vipa
muqa 900
mbpzhr
Fillimi / Dëshmorët / Brahim Demush Morina (1.2.1950 – 17.5.1998)
Brahim Demush Morina (1.2.1950 – 17.5.1998)

Brahim Demush Morina (1.2.1950 – 17.5.1998)

Brahim Morina u lind më 1 shkurt të vitit 1950 në fshatin Rixhevë të komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në Ujmirë. Ishte biri i Demushit dhe Elfijes, bijë e Smakajve të Abrisë së Ulët. Prindërit e tij patën gjashtë fëmijë: Ramadanin, Brahimin, Osmanin, Hysenin, Hasanin dhe Habibin.
Brahimi rrjedh nga një familje e njohur atdhetare. Babai i tij, Demushi, kishte marrë pjesë në betejat e zhvilluara në trevën e Kolashinit dhe në atë të Plloçicës.
Për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, Brahimi, pasi kreu shërbimin ushtarak në Sarajevë, një kohë punoi në Kroaci e pastaj edhe në Gjermani, gjatë viteve 1973-1979. Ndërkohë ishte kthyer në Kosovë për të punuar e për të jetuar, sepse e kishte përjetuar mbi kurriz jetën e rëndë në kurbet.
Gjatë viteve të ‘90-të të shekullit 20 kishte marrë pjesë në disa veprimtari e aktivitete të ndryshme, me ç rast edhe arrestohet e torturohet mizorisht nga policia serbe. Gjatë atij aksioni kundër shqiptarëve, përveç Brahimit policët serbë kishin rrahur edhe shumë bashkëfshatarë e të afërm të tij.
Brahimi vazhdimisht e kiahte ndihmuar edhe vëllanë e tij, Habibin i cili gjatë asaj kohe ishte i angazhuar në aktivitete ilegale, ndërkohë që edhe ishte arrestuar nga policia serbe, bashkë me djemtë e axhës, Haki e Tafil Morina.
Me shtrirjen e UÇK-së në trevën e tij, Brahimi fillimisht ishte mobilizuar në roje e vëzhgim, e më pas, më 16 prill të vitit 1998 radhitet në njësitin “Graniti” i cili bashkë më njësitet e tjera, më vonë formuan Brigadën 113 ”Mujë Krasniqi”. Njësiti asokohe udhëhiqej nga Agim Pantina.
Brahimi në maj të vitit 1998 kishte larguar gruan dhe fëmijët dhe i kishte dërguar te daja i vet, në fshatin Abri. Natën e 16 majit 1998, Brahimi ishte në roje bashkë me Ramadan e Sefer Morinën, si dhe me Zeqir Morinën.
Më 17 maj pasi forcat serbe ishin futur në familjen e Halil Ramadanit, ata rrethojnë edhe familjen e Dedush Loshit, ku ndodhej Brahimi, i cili qëndron heroikisht duke luftuar ballë për ballë me forcat serbe. Atë ditë të përgjakshme, Brahimi luftoi deri në fishekun e fundit kur edhe bie heroikisht.
Pas tërheqjes së forcave serbe nga Rixheva rreth orës 14:00, bashkëluftëtarët e tyre, në krye me me luftëtarin Bajram Rexhepaj, më vonë dëshmorë, tërheqin trupat e dëshmorëve Brahim, Ramadan dhe Sefer Morina dhe i varrosin në fshatin Zabergjë. Pas rënies së Brahimit, Ramadanit e Seferit, forcat serbe arrestuan dhe i mbajtën lidhur me kokë për tokë shumë nga bashkëfshatarët e tij. Paraprakisht ata ua kishin plaçkitur dhe djegur shumë shtëpi. Atë ditë u torturuan mizorisht: Sadik Bajram Morina, Avdullah Deli Desku nga Siqeva (mysafir i Sadikut), Imer Azem Morina, Ajet Sylë Nevada, Brahim Halil Morina, Alush Sylë Musaj, Haxhi Shaban Musaj, Ramadan Shaban Musaj, Halil Shaban Musaj, Brahim Ramadan Musaj, Bashkim Ramadan Musaj, Ramadan Kadri Berisha, Rexhep Kadri Berisha, Drinore Kadri Maliqaj, Milazim Kadri Maliqaj, Jakup Halil Musaj e shumë të tjerë. Serbët kishin djegur shumë shtëpi, në mesin e tyre edhe shtëpinë e Sahit Bajrush Hysenajt, shtëpinë e Hasan Demush Loshit si dhe shtëpinë e Brahim Kadri Maliqaj.
Në orët e mesnatës, në kushte dhe rrethana lufte, bashkëluftëtarët e tyre me nderime ushtarake i varrosen trupat e dëshmorëve në varrezat e fshatit Zabergjë. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës betohen se do ta luftojnë deri në fund armikun serb. Atë natë, me zbrazjen e armëve në shenjë nderimi ishin betuar për luftë deri në fitoren e plotë: Bajram Rexhepaj, Murrizi, Halit Gashi, Bedri Gashi, Arsim Rexhepaj, Bekim Shala, Agim Pantina, Bekim Shyti, “Komandant Shkupi”, të njësiteve “Graniti” , “Alfa”, “Beta” si dhe shumë luftëtarë të tjerë. Forcat serbe nga pozicioni i tyre te Mulliri “Prapashtica” në Kijevë kishin filluar goditjet në drejtim te vendit ku ishin varrosur me nderime luftëtarët e lirisë, Brahim Morina, Ramadan Morina, Sefer Morina.
Për luftimet që ishin zhvilluar në fshatin Rixhevë, më 17 maj 1998, me ç’rast kishin rënë tre dëshmorë, kishin raportuar edhe mediat serbe, në orët e mbrëmjes. Po ashtu raporte mbi luftimet dhe rënien e dëshmorëve kishin përhapur edhe TVSH, EURONEWS dhe medie të tjera.
Brahim Morina ka qenë i martuar me Shukrie Gllasovikun. Ai ka lënë pas pesë bij e bija: Antigonën, Agronin, Arbonin, Vlorën e Bajramin.
Në shenjë respekti dhe nderimi për dëshmorin Brahim Morina, mirënjohje e nderime i kanë dhënë familjes së tij, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, Kuvendi Komunal i Klinës. Emri i dëshmorit është i skalitur në Kompleksin Përkujtimor të dëshmorëve të UÇK-së të Brigadës 113, “Mujë Krasniqi” në Klinë. Pllaka përkujtimore për të është vënë te ku tani pushon në përjetësi trupi i dëshmorit Brahim Morina. (A. Q)