Fetah Adem Selca (24.11.1971 – 25.5.1999)

Fetah Adem Selca (24.11.1971 – 25.5.1999)

Lugu i Baranit është një trevë e Shqipërisë etnike, e njohur për rezistencë shekullore kundër pushtuesve, e në veçanti kundër pushtuesve sllavë serbë e malazezë. E njohur për luftë kundër pushtuesve është edhe familja Selca nga ky fshat. Pjesëtarë të kësaj familjeje në vazhdimësi kanë luftuar dhe kanë qëndruar përkrah idealit të lirisë dhe bashkimit kombëtar. Janë të njohur Hajdin Selca e Shaban Selca bashkëluftëtarë të kryengritësve të Shaban Palluzhës, në dimër të vitit 1945, pastaj Adem Selca i burgosur politik e të tjerë.
Babai i dëshmorit Fetah Selca, Ademi dhe nëna, Shaha rritën nëntë fëmijët e tyre. Fetahu ishte fëmija i tetë me radhë. Ai lindi më 25 nëntor të vitit 1971. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në vendlindje.
Në vitin 1992, ashtu sikur edhe shumë të rinj shqiptarë të Kosovës, Fetahu refuzoi t’i përgjigjet thirrjes për rekrutim në armatën jugosllave, e cila kishte filluar luftën kundër Kroacisë dhe popullit kroat, si dhe Bosnjë e Hercegovinës, të cilat shtete dhe popujt e tyre kërkonin të shkëputeshin nga federata jugosllave e cila dominohej nga Serbia hegjemoniste. Për shkak të këtij refuzimi dhe për shkak se familja e tij ishte në shënjestër të regjimit, Fetahu largohet nga Kosova dhe shkon në Gjermani, në qytetin e Drezdenit, ku punon dhe ndihmon financiarisht familjen, në Kosovë.
Qysh si fëmijë, Fetahu ishte frymëzuar me ide kombëtare nga babai dhe nga literatura me përmbajtje atdhetare, e cila nga Shqipëria depërtonte ilegalisht në Kosovë.
Gjatë qëndrimit në Gjermani ai kontakton me veprimtarë të Lëvizjen Popullore të Kosovës, e cila kishte shpalosur idenë e çlirimit me luftë të armatosur dhe për këtë qëllim edhe kishte filluar përgatitjet e gjithanshme. Kontakte të përhershme kishte me veprimtarin Jashar Salihu e me veprimtarë të tjerë të LPK-së e të UÇK-së.
Pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare në Llaushë, më 28 nëntor të vitit 1997, Fetah Selca ashtu sikur edhe shumë liridashës të Kosovës, tashmë po përgatitej të kthehej në Kosovë për t’u inkuadruar në radhët e UÇK-së . e cila kishte dhënë kushtrimin për çlirim, ndërsa shembulli heroik i qëndresës së legjendarit Adem Jashari e i familjes së tij, kundër pushtuesit serb, më 5. 6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekaz kishte mobilizuar të gjithë shqiptarët liridashës, kudo në trojet etnike dhe në mërgatë.
Në vjeshtën e vitit 1998 Fetahu veproi në Tropojë, Padesh, Koshare, Jasiq e në fshatra të tjera të brezit kufitar, nga ku po futeshin armë dhe municion për luftën e UÇK-së. Në fillim të vitit 1999, me urdhër të eprorëve të UÇK-së, ai caktohet të veprojë në fshatrat e Lugut të Baranit, ku tashmë po luftonin edhe vëllezërit e tij Riza dhe Eraldi, si dhe bashkëluftëtarë të tjerë nga Dukagjini. Asokohe inkuadrohet në radhët e Brigadës 135, Agim Zaneli, të Zonës Operative të Dukagjinit.
Me bashkëluftëtarët e tij, Fetahu mori pjesë në shumë aksione luftarake kundër forcave pushtuese serbe, si në Çallapek, Baran, Kliçinë, e fshatra të tjera.
Në maj të vitit 1999, Fetahu me bashkëluftëtarë të tjerë ishte angazhuar në mbrojtje të popullatës civile e cila po rrezikohej për shfarosje nga kriminelët e militarizuar të Serbisë. Më 25 maj të atij viti ndodhet në pozicione lufte, në vendin e quajtur, Kodra e Buçanit, ku kishin filluar luftimet e pandërprera mes njësitit të UÇK-së të Brigadës 135, Agim Zaneli dhe forcave policore e ushtarake serbe. Atë ditë, pas tetë orë luftimesh të pabarabarta, Fetahu së bashku me Muharrem Kelmendin, Islam Berishën dhe Ardian Kelmendin bien në fushën e nderit, në altarin i lirisë së Kosovës.
Fetahu nuk ka qenë i martuar. Ai ka lënë vëllezërit Rizahun, Hajdarin, Ismetin, si dhe motrat: Xhevën, Tushen, Rrushen, Dushën dhe Valbonën.
Pas çlirimit të Kosovës nga robëria serbe, në qershor të vitit 1999, Familja Selca, për birin e saj dëshmor ka marrë Mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e dala nga lufta të UÇK-së. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …