Adrian Rexhep Krasniqi (12.10.1972 - 16.10.1997)

Adrian Rexhep Krasniqi (12.10.1972 – 16.10.1997)

Adrian Krasniqi ishte ndër luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njëkohësisht njëri ndër themeluesit e parë të logjistikës së UÇK-së, por edhe ndër luftëtarët e parë të lirisë që ra në altarin e atdheut me uniformën e UÇK-së, e cila do ta çlirojë Kosovën dy vjet e gjysmë, pas rënies së tij në altarin e atdheut.

Vranoci i Pejës njihet si fshat me histori të gjatë të rezistencës kundër pushtuesve. Trimat e këtij fshati kishin luftuar kundër turkut dhe bejlerëve në kohën e sundimit turk. Po ashtu, ata ishin rreshtuar në radhët e para të luftës për liri edhe kundër dominimit dhe hegjemonisë gati njëshekullore serbe.

Prindërit e Adrianit, Rexhepi dhe Mejremja, e kishin përjetuar me gëzim të madh lindjen e djalit të tyre më 12 tetor të vitit 1972.

Ardiani i vogël u rrit nën përkushtimin meritor të prindërve dhe nën tingujt e melodive të ninullave kushtuar trimërisë shqiptare dhe të luftërave të trimave të Lugut të Baranit. Mësimet fillestare i mori në fshatin Baran. Ishte nxënës i dalluar. Duke e parë talentin e të birit, babai Rexhepi, mësues i përkushtuar i arsimit kombëtar, Adrianit i zgjoi ndjenjen kombëtare, duke e kultivuar tek ai dëshirën për të lexuar literaturë me përmbajtje militante kombëtare.

 Në vitin shkollor 1990/91, me sukses shembullor, e kryen gjimnazin në Pejë. Si nxënës, mori pjesë në demonstratat gjithëpopullore që u organizuan me rastin e pezullimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi i Beogradit në mars të vitit 1989. Adriani ishte shquar në ballë të demonstruesve.

Në fillim të vitit 1990, në mesin e shokëve hulumton bashkëmendimtarë për organizimin e lëvizjes guerile. Për këtë qëllim arrin të grumbullojë të holla për blerjen e armatimit. I përkushtuar në rrugën e tij militante, Adriani përmes bashkëveprimtarëve arrin të sjellë në Kosovë 25 kilogram trotil, për të cilin aksion e kishte vënë në dijeni edhe xhaxhanë e tij, Xhaferin, i cili, po ashtu ishte militant i lirisë.

Adriani i ri e energjik nuk i besonte lëvizjes pacifiste.

Ai lexonte literaturë për revolucionet dhe pandërprerë mendonte rreth organizimit të luftës për çlirim. Në rrugën e tij jetësore ai nuk e përfillte rrezikun që i kanosej dhe nuk mëdyshej në hapat e mëtejmë drejt lirisë.

Në vitin 1992, aftësia organizative e Adrianit ishte identifikuar nga bashkëveprimtarët. Ai caktohet komandant i njësitit çlirimtar për Rrafshin e Dukagjinit. Që nga kjo kohë, vazhdon aktiviteti i tij intensiv  ilegal. Kohë pas kohe, për qëllime veprimtarie kombëtare kalon kufirin që e ndante Kosovën nga pjesa tjetër e atdheut. Ndërkohë, në Tiranë kishte regjistruar studimet në Fakultetin Ekonomik, ndonëse orientim kryesor kishte organizimin dhe intensifikimin e veprimtarisë çlirimtare.

Në vitin 1995, në orët e natës, organizon një sulm të armatosur mbi stacionin e policisë serbe në fshatin Qallapek të komunës së Pejës. Pas këtij aksioni, shërbimi sekret serb shpall fletarrestin kundër Adrianit,

me gjasë për shkak të dijenisë që kishte për veprimtarinë e tij. Me qëllim të zënies, në këtë kohë policia bastis dhe demolon shtëpinë e tij në Pejë si dhe atë të xhaxhait të tij, Xhaferit, në Vranoc. Në këtë rast, Xhaferi arrestohet dhe keqtrajtohet, ndërsa Adriani i shpëton arrestit.

Duke qenë se armën e kishte pasion të veçantë, i bindur se vetëm zjarri i saj do ta çlironte Kosovën, Adriani i përkushtohet çështjes së armatimit dhe brenda një kohe të shkurtër formon dy baza të forta të furnizimit. Baza e parë ishte në afërsi të Tropojës, ndërsa baza tjetër ishte vendosur në një shtëpi të fshatit Shishman, në afërsi të zonës kufitare. Në këtë aktivitet të rëndë, por të domosdoshëm ai kishte angazhuar edhe kushërinjtë, Agim Krasniqin dhe Besnik Krasniqin, të cilët vepronin në bazën tjetër të furnizimit në qytetin Bajram Curr. Në vitet 1996-1997, Adrian Krasniqi krijon bazën e fortë të logjistikës së armatimit, e cila furnizonte me armë dhe municion luftëtarët e Dukagjinit, të Drenicës dhe të Llapit.

Këto baza do të përforcohen ndërkohë dhe do të jenë në disponim të UÇK-së deri në mbarimin e luftës.

Përveç bazave të furnizimit në brezin kufitar, Adriani kishte krijuar edhe baza të tjera në Dukagjin në familje të caktuara të miqve dhe të bashkëluftëtarëve. Për këtë qëllim kishte angazhuar edhe bashkëluftëtarët Përparim Krasniqin (tani dëshmor i kombit) e Sylë Kadriun nga fshati Nakëll. Edhe në fshatin Lybeniq kishte krijuar një bazë furnizimi, në shtëpinë e dhëndrit të tij, Ahmet Ukshinaj.

Për ngritjen e bazave të furnizimit me armatim, Adrianit i kishin ndihmuar edhe bashkëluftëtarët e paepur Luan Haradinaj e Ilir Konushevci. Këto baza u bënë kazermat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Asokohe Adrian Krasniqi kontakton edhe me disa prej figurave kyçe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndër të cilët edhe me Zahir Pajazitin e Mujë Krasniqin.

Në kohën e revoltës që ndodhi në Shqipëri në pranverë të vitit 1997, me ç’rast pasoi edhe shpërbërja e armatës shqiptare, komandantët e furnizimit me armë dhe municion të UÇK-së e shfrytëzuan rastin dhe

intensifikuan veprimtarinë organizative sidomos në çështjen e furnizimit me armatim. Përveç angazhimit maksimal në këtë drejtim, Adriani ndërmori aksione të njëpasnjëshme kundër okupatorit, duke i goditur bazat e tij në befasi. Këto aksione ia kallën frikën dhe pasigurinë armikut.

Më 16 tetor të vitit 1997, Adrian Krasniqi, së bashku me Mujë Krasniqin, Ilir Konushevcin dhe Qerim Kelmendin, ndërmerr një aksion të armatosur kundër stacionit policor në fshatin Kliçinë të komunës së

Pejës. Në këtë rast, njësiti i UÇK-së kishte shkëmbyer zjarr të ashpër me forcat policore serbe. Në këtë shkëmbim zjarri, Adriani bie heriokisht në altarin e lirisë.

Trupi i dëshmorit Adrian Krasniqi u varros në vendlindjen e tij në Vranoc. Në ceremoninë e varrimit morën pjesë shumë liridashës dhe luftëtarë të ardhshëm të UÇK-së, nga të gjitha viset e Kosovës.

Në kohën e luftës frontale në Dukagjin, shtëpia e Adrian Krasniqit në Vranoc bëhet spital ushtarak, ndërsa familja Krasniqi, ashtu sikurse edhe shumë familje të tjera liridashëse, u vunë në shërbim të gjithanshëm të luftës për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.

Me emrin e tij u emërtua Brigada 133 e Lugut të Drinit, në Zonën Operative të Dukagjinit.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adrianin e ka graduar, pas rënies, me gradën ushtarake gjeneralkolonel. Sot, emrin e tij e mban me pietet e nderim kazerma e Zonës së Tretë Mbrojtëse e TMK-së në Pejë.

Adrian Krasniqi, pas rënies, është nderuar me mirënjohje të shumta nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe nga Komanada e Zonës Operative të Dukagjinit.

Në Varrezat e Dëshmorëve në Vranoc, ku prehen në amshueshmëri eshtrat e dëshmorit Adrian Krasniqi, është ngritur lapidari, me pllakën përkujtimore të skalitur në të. Për veprën dhe heroizmin e këtij prijatari të lirisë janë thurur këngë dhe shkrime të ndryshme.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Feriz Abdurrahman Susuri (18.5.1969 – 11.3.1999)

Një plejadë djelmoshash të zgjedhur mal e vërri, që patën braktisur Kosovën si të ndjekur, …