Zymer Mehani: MULLA HASHIM KULETA, MËSUES E ATDHETAR I DENJË

Zymer Mehani: MULLA HASHIM KULETA, MËSUES E ATDHETAR I DENJË

Përsiatje për monografinë e Mr. Refik Gërbeshit: “MULLA HASHIM KULETA (1912-1994)  Pishtar i arsimit në Llap”, Prishtinë, 2024

Hashim H. Kuleta-hoxhë e mësues i zoti

Mulla   Hashim   Kuleta   ishte   një   figurë   e rëndësishme në fushën e arsimit kombëtar dhe fetar në Kosovë. Ai u dallua për kontributin e tij në përhapjen e diturisë dhe hapjen e shkollave shqipe në Llap. Kuleta u rrit në një familje të njohur për angazhimin e tyre fetar dhe arsimor. Ai vazhdoi këtë traditë duke punuar si mësues, drejtor shkolle e inspektor arsimor, madje edhe si hoxhë dhe nëpunës i Bashkësisë Islame.

Kuleta u njoh si “Pishtari i Arsimit” në Kosovë për punën e tij si inspektor i arsimit dhe si pedagog dhe edukator. Ai kontribuoi në vetëdijesimin kombëtar dhe ishte aktiv në një institucion të hoxhallarëve që pajtonte popullin. Ai kishte një shoqëri të gjerë, duke përfshirë hoxhallarë të tjerë dhe figura të njohura si Mehmet Gjevori, Hoxhë (Mustafë) Nishevci, Adem Demaçi etj.

Mulla Hashim Kuleta gjithashtu mbajti ligjërime të  shumta  me  tema  fetare  dhe  sociale,  por  edhe kombëtare duke theksuar rëndësinë e diturisë, barazinë gjinore dhe zakonet e fejesave dhe martesave, si dhe atdhedashurinë.

Ai gjithashtu diskutoi për tema të ndryshme që “habisnin xhematin”, duke përfshirë sjelljen e Tokës dhe shkuarjen   në   Hënë,   grimcat   e   atomit   etj.   Kuleta gjithashtu mori pjesë në debate fetare dhe kombëtare, duke theksuar rëndësinë e besimit në Zot dhe qëndrimin në atdhe.

Pas vdekjes së tij, mulla Hashim Kuleta la pas një thesar të librave, dorëshkrimeve, si dhe një ixhazetname. Ai mbetet një figurë e rëndësishme në historinë e arsimit dhe të fesë në Kosovë.

Të gjitha këto të dhëna që u përmendën më lart për  këtë  kolos  të  kombit,  ishin  motiv  dhe  cytje  për autorin   Mr.   Refik   Gërbeshi   që   kësaj   figure   të rëndësishme fetare, arsimore e kombëtare t’ia ngreh një monument kulturor, siç është monografia, dedikuar për të,  “MULLA  HASHIM  KULETA  (1912-1994)-  Pishtar  i arsimit në Llap”, për të cilën do ta themi fjalën tonë në vazhdim.

Struktura e librit

Autori Mr. Refik Gërbeshi, librin e ka konceptuar në disa kapituj, të cilët pastaj janë të ndarë edhe në nënkapituj.

Ka filluar, ashtu siç e do rendi, me një HYRJE, për të vazhduar pastaj me kapitullin e parë: FEJA ISALME- FE E DITURISË, në të cilin ai ka elaboruar për rëndësinë e përhapjes së diturisë, sipas mulla Hashim Kuletës, që është edhe kryprotagonist i librit, apo të shprehemi më saktë, të cilit i është dedikuar kjo monografi (jetës dhe veprimtarisë   së   tij   kombëtare,   arsimore   e   fetare). Gjithnjë, duke u përqëndruar në kohën dhe hapësirën, kur  veproi  hoxhë  Hashimi,  autori  Gërbeshi,  do  ta shtjellojë edhe temën për mejtepet dhe medresetë, të cilat në radhë të parë ishin shtëpi të besimtarëve, në kuadër të të cilave u ndërtuan dhe vepruan shkollat shqipe në tërë Kosovën, po ashtu edhe në Llap.

Autori   i   librit   Mr.   Refik   Gërbeshi,   sipas kronologjisë së zhvillimeve të ngjarjeve, do të flasë në vazhdim të këtij kapitulli edhe për klubet shqiptare, për shkollat dhe për abetaren që u përdor në mejtepet e Llapit, për tendencat e pushtetit serbo-jugosllav për ta penguar shkollën shqipe. Autori me fakte do ta përmend edhe medresenë “Pirinaz”, që zhvilloi veprimtarinë e saj për dy vite në Podujevë, që është nënkapitulli i kapitullit të parë të librit në fjalë.

Te kapitulli: REZISTENCA  E  SHKOLLAVE  SHQIPE  NË LLAP, që është i dyti me radhë, autori i librit do të flasë për hoxhallarët, që e mbajtën gjallë shkollën shqipe.

Në këtë libër, temë bosht e trajtimit është mulla Hashim Kuleta, prandaj, autori Gërbeshi me të drejtë një kapitull të posaçëm ia kushton RAJONIT TË LLAPIT DHE FSHATIT TËRRNAVË-FAMILJA KULETA, prejardhjes së saj, për të shkruar pastaj pak fjalë edhe për babanë e mulla Hashimit, Hasan A. Kuleta (1886-1954).

Në   vazhdim,   autori   paraqet   të   dhëna   për edukimin dhe shkollimin e Hashim Kuletës, për punën e tij si hoxhë dhe nëpunës i Bashkësisë Islame. Ai këtu do të përmend me radhë të gjitha kontributet e këtij PISHTARI TË ARSIMIT NË KOSOVË, si veteran i arsimit, inspektor i arisimit, pedagog dhe edukator i mirë. Po ashtu, autori do të përmend edhe kohën dhe kushtet e rrethanat e vështira, në të cilat mulla Hashim Kuleta kontribuoi për vetëdijësimin  kombëtar  të  shqiptarëve,  por  edhe  për pajtimin             mes tyre       nëpërmjet          institucionit       të hoxhallarëve.

Pjesë e rëndësishme e librit është edhe kapitulli që bën fjalë për SHOQËRINË E MULLA HASHIM EF. KULETËS, ku përfshihen së pari hoxhallarët, por edhe intelektualët e veprimtarët atdhetarë, siç ishin Mehmet Gjevori, që i pat ndihmuar  për  shërim  të  syve,  Mustafë  Nishevci,  që shpeshherë  e  shpëtonte  nga  autoritetet  pushtetore  të kohës, e posaçërisht, baca Adem Demaçi, i cili e vizitonte shpesh.

Interesante  është  edhe  kaptina:  LIGJËRIME   TË HOXHËS HASHIM KULETA, ku autori Gërbeshi ka bërë një përzgjedhje të tyre. Në vazhdim paraqiten dy tregime të botuara për mulla Hashimin; anekdoda e ngjarje, për të vazhduar me kapitullin: TEMAT FETARE, ku përfshihen: besimi në Zot, ringjallja (hak), beja-betimi, agjërimi dhe ramazani, vitrat, guri i varrit, për të vazhduar pastaj me: TEMAT  SOCIALE  –  FAMILJARE,  siç  janë  barazia  gjinore, zakoni i fejesave dhe martesave, nderimi i mysafirit, vetëvrasja si dukuri e shëmtuar dhe e dënueshme nga Zoti. Pastaj u vjen radha KËSHILLAVE PËR T’U SHKOLLUAR, të cilat i ka dhënë hoxhë Hashim Kuleta, ku përfshihen temat për diturinë, rëndësinë e dijes dhe leximit etj.

Te kapitulli:   TEMAT QË HABISNIN XHEMATIN, me ç’rast për mulla Hashimin edhe patën thënë se ishte njeri “i mrrimë”, do t’i hasim këto tema: sjellja e Tokës dhe shkuarja në Hënë; më e vogël se zerrja -grimcat e atomit; pjesa e pavdekshme dhe majat e gishtave; Zoti ka jaratis secilin send çift, shqisat, që hoxhë Hashim Kuleta u jep shpjegim nga  përvoja e  tij, duke u bazuar në ajetet kur`anore.

Pikëpamjet e këtij pishtari të arsimit kombëtar dhe besimtari të denjë do t’i njohim në bazë të DEBATEVE FETARE E KOMBËTARE, ku përfshihen shumë çështje, si: Cila  është  e  para,  Qëndrimi  në  atdhe,  Mynafiku  e tradhtari, Më mirë të digjem se të lëshoj vendin tim, Besimi në Zotin- shpëtim i njerëzimit, Feja islame për gjithë njerëzimin etj., ku ai shfaq pikëpamjet e tij edhe fetare, edhe kombëtare, edhe gjithëfare, gjithmonë duke përdorur logjikën e shëndoshë, të bazuar në argumente, sidomos nëpërmjet ajeteve kuranore.

Autori Refik Gërbeshi, duke e ditur se medalja ka dy anë, edhe në librin për mulla Hashim Kuletën, e pati parasysh këtë fakt. Prandaj hap pas hapi, duke folur për jetën  dhe  veprimtarinë  e  këtij  kolosi  të  arsimit  e  të besimit, nuk do ta anashkalojë as temën e vdekjes së mulla Hashim Kuletës, e cila vërtet ishte e rëndë, ngase u  shua  një  pishtar  i  kombit,  për  humbjen  e  të  cilit dhembjen e shndërruam në forcë e krenari, ngase ai është  aset  fetar,  arsimor  e  kombëtar  i  Kosovës  dhe popullit shqiptar.

Në fund të librit, autori ka paraqitur fotografi, ku shihen  gjësende  të  mulla  Hashimit,  pastaj  foto  nga thesari i librave të të ndjerit, dorëshkrimet e tij, si dhe ixhazetnameja.

Siç e kërkon shkenca dhe publicistika, autori Mr. Refik Gërbeshi këtë libër interesant do ta përmbyll me LITERATURËN e shfrytëzuara për realizimin e librit dhe me të intervistuarit.

Mulla Hashim Kuleta-pishtar i arsimit kombëtar

Nga të gjitha këto pjesë, apo më mirë të themi, nga i tërë ky libër, që është i një rëndësie të veçantë për kulturën tonë kombëtare, (ngase i dedikohet PISHTARIT TË ARSIMIT KOMBËTAR, MULLA HASHIM KULETA), të cilin me sukses e realizoi shkrimtari e publicisti i talentuar Mr. Refik Gërbeshi, figura kolosale e këtij arsimtari e hoxhe na del polidimenzionale.

Do t’i përmendim disa fakte, në të cilat e kemi mbështetur mendimin tonë:

Mulla Hashim Kuleta kontribuoi në mënyra të ndryshme në fushën e arsimit në Kosovë:

  1. Inspektor i Arsimit: Ai punoi si inspektor i arsimit, duke mbikëqyrur dhe përmirësuar cilësinë e arsimit.
  2. Pedagog dhe Edukator: Mulla Hashim Kuleta ishte një pedagog dhe edukator i mirë. Ai u angazhua në edukimin e brezave të rinj dhe në formimin e tyre si individë të mirë.
  3. Ligjërues i zoti: Ai mbajti ligjërime të shumta me tema të  ndryshme,  duke  përfshirë  rëndësinë  e diturisë.  Këto  ligjërime  ndihmuan  në  përhapjen  e diturisë dhe në formimin e mendimeve të nxënësve, por edhe të xhematit.
  4. Përkrahës i shkollave shqipe: Gjatë kohës kur shkollat shqipe po përjetonin sfida, mulla Hashim Kuleta luajti një rol të rëndësishëm në mbajtjen e tyre gjallë.

Këto janë vetëm disa nga mënyrat se si mulla Hashim Kuleta kontribuoi në fushën e arsimit dhe të fesë, prandaj ai mbetet një figurë e rëndësishme në historinë e arsimit në Kosovë.

Krejt  në  fund,  shfrytëzoj  rast  ta  përshëndes autorin  Mr.  Refik  Gërbeshi,  duke  e  përgëzuar  për realizim të kësaj monografie të rëndësisë së veçantë!

Zoti ju bekoftë, miku im i mirë!

Kontrolloni gjithashtu

Agim Kuleta: Doli nga shtypi libri im “Guxo të ëndërrosh”, jetëshkrim i emigrantit Bekim Brestovcit

Autori i librit “Guxo të ëndërrosh”, z Agim Kuleta ka njoftuar opinion për nxjerrjen në …