Imer Muharrem Alushani (23.9.1964 – 26.7.1998)

Imer Muharrem Alushani (23.9.1964 – 26.7.1998)

Imer Alushani u lind në Bushat (ish Komaran), më 23 shtator 1964. Ishte luftëtar i përkushtuar i çlirimit të viseve të Shqipërisë etnike. Kur u ndez lufta çlirimtare, ai ishte betuar: Derisa të jem gjallë, këmba e shkaut nuk do të shkelë në Grykën e Llapushnikut.

Edhe pse natyra i kishte dhuruar tiparet fizike të një luftëtari të kohëve antike, shokët e luftës e thërrisnin me emrin “Vogëlushi”.

Shkollën fillore e kishte kryer në Bushat ( ish Komaran) ndërsa gjimnazin në Drenas ( ish Gllogoc). Për shkak të gjendjes së rëndë sociale, nuk mundi t’i vazhdoj studimet, por iu desh të interesohet për mbijetesën ekonomike të familjes. Asokohe, ai e kishte përjetuar mbi supe edhe peshën e rëndë të robërisë. I shtyrë nga nevoja ekonomike, ashtu sikurse shumë të rinj shqiptar të Drenicës e të mbarë Kosovës, edhe Imeri kishte shtegtuar nëpër vise të ndryshme të Jugosllavisë, për të gjetur punë. Fillimisht shkoi në Zagreb ( Kroaci), por atje nuk mundi të siguronte punë, prandaj së shpejti u detyrua të kthehej në vendlindje.

Në fund të viteve ’80, së bashku me shumë bashkëmendimtar të tjerë, aktivitetin e tij atdhetar e zhvillonte duke marrë pjesë në demonstratat kundër shtypjes kombëtare të shqiptarëve. Ai ishte dalluar sidomos në demonstratat e vitit 1989 në Drenas, me ç’rast kishte rënë në sy të inspektorëve të Sigurimit, të cilët filluan ta gjurmojnë hap pas hapi.

Më 13 dhjetor të vitit 1992, herët në mëngjes, policia serbe e kishte rrethuar shtëpinë e Imerit. Në atë rast ajo kishte arrestuar Imerin dhe vëllanë e tij, Ramadanin. Ndërsa vëllanë e tij e kishin liruar pas 6 ditë arresti dhe torturash, u dënua me katër vjet burg, për vepër penale, e cilësuar si antijugoslave.

Pas lirimit nga burgu i Dubravës, më 1996, në familjen e tij kthehet si luftëtar edhe më i kalitur i lirisë. Asokohe ishin intensifikuar sulmet a armatosura të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër bandave të policisë serbe. Imeri pa humbur kohë kishte kontaktuar me trimat e Adem Jasharit dhe ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së.

Me krijimin e pikave luftarake  të UÇK-së në Drenicën e Epërme, Imer Alushani ishte kudo, në çdo moment e në çdo kohë. Ai ishte konsultuar me komandant “Kumanovën”, me komandant “Çelikun” dhe trima të tjerë, të cilët kishin fituar përvojë për zënien e grykave strategjike, jo vetëm në Llapushnik, por edhe në Carralevë, në Duhël e deri në Jezerc e Kaçanik.

Pas disa përleshjeve me forcat policore serbe në Gjergjicë, në Balincë e në Arllat, më 9 maj të vitit 1998, pas luftimeve disa orë çlirimtarët e kishin zënë Grykën e Llapushnikut, e cila asokohe pati rëndësi të veçantë, jo vetëm për konsolidimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por bllokoi rrugëkalimin më strategjik të forcave serbe, Prishtinë – Pejë, që lidhte dy rajonet e Kosovës. Marrja nën kontroll e këtij drejtimi paralizoi manovrimin e forcave serbe dhe krijoi kushte për zgjerimin e luftimeve të UÇK-së.

Ia dolëm, – u tha shokëve tërë shend, Imer Alushani, i djersitur dhe i përskuqur nga zjarri dhe tymi i luftës.

Ia dolëm, – ia ktheu një bashkëluftëtar, – por a do ta mbajmë dot, – iu kishte drejtuar Imerit, të cilit nuk i zihej vendi vend.

Ashtu sikur e kemi zënë, ashtu edhe do ta mbrojmë, – ishte përgjigjur shkurt dhe vendosmëri Imeri.

Kemi pak armë, “Vogëlush”, kishte konstatuar një luftëtar tjetër, duke numëruar fishekët, që i kishin mbetur në gjerdan.

Ka mjaftë armë në depot e Shqipërisë, – kishte shtuar prerë Imeri. Të gjitha do t’i marrim dhe shkaun nuk do ta lëshojmë më kurrë këndej pari.

Prej 9 majit e deri më 26 korrik të vitit 1998, Imer Alushani me shumë trima të tjerë çlirimtar, si Gani Kastrati, Hilmi Sopi, Faik Bujupi, Isak Musliu, Jetë Hasani, Milaim Beha, Sali Krasniqi e të tjerë, ndërmori dhjetëra aksione të suksesshme kundër bandave serbe në Komoran, në Fushticë, në Blinajë, në Carralevë dhe pika të tjera strategjike.

Më 14 qershor ka sjellë ndihma në armë dhe luftëtarë për ta zënë Grykën e Carralevës.

Në betejat e  javës së fundit të muajit korrik, Gryka e Llapushnikut, në istikamet e saj kishte sfiduesit e paepur të gjakatarëve serb. Në Grykë, në mesin e shumë luftëtarëve trima, qëndronte tërë vetëmohim, Imer Alushani, që të përkujtonte trimat e Motit të Madh, ademjasharët e përkushtuar të epokës sonë të lavdishme. “Vogëlushi” ndihej krenar, sepse e kishte mbajtur premtimin që ia kishte dhënë Adem Jasharit dhe detyrën që ia kishte shtruar vetes, për ta luftuar pushtuesin e për t\i çliruar viset e robëruara shqiptare. Në Llapushnik kishin zënë pozicione luftëtarët e elitës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe disa nga komandantët më të njohur të luftës. Atje pritej të zhvillohej beteja mes dragoit dhe kuçedrës shumë krerësh.

  Mëngjesi i ditës së  shtunë të  25 korrikut të vitit 1998

Qysh nga ora 3.00 pas mesnatës, njësi të shumta të motorizuara tankiste të armikut përhapen në rendim luftimi përball Grykës. Raketat e para tokë – tokë kishin goditur në orën 4. 45 minuta. Termopila e re e Drenicës heroike ishte goditur nga largësia. Luftëtarët e lirisë kishin zënë pozicionet. Urdhri ishte i qartë. Duhej përballuar tërë zjarri i armëve të armikut, derisa të futej në luftim këmbësoria dhe të afrohej në largësinë e rrekëz së armëve të UÇK-së. Armiku sulmoi me të gjitha llojet e armatimit të rëndë.

Vendi përreth digjej. Drenicën e kishte mbuluar tymi e zjarri. Vapa përcëlluese rëndonte tok me helmet e luftës.

Gryka legjendare e Llapushnikut nuk jepej. Imer Alushani priste topin e Açarevës. Ishte shpresa e vetme për ta goditur armikun, derisa ishte në largësi. Tetëmbëdhjetë orë luftime dhe kështjella e re e Drenicës po qëndronte e pamposhtur. Kuçedra kishte kapërthyer Drenicën dhe po përgatitej për t’i sulmuar edhe bastionet e tjera të Kosovës.

Mëngjesi i 26 korrikut

Çlirimtarët ende ndodheshin në istikamet e para, të gatshëm për ta pritur me zjarr këmbësorinë armike, e cila nuk pritej të futej në veprim pa djegur në tërësi terrenin me artileri. Ajo disa herë tentoi të sulmonte, por u zmbraps nga zjarri i çlirimtarëve. Duhej të mbulohej e të mbrohej me zjarr tërheqja e organizuar e shokëve. Imer Alushani qëndronte dhe hapte zjarr nga pika e pestë, me mitralozin e tipit Gulinov, në pritje të topit të Aqarevës, të cilin e kishin sjell ushtarët rreth orës 11 të ditës së diel. Pa vonuar, përmes batareve të artilerisë së armikut, predha e topit nga Gryka e Llapushnikut kishte goditur kampin serb. Imeri herë luftonte me mitraloz e he ë me top.

Në kohën kur Imeri po bëhej gati ta aktivizonte predhën e radhës, një granatë e armikut godet gjoksin e tij kreshnik. U godit me gjyle topi Mic Sokoli i epokës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nën breshërinë e predhave, bashkëluftëtarë e ishin tërhequr trupin e tij të përgjysmuar nga goditja. Në këtë betejë ishte qëlluar për vdekje edhe luftëtari Ali Zogaj nga Lladrovci dhe plagë të rënda kishin marrë disa  luftëtarë, si  Fetah Zogaj dhe Rizah Sh. Qeriqi, i cili e kishte humbur krahun.

Imer Alushani e kishte mbajtur premtimin. Për të gjallë të tij bandat vrastare serbe nuk depërtuan dot nëpër Grykën e Llapushnikut.

Atë ditë në altarin e atdheut ra luftëtari emblematik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u përballur me një armik të tërë.

Imeri la pas bijtë: Flamurin, Muharremin, Dardanin dhe Fidanin.

Në vendin e quajtur te Guri i Kaprollit, në Llapushnik, në nderim të veprës së tij është ngritur lapidari, ndërsa në Bushat ( ish Komoran) vepra e tij dhe e dëshmorëve të tjerë të Bushatit është përjetësuar në pllakë përkujtimore.

Kontrolloni gjithashtu

Fadil Vata - Shëmbëllim i shpirtit fisnik e i karakterit burrëror

Fadil Vata – Shëmbëllim i shpirtit fisnik e i karakterit burrëror

Fadil Vata 10.01.1962 – 25.04.1990 Po të mos kishte Kosova bij si Fadil Vata, pa …