Avni Mursel Buçaj (15.8.1980 – 31.5.1999)

Avni Mursel Buçaj (15.8.1980 – 31.5.1999)

Çmimin e lirisë së Kosovës e dëshmon edhe shembulli i sakrificës sublime të dëshmorit të kombit Avni Buçaj nga Lladrovci i Malishevës, biri i vetëm i Mursel dhe Mendehie Buçaj dhe vëllai i tri motrave: Alies, Libades dhe Resmies, që jetojnë me kujtimin e pavenitur të vëllait dëshmor.

Avni Buçaj u lind më 15. 8. 1980. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje. Si i ri ai u kalit nga peripecitë dhe vuajtjet nën thundrën e okupatorit serb. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe represionit të vazhdueshëm që po përjetonin nxënësit dhe mësimdhënësit shqiptarë, Avniut iu pamundësua të vazhdojë shkollimin e mesëm. Megjithëse në moshë të njomë, Avniu u angazhua në punë të ndryshme fizike me qëllim të mbështetjes së familjes. Në fillim të vitit 1998 ndodhën masakra të tmerrshme ndaj popullatës civile në Çirez dhe Likoshan, të cilat ngjarje e kishin prekur thellë Avniun e ri. Meqenëse, pas rënies së komandantit Adem Jashari, lufta po shtrihej edhe në pjesët tjera të Kosovës, sidomos në Llapushë dhe Dukagjin, Avniu interesohej që të gjente mundësi për ta ndihmuar luftën për liri. Ofensivat e njëpasnjëshme që po ndërmirreshin kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe heroizmi i luftëtarëve të lirisë, atij i jepnin forcë që përveq logjistikës, ta ndihmonte luftën e UÇK-së edhe ushtarakisht. Pas rënies së Grykës së Llapushnikut dhe marshimit të forcave serbe edhe në qytezën e Malishevës, në fund të korrikut të vitit 1998, një pjesë e luftëtarëve të lirisë u vendos në fshatrat Tërpezë, Senik dhe Lladroc, si dhe në fshatrat e rrafshnaltës së Berishës: Berishë, Divjakë, Kleçkë etj.

Kolona të shumta me pleq, gra dhe fëmijë nga pjesë të ndryshme të Drenicës dhe fshatrat përreth Grykës së Llapushnikut, para granatave, topave dhe armëve të rënda të militarëve serbë që villnin zjarrë e hekur, u vendosën në malet rrëzë bjeshkëve të Berishës. Avniu, me temperamentin që kishte, nuk e duronte dot vajin e fëmijëve të frikësuar dhe të uritur.

Meqenëse akoma nuk i kishte mbushur tetëmbëdhjetë vjet dhe ishte djalë dëshiri, përgjegjësit të ngarkuar për rekrutimin e ushtarëve të rinj, përkundër insistimit të Avniut, hezitonin ta përfshinin aktivisht në radhët e UÇK-së. Më 15 shtator të vitit 1998, kur kishte mbushur 18 vjet e një muaj, Avniu i buzëqeshur dhe i lumtur radhitet në Kompaninë e II-të, Batalioni IV-të, Brigada 121 ” Ismet Jashari-Kumanova”. Që nga ky moment e deri në rënien e tij, për asnjë çast nuk e lëshoi armën nga dora. Mirëpo, tre muaj më vonë, në një betejë të zhvilluar te vendi i quajtur”Rrezja e Lladrovcit”, afër fshatit Carrallukë, Avniu plagoset, por këto plagë sikur e motivuan që edhe më me ngulm ta luftojë armikun në çdo front të luftës. Edhe përkundër plagës së pashëruar, Pas dërgimit në spitalin ushtarak të Pagarushës dhe pas qepjes së plagëve, mjekët i kishin sugjeruar që të shtrihej në spital për trajtim të mëtejshëm, por ai të njëjtën ditë kthehet te bashkëluftëtarët.

Avniu, me plagë në trup, vazhdoi të jetë pjesë e operacioneve luftarake sa herë që forcat serbe msynin për të depërtuar në rrafshnaltën e Maleve të Berishës.

Më 31 maj të vitit 1999, forcat serbe filluan granatimet në drejtim të pozicioneve të UÇK-së në Lladrovc. Shokët dhe personeli mjekësor e kishin refuzuar kërkesën e Avniut për të qenë pjesë e luftimeve në mbrojtje të pozicioneve UÇK-së. Mirëpo, pas vërejtjeve se ai po binte ndesh me rregullat, kishte deklaruar: “ Unë nuk po e thyej urdhrin, por nuk po mund të rri pa shokët” dhe ishte nisur drejt arenës së luftimeve. Forcat e armikut po hidhnin qindra predha në drejtim të Lladrovcit, me ç’rast njëra prej tyre godet trupin e dëshmorit Avni Buçaj dhe bashkëluftëtarit Bafti Buçaj. Plagët kësaj radhe ishin vdekjeprurëse. Avniu u përjetësua në altarin e lirisë së bashku me dëshmorin Bafti Buçaj. Rënia e tij pikëlloi jo vetëm prindërit dhe motrat, por edhe gjithë bashkëluftëtarët. Varrimi i tij u bë në fshatin e lindjes, kurse rivarrimi në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë.

Familja e dëshmorit Avni Buçaj ka marrë mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qevrisë së Përkohshme të Kosovës, Kuvendi komunal i Malishevës dhe shoqatat e dala nga lufta. (I. S.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …