leoni

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. Ai ishte djali i katërt i bashkëshortëve Nazmiut dhe Remzijes. Babai i Arsimit punonte në OPT ”Qyqavica” për të siguruar bukën për familjen tetë anëtarësh.
Arsimi si nxënës i shkollës fillore “Mustafë Venhari” (ish-“21 Nëntori”) dallohej në sjellje dhe mësime. Ishte i urtë dhe i dashur për të gjithë, për shokët e shkollës dhe mësimdhënësit. Edhe shkollën e mesme e mbaroi në Vushtrri në QMSH “Muharrem Bektashi”. Ai shquhej edhe në sport. Kishte një shkathtësi trupore, për këtë edhe ushtroi sportin luftarak – karate. Në këtë sport arriti rezultate të kënaqshme. Brenda pak kohësh u bë edhe kampion i Kosovës në karate për të rinj.
Arsimi rridhte nga një familje atdhetare, e cila edhe më herët kishte dhënë kontribut të madh në lëvizjet përparimtare për çlirimin e vendit nga okupatori shekullor. Kjo familje ishte halë në sy për okupatorin. Kështu në vitin 1923 kolonët serb e malazezë, të Bukoshit me rrethinë një ditë të armatosur kishin mësyrë Brusnikun. Në shënjestër ishte familja e madhe e Tahir Muzaqit. Ata në këtë rast pushkatuan, martirizuan dhe masakruan burra, gra, pleq e fëmijë. Në këtë kasaphane nëpër Aratkoll u vranë mizorisht mbi shtatëdhjetë burra. Kësaj masakre shfarosëse nga familja Muzaqi shpëtoi vetëm Zeqir Muzaqi, i cili ndonëse i plagosur u tërhoq zvarrë deri në disa shkurre.
Nga kjo familje doli edhe luftëtari i lirisë, dëshmori i UÇK-së, Arsim Nazmi Muzaqi.
Arsimi, me të dëgjuar krismat e para të lirisë në Drenicë, pa u hamendur u rreshtua në radhët e luftëtarëve të lirisë. Uniformën e dashur të UÇK-së, Arsimi e veshi më 25 gusht 1998 në fshatin Ceceli, që ishte edhe dita më e dashur e tij. Fillimisht e sistemojnë në Batalionin e IV të Brigadës 141 “Mehë Uka” të ZOSH, që për komandant kishte Gani Imerin. Aty qëndroi deri në ofensivën madhe të 15 shtatorit 1998 që përfshiu tërë Shalën.
Të gjithë shokët dhe eprorët e tij ishin të kënaqur me sjelljen dhe punën e tij si ushtar shembullor, meqë ai paraqitej vullnetar si në front, punë tjera por edhe në sjelljen e armëve nga Shqipëria. Ishte i dalluar në çdo aksion. Mori pjesë në shumë beteja të zhvilluara në Shalë kundër okupatorit shekullor. U dallua në betejat e që u zhvilluan në Ashlan, Rahovë, Mazhiq, Majdan, në Kutllovc kur u bë sulmi mbi bazën ushtarake serbe e në shumë luftime të tjera.
Meqë dallohej në luftime, eprorët e kësaj zone, më 1 tetor 1998 e dërgojnë në njësitin special, i cili vepronte kudo që paraqitej nevoja. Shokë të pandarë ishin me Faruk Beqirin. Ata nuk u ndanë asnjëherë deri në rënien e tyre heroike. Luftuan bashkë dhe bashkë fituan pavdekësinë.
Me trimat e njësisë speciale krenohej Brigada 141 “Mehë Uka” e ZOSH. Ky njësit i futi tmerrin okupatorit edhe me rastin e zënies rob të tetë ushtarëve të okupatorit në janar të vitit 1999, në Zonën e Shalës.
Në fillim të vitit 1999 në një pritë të organizuar nga forcat e okupatorit bie trimërisht komandanti i logjistikës për Shalë, Xhevat Jusufi dhe plagoset zëvendës komandanti i ZOSH-it Zymer Halimi. Edhe përkundër dhembjes për ta trimat u mobilizuan dhe pa u hutuar vazhduan rrugën e lirisë duke korrur rezultate të reja në aksionet e ardhshme.
Arsimi si edhe shokët e tij të njësisë speciale kishin njohuri e përgatitje profesionale për përdorimin e armëve dhe aftësi për aksione të ndryshme ushtarake. Pas rënies së Xhevat Jusufit dhe plagosjes së Zymer Halimit komandant i njësitit emërohet, Shemsi Ahmeti.
Aftësitë e fituara gjatë stërvitjeve, Arsimi e Faruku bashkë me shokët e njësitit i demonstruan edhe me rastin e një manifestimi të mbajtur për nderë të 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, manifestim i cili u mbajt në oborrin e shkollës së Bajgorës. Në këtë manifestim përveç ushtarëve të lirisë prezantonin edhe shumë fshatarë të Shalës, nxënës, studentë, përfaqësues të partive politike, gazetarë, oficerë të UÇK-së nga Shala e më gjerë. Të gjithë të pranishmit në këtë manifestim ishin të befasuar për të mirë me demonstrimin me armë dhe aftësitë e fituara për artin e luftës të këtyre djemve të lirisë.
Arsimi përditë e më shumë bënte emër lufte dhe trimërie dhe dallohej në aksionet që ata ndërmerrnin kundër armikut. Në një aksion të ndërmarrë në Shalë, më 8 janar 1999, kur i zunë rob tetë ushtarë serbë, Arsimi ishte në nivel të detyrës ushtarake.
Që nga 25 shkurti e deri më 17 mars 1999 u zhvilluan një varg betejash kundër ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët me çdo kusht bënin përpjekje të depërtonin në zonën e lirë të Drenicës. Në të gjitha ato beteja Arsimi me shokë kishin shkuar në ndihmë Brigadës 142.
Me 25 shkurt 1999 forcat e armikut me një makineri moderne ushtarake kishin bërë përgatitjet për ta sulmuar Artakollin përreth Qyqavicës. Të parët që dolën vullnetarë për të marrë pjesë në këtë betejë ishin Arsim Muzaqi dhe Faruk Beqiri. Në këtë vijë të frontit ata qëndruan për 24 ditë me radhë.
Aksioni më i suksesshëm i këtij njësiti ishte zhvilluar më 21 prillit 1999 kur u bë sulm mbi kazermën ushtarake serbe në Kutllovc. Këtu nuk ishte lehtë të hyhet sepse përpos rrezikut që ishte nga ane e serbëve ishte rreziku ku pritej që nga forcat e NATO-s në çdo moment të sulmohej kazerma serbe. Sulmi ishte i suksesshëm. Armikut përpos humbjeve në njerëz iu mor edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit dhe fishekë kalibrash të ndryshëm si dhe një sasi e miellit, që në këtë kohë ishte shumë e nevojshme për popullatën civile e cila jetonte nëpër tenda në zonat e luftës.
Në muajin prill të vitit 1999, ashtu sikur në të gjitha zonat e luftës edhe në Shalë filluan betejat e pareshtura e të pandërprera. Armiku sulmonte me të gjitha forcat kurse ushtarët trima të UÇK-së mbronin vendin pa u lëkundur për as një çast. Edhe në Shalë në këtë kohë u zhvilluan luftime të ashpra në një vijë të gjatë të frontit. Armiku në vijën e frontit Trepçali – Shkëmbi i Bletës – Melenicë – Lagja e Cenajve – Kodra e Majdanit sulmonte për çdo ditë me këmbësori dhe artileri të rëndë pozicionet e UÇK-së në disa drejtime si nga Kutllovci, Trepça, Rahova. Këto sulme nuk pushuan deri më 29 prill 1999. Mirëpo, edhe për kundër të gjitha këtyre sulmeve djemtë e shqipes qëndronin të pathyeshëm në pozicionet e tyre duke mos lejuar depërtimine armikut te popullata dhe në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 141 “Mehë Uka”.
Kështu muaji prill i vitit 1999, në Shalë shënoi kulminocionin e qëndresës dhe të heroizmit të djemve të lirisë.
Ishte 25 prilli 1999. Një ditë me shi dhe luftime të ashpra në Malin e Majdanit. Njësiti special nuk lejonte kalimin e forcave armike. Edhe atë ditë Arsimi me shokë qëndronte palëkundshëm në pozicione.
Në betejën e ashpër të zhvilluar në Majdan më 26 prill të vitit 1999 radhëve të dëshmorëve të lirisë iu bashkua edhe luftëtari sypatrembur, Arsim Muzaqi.
Nga 22 e deri më 29 prill në Betejën e Majdanit përpos Arsimit ranë heroikisht edhe dëshmorët: Rrustem Hyseni, Enver Musa, Shemsi Istrefi, Xhemajl Haxha, komandant Shemi Ahmeti, Ahmet Haxha, Asllan Cimili, etj., ndërsa qenë plagosur Faruk Beqiri, Hamzë Behrami, Ismail Istrefi, Mustafë Ibishi, Bajram Peci etj.
Rënien e Arsim Muzaqit, Faruk Beqirit, komandant Shemsi Ahmetit, Rrustem Hysenit, Enver Musës, Shemsi Istrefit në Malin e Majdanit shokët e luftës e përjetuan rëndë, sepse kjo ishte një humbje e madhe për njësitin special, Brigadën në tërësi, të Zonës së Shalës dhe të UÇK-së në përgjithësi.
Familja e dëshmorit, Arsim Nazmi Muzaqi është dekoruar me mirënjohje dhe dekorata të shumta si nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Kosovës, SHP i UÇK-së, Zona e Shalës, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Fadil Vata - Shëmbëllim i shpirtit fisnik e i karakterit burrëror

Fadil Vata – Shëmbëllim i shpirtit fisnik e i karakterit burrëror

Fadil Vata 10.01.1962 – 25.04.1990 Po të mos kishte Kosova bij si Fadil Vata, pa …