të cilët ishin futur në brendi të oborrit të Jasharëve, pas depërtimit nga qendra e Skenderajt dhe fabrika e municionit, e cila aso kohe shërbente si bazë e ushtrisë dhe policisë serbe.

Në këtë përleshje ballë për ballë qenë plagosur Ilirianë dhe Selvete Jashari. Me të arritur në vendin e ngjarjes, në oborrin e Jasharëve regjistrova gjurmët e krimit dhe mbetjet e predhave dhe të mortajave të dorës, maska e çka jo. Në bisedë me Hamëz Jasharin, mësova për gjithë rrjedhën e ngjarjes, por edhe për rrezikun me të cilin u ballafaqua familja Jashari. Në vend ngjarje pashë kafshët e vrara dhe qenin e plagosur. Ato çaste në familje me uniformë ushtarake erdhi komandanti legjendar Adem Jashari i cili hyri në oden e tij ku e prisnin mysafirë të shumë. Ai, në natën e sulmit nuk u gjend në shtëpi. Nga deklarata e heroit Hamëz Jashari, atë ditë pata veçuar komplimentet e tij për njësitin e UÇK-së, i cili me të dëgjuar për sulmin, nëpër terrin e natës i kishte dalë në ndihmë familjes Jashari, duke i zmbrapsur terroristët serbë, të cilët të përballur nga qëndresa e familjes Jashari, por edhe e njësitit të UÇK-së, qenë detyruar të ikin me bisht nën këmbë, duke lënë pas vetës gjurmët e krimit. Vendin e ngjarjes, përkatësisht truallin dhe familjen Jashari, atë ditë, e vizituan mijëra qytetarë nga të gjitha viset etnike. Ndërkaq, sigurimin e familjes e bënin formacionet e UÇK-së.

Për të përditshmen “Bujku”, pos nënës së komandanti legjendar Adem Jashari, deklarata pat dhënë edhe Besim Jashari e dëshmitarë të cilët i takova në oborrin e Jasharëve. Nga informacionet, që i mora në vendin e ngjarjes publikova shkrimin me titull: “Familja Jashari u gjend buzë masakrës dhe rrëmbimit”, shkrim ky i cili mund të lexohet në dokumentacionin e Bibliotekës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, si dëshmi e përpjekjeve të kriminelëve serbë mbi këtë familje.

Kontrolloni gjithashtu

Fronti Europian në Strugë: Ky është mision, andaj jemi bërë bashkë për fitore të thellë

Fronti Europian aktivitetet parazgjedhore i vazhdoi në komunën e Strugës. Para simpatizantëve, gjatë një bashkëbisedimi …