vala – old
driloni com
vipa
Fillimi / Dëshmorët / Miftar Arif Zejnullahu (11.5.1972 – 24.12.1998)
Miftar Arif Zejnullahu (11.5.1972 – 24.12.1998)

Miftar Arif Zejnullahu (11.5.1972 – 24.12.1998)

Dëshmori i kombit Miftar Zejnullahu u lind në fshatin Përpellac të Besianës, më 11 maj 1972. Shkollën fillore e kreu në Dumnicë me sukses të shkëlqyeshëm, ndërkaq shkollimin e mëtejmë nuk e vazhdoi për shkak të kushteve të rënda ekonomike, të cilat e detyruan si edhe shumë bashkëmoshatarë të tij, të marrë rrugën e kurbetit. Ndërkohë pas përmirësimit të kushteve ekonomike familja e Miftarit u vendos në qytetin e Besianës. Miftari qëndroi dhe punoi në disa shtete perëndimore si në Gjermani, Zvicër, Itali etj. Qëndrimi larg familjes dhe atdheut e shtyn atë që edhe më shumë ta dojë atdheun, prandaj temë e përhershme e bisedës me shokët e tij ishte kthimi në atdhe për të dhënë kontributin e tyre në çlirimin e vendit nga okupatori shekullor serb. Dalja në skenë e UÇK-së Miftarin e gëzoi pa masë dhe tashmë ai mendjen e kishte si të kthehej sa më parë për t’u bashkuar radhëve të UÇK –së. Ajo ditë arriti më 9 shtator të vitit 1998, kur Miftari u kthye nga Italia dhe menjëherë iu bashkua radhëve të UÇK-së në ZOLL. Ai u sistemua në Brigadën 152 “Shaban Shala”. Ishte pjesëmarrës i betejës së njohur si “Beteja e Kaqanollit”,që u zhvillua më 15,16 dhe 17 shtator 1998.
Hordhitë serbe më 15 shtator 1998 ia mësynë të depërtojnë në Shalë të Bajgorës nëpër fshatin Gegaj (ish – Dobratin) mirëpo në Rrafshnaltën mbi Gegaj apo siç e quajnë në Qafën e Kaçanollit ishin të pozicionuar luftëtarët e lirisë. Forca të shumta serbe për tri ditë me radhë me 15,16 dhe 17 shtator 1998, me një arsenal të madh të armatimit sulmuan pozicionet e UÇK-së në Qafën e Kaçanollit, aty ku bashkohet Llapi me Shalën. Beteja e Kaçanollit, ishte një nga fitoret më të spikatura të UÇK-së jo vetëm në planin ushtarak, por edhe në atë moral. Kjo fitore e UÇK-së erdhi në një moment shumë të rëndësishëm dhe nga fitorja apo humbja e kësaj beteje varej shumë fati i luftës së mëtejshme të UÇK-së.
Edhe kjo betejë, si shumë beteja të tjera gjatë historisë, dëshmoi se morali i lartë i luftëtarëve dhe dëshira e madhe e popullit për liri, është më e fortë se çdo armë e armikut. Në këtë betejë u bënë bashkë dija ushtarake, sakrifica dhe heroizmi i luftëtarëve trima të Llapit, të cilët i dhanë UÇK-së një fitore të rëndësishme. Në mesin e luftëtarëve trima të UÇK-së ishte edhe dëshmori i kombit Miftar Zejnullahu. Pas kësaj beteje Miftari u dërgua në fronte të tjera lufte, si në Popovë, Kastrat etj.
Në të gjitha betejat, Miftari tregoi guxim dhe trimëri të rrallë. Ai ishte i afërt dhe komunikativ me të gjithë luftëtarët e lirisë. Po ashtu me një disiplinë si i kishte hije një luftëtari të lirisë i kryente të gjitha punët dhe detyrat që ja ngarkonte komanda e brigadës dhe shtabit të UÇK-së.
Tashmë Miftari ishte në njësitin që vepronte në fshatin Kastrat i vendosur afër Tabeve të Llapashticës, ku më pas u zhvillua njëra nga betejat më të ashpra të kësaj zone ushtarake, nga 24 deri më 28 dhjetor 1998, e njohur si Beteja e Tabeve të Llapashticës. Në realitet beteja u zhvillua në një territor më të gjerë, duke filluar nga Vendenisi (Gllamniku) e deri në Kastrat (Obrançë). Ishte kohë dimri me borë e acar. Forca të shumta ushtarake, policore e paramilitare serbe me pajisje moderne ushtarake, nga drejtime të ndryshme të vendqëndrimeve të tyre, lëvizin drejt pozicioneve të UÇK-së. Moti që mbretëronte ishte edhe një pengesë shtesë për ushtarët e UÇK-së, të cilët me orë të tëra qëndronin në pozicionet e tyre të mbushura me ujë e akull që vështirësonte lëvizjen e tyre. Pavarësisht kësaj rrethane, luftëtarët e lirisë ishin në gatishmëri të lartë ushtarake.
Në këtë betejë UÇK -ja iu kundërvu armikut me pjesëtarët e brigadave 151 dhe 152 dhe me njësinë speciale të zonës e me baterinë e topave pa dridhje 76 mm.
Më 24 dhjetor rreth orës 7 filloi beteja me sulmet e forcave serbe nga tri drejtime, Tabet e Llapashticës, Kastrat (Obrançë) dhe Vendenis (Gllamnik). Forcat serbe kishin planifikuar që me sulme të rrufeshme të depërtonin në Tabe të Llapashticës, e pastaj të marshojnë drejt shtabit ushtarak të zonës operative në fshatin Llapashticë e Epërme.
Për seriozitetin e betejës ndërmjet UÇK-së dhe ushtrisë pushtuese serbe, flet edhe prania në vendin e betejës e z. Viliam Voker, atëbotë përfaqësues i OSBE-së në Kosovë, një ditë më pas, e cila prani qe komentuar si ndërhyrje e ndërkombëtarëve për të ulur tensionet midis palëve ndërluftuese. Nga Beteja e Tabeve të Llapashticës luftëtarët e UÇK-së me heroizmin e tyre shpërndanë anekënd botës mesazhin domethënës se do të luftohet deri në ushtarin e fundit për lirinë e këtij vendi.
Në luftimet te Tabet e Llapashticës, më 24 dhjetor 1998 Miftari ra në fushëbetejë, bashkë me komandantin e njësitit, Ismet Dërgutin dhe bashkëluftëtarët Lulëzim Jashari dhe Skënder Zejnullahu. Ai u varros në Besianë më 31 dhjetor 1998, ku i është ngritur lapidari i përjetësisë. Emri dhe fotoja e tij janë skalitur edhe në lapidarin në fshatin Kastrat dhe në lapidarin te Tabet e Llapashticës. Pas vetes, dëshmori ka lënë gruan Ganimetën me fëmijët, Edonën, Mërgimin dhe Miftarin e ri, i cili lindi 6 muaj pas rënies së të tij dhe të cilin e pagëzoi gjyshi, Arifi. Pas luftës familja e dëshmorit është nderuar me mirënjohje nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga SHP i UÇK-së, po ashtu nga SHP i UÇK-së të ZOLL-it, nga shoqatat e luftë së UÇK-së etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Armend Selim Daci (20.4.1976 – 21.4.1996)

Armend Selim Daci (20.4.1976 – 21.4.1996)

Armend Daci u lind më 20 prill të vitit 1976, në Deçan, në një familje ...