mbpzhr
muqa 900
vipa
Fillimi / Dëshmorët / Skënder Mehmet Latifi (23.4.1970 – 11.3.1999)
Skënder Mehmet Latifi (23.4.1970 – 11.3.1999)

Skënder Mehmet Latifi (23.4.1970 – 11.3.1999)

Dhuna serbe që ushtrohej mbi popullatën shqiptare të Kosovës veçanërisht pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1989, varfëria e madhe në të cilën u katandis ky popull pas hendikepit të ekonomisë, të arsimit dhe të shëndetësisë së Kosovës, nga njëra anë, e maltretimi i shqiptarëve që refuzonin për të shkuar në ish-armatën jugosllave nga ana tjetër, e detyruan një pjesë të madhe të rinisë shqiptare që t’u shmanget ndjekjeve policore dhe në këto përpjekje merrte rrugën e mërgimit. Kjo rini, edhe pse e dërmuar nga bredhjet e përhershmme nëpër rrugët e Evropës e të Amerikës, e lënduar në shpirt nga malli për Kosovën e lagur me lotë, asnjëherë nuk ra në apati, në nihilizëm e në defetizëm. Të gjithë të rinjtë bënin jetë kurbetçarësh dhe ëndërronin për një të ardhme më të mbarë, për një jetesë më të lumtur e për një Kosovë të çliruar prej thundrave barbare serboçetnike e për një Shqipëri të bashkuar, ëndërronin edhe për formimin e një ushtrie e cila do të jetë çlirimtare dhe kishte për ta shkundur barrën shekullore dhe turpin e kultivuar duke u ushqyer me psikologjinë e robit. E të këtillët nuk ishin pak në numër; punëtorë krahu, studentë, intelektualë dhe ushtarakë të gatshëm për t’u sakrifikuar për atdheun dhe gjuhën e të parëve, në mërgim mblidheshin dhe organizoheshin rreth Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës, rreth Fehmi Lladrovcit, Xhevë Krasniqit, Hysen Tërpezës e rreth shumë patriotëve të ndjekur nga Sigurimi i Brendshëm Serb, këtu në Kosovë e atje në kurbet. Mirëpo, në Kosovën e pasvitit 1989 ose pas shpalljes së “Kushtetutës së Gazimestanit”, jo vetëm se dita nuk i ngjante më ditës, por as ora më nuk i ngjante orës. Përditë e më tepër kishte ndryshime të mëdha në skenën historike. Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të dëgjuar këngën dhe krismat e Jasharëve e të Haradinajve, kurbetçarët me vetëdijen e kultivuar gjatë decenieve, sipas të cilës Ata i duheshin Kosovës, braktisnin kurbetin, mërgimin dhe Perëndimin, të gjithë si një, i kthehen Kosovës martire, këngët e së cilës merrnin karakterin mobilizues e kushtrimtar. Për t’u radhitur në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e për ta vazhduar rrugën e Adem Jasharit, kthehen: Abedin Rexha-Sandokani, Bekim Berisha-Abeja, Mehedin Morina, Bedri Shala, Xhelal Hajda, Bejtë Rexhepi, Pal Paluca, Fehmi Lladrovci, Milaim Krasniqi, Hysen Rexhepi dhe shumë të rinjtë e tjerë, ndërsa në mesin e tyre prej Zvicre kthehet edhe trimi anadrinas Skënder Mehmet Latifi i Piranës së Anadrinit, i përjetësuar më 11 mars të vitit 1999 në Betejën e Jeshkovës.
Dëshmori i kombit Skënder Latifi është i lindur më 23 prill të vitit 1970 në fshatin Piranë të Anadrinit të Prizrenit. I ati Mehmet Latifi, një bujk i varfër, i martuar me Shyhretin, bijë e Berishëve të Landavicës, kishte 3 fëmijë; Skënderin, Zenelin dhe Nexhmijën. Familja Latifi e Piranës përherë ishte në shënjestër të okupatorit pasi që trajtohej si e pabindshme, partizanët ia vrasin Latifin, në mjedis të fshatit Piranë për t’i frikësuar të tjerët, por në të njëjtën ditë, Nexhipi nxjerr gjakun e Latifit duke vrarë një oficer, jo larg xhamisë së fshatit Piranë dhe kështu familja ndiqej e persekutohej si “Familje anmiqësore” prandaj edhe Latifajt e kishin vështirë të mëkëmbeshin në kohën e sundimit sllavokomunist, të ndjekur prej serbëve por edhe prej argatëve shqipfolës. Shkollën fillore, edhe pse në kushte shumë të vështira, Skënderi e mbaroi në vendlindje ndërsa të mesmen në Teknikumin “Gani Qafdërbasha” të Prizrenit në të cilin u aftësua për tornitor. Tashmë, në shkollën e mesme të Prizrenit, përveç profesor Ukshin Hotit të cilin e kishte parë, njohur dhe dëgjuar në Krushë të Madhe, njohu edhe profesor Xhemali Berishën, njërin prej intelektualëve të shquar të Anadrinit që me kohë e pati mbështetur profesor Ukshin Hotin. Si nxënës i shkollës së mesme teknike, Skënder Latifi aktivizohet në Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme të cilin veprimtari i Anadrinit Smajl Latifaj e konstituoi në fshatin Hoçë e Vogël të Rahavecit, prandaj edhe Skënderi që në moshën e hershme rinore u sistemua në veprimtaritë e grupeve ilegale të Krushës së Madhe, të Krushës së Vogël, të Piranës, të Qëndresës, të Drinasit dhe të Drenajt. Merr pjesë aktive në të gjitha organizimet e manifestimeve të revoltës kundër sistemit të dhunës që u instalua me makinerinë policore serbe, veçanërisht pas vitit 1989. Në janar të vitit 1990 Skënderi gjendet në “Lakun e Dëshmorëve” të Lugut të Brestosit, pranë Agron Fetahut, Nasimi Elshanit, Halim Gashit e Hilmi Krasniqit, dëshmorëve të parë të Anadrinit, prandaj edhe bjen në duart e policisë serbe, e cila e rrahu deri në alivanosje. Grupet ilegale të Anadrinit, pas kësaj ngjarjeje të madhe e të rëndësishme për formimin e instrumentit të forcës u bënë edhe më aktive, madje aktivitetin e zhvillonin para hundëve të policisë serboçetnike. Gjatë veprimit policia u bjen në gjurmë dhe Skënderi më 1993 detyrohet që ta braktisë Piranën dhe Kosovën, të marrë rrugën e kurbetit dhe vendoset në Slloveni ku qëndron deri në vitin 1996 dhe pastaj kalon në Zvicër. Atje sistemohet në radhën e mërgimtarëve që merreshin me organizimin e rezistencës së armatosur, me rekrutimin e rinisë shqiptare që dëshironte të kthehej në Kosovë dhe me vjeljen e mjeteve të fondit “Atdheu në rrezik – Vendlindja thërret”, prandaj në fund të dhejtorit të vitit 1997 kthehet në Kosovë. Më 26 prill të vitit 1998, kur kërcet pushka e parë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës te “Përroni i Keq”, ndërmjet Krushës së Vogël dhe Piranës, grupi i veprimtarëve të fshatit Piranë merr detyra serioze. Në krye të grupit vëhen djelmoshat: Zenel, Ali, Skënder e Xhavit Elshani, Baki Latifi, Skënder Elshani, Tasim e Binak Bajrami dhe kështu fillon jeta e Togut të Piranës, fshat ky nëpër të cilin kalon magjistralja Prizren-Gjakovë, dhe në javën e tretë të majit, Togu i Piranës përgatitet për ta dërguar një grup që të armatoset dhe kështu policisë serbe t’i prishet siguria dhe liria e qarkullimit nëpër aksin rrugor Prizren-Gjakovë, ku veçanërisht vepronte “Treshi i Zi”, famkeq e i njohur në fshatrat e Anadrinit: Jugi, Shole dhe Sula. Në krye të Togut të Piranës vendoset Tasim Bajrami e për ndihmës ka Zenel Elshanin dhe të gjithë veprojnë në një shtab lokal të vendosur shtëpinë e Skënder Latifit, në pjesën veriore të fshatit Piranë. Në këtë tog vepronin: Tasim, Binak e Ruzhdi Bajrami, Zenel, Skënder, Ali Elshani, Zenel e Baki Latifi dhe Dalip Dalipi, mirëpo interesimi për mobilizim ishte shumë i madh, veçanërisht në saje të kontakteve me Përparim Thaçin e Xhavit Elshanin që gjendeshin në Shtabin Operativ Rajonal të Anadrinit në Drenaj të Zatriqit. Pas përfundimit të stërvitjeve, më 12 korrik të vitit 1998, luftëtari i lirisë Skënder Latifi niset për armatim dhe falë njohjes së mirë të korridorit logjistik të Hasit, ky grup kthet me sukses. Përveç pjesëmarrjes në tërheqjen e shokëve të aksionit në aksin e magjistrales Prizren-Gjakovë, betejës së Bardhatinit, të Gardhishtit, të Drinasit, të Kromnikut, të Apterrushit dhe të Retisë mori pjesë edhe në shumë operacioneve anembanë Anadrinit, por më 22 shtator të vitit 1998, Xhelal Hajda-Toni e Selajdin Mullabazi, sipas instruksioneve të Bislim Zyrapit, shef operativ i Shtabit të Përgjitshëm, fillojnë riorganizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut, prandaj pas depërtimit nëpër fshatrat: Kushnin, Romajë, Rogovë, Piranë, Krushë të Vogël, Krushë e Madhe, Nagac e Hoçë të Vogël, vendosen në fshatin Reti të Anadrinit. Në këtë fshat arrin edhe Skënder Latifi së bashku me djelmoshat e Piranës dhe me djelmoshat e Njësitit Special për Intervenimet e Shpejta komanduar nga eprori Nehat Basha dhe kështu, në Reti zuri të riorganizohet edhe Brigada 125 e Prizrenit krahas brigadave 123 e 124 nga Theranda dhe Rahaveci. Njësiti për Intervenime të Shpejta pretendonte për ta zhvilluar Brigadën 125 të Prizrenit duke e riorganizuar për ta shtrirë kah Vërrini; ta vendosë në lugjet dhe prozhmet e Jeshkovës duke e zhvilluar kah Luma, Hasi dhe Opoja. Dimri i vrazhdë i Retisë për Brigadën 125 dhe për njësitin e komandant Hysen Rexhepit kaloi me stërvitje më të shpejtuara deri më 10 mars të vitit 1999, ku u stërvitën edhe Feim, Naim e Urim Shala, Xhelal Bytyçi, Agron, Zaim, Xhavit e Elshani, Latif Bajrami, Destan Dajçi dhe Muhamet e Hamdi Latifi. Kështu, ky njësit braktis Anadrinin dhe Retinë duke shfrytëzuar drejtimin Reti-Qëndresë-Piranë-Tupec-Atmagjë-Nashec e Kobaj. Nën komandën e Hysen Rexhepit, njësiti pretendon ta marrë Jeshkovën, ta vendosë Shtabin e Brigadës 125 dhe ta jetësojë konceptin e komandant Remzi Ademajt i njohur si Petrit Kodra dhe kështu më 11 mars të vitit 1990 fillon Beteja e Jeshkovës, në të cilën marrin përjetësinë: Alajdin Xhezairi, Bashkim Suka, Besnik Kastrati, Hajdar Shala, Hamit Thaçi, Feriz Susuri, Skënder Latifi, Tahir Gashi, Ymridin Çengaj e në krye të Njësitit ra edhe komandanti Hysen Rexhepi. Në luftimet e Jeshkovës, atë ditë e sot, u zhdukën dhe nuk dihet gjë për Ymer, Nuridin, Hilmi e Shemsidin Shalën, Shehadin e Musli Gashin, Rexhep Budurin, Faik Begajn e Musli Avdajn, por edhe për shumë banorë të Jeshkovës, ndërsa dëshmitarë të kësaj ofensive mbeten: Baki Latifi, Ruzhdi Bajrami e Xhelal Bytyçi.
Atë ditë, më 11 mars të vitit 1999, Jeshkovën legjendare e mbuluan dhe e rrethuan hordhitë e egra barbare, ushtarake, paramilitare dhe policore serbe. Mbi pozicionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u hodhën predha, xhyle e breshëri plumbash të çdo kalibri. Në këtë fshat zhvillohet njëra prej betejave më të vrazhda. Sulmoi këmbësoria serbe e shfrenuar dhe e çmendur që lënte përshtypje të një bande ordinerësh për të bërë masakra mbi popullatën civile. Beteja zhvillohet në afërsi “fyt për fyti”, por luftëtarët e lirisë, të prirë nga Hysen Rexhepi dhe Samedin Xhezairi, i njohur si komandant “Hoxha”, bëjnë rezistencë dhe kalojnë në ofenssivë të pashoqe duke u përballur me sulmet e hordhive të egërsuara e të dehura serbo-çetnike kur përjetësohet edhe Skënder Mehmet Latifi.
Përcjellja e fundit për “Dëshmorët e Jeshkovës” bëhet më 17 mars në “Varrezat e Pagarushës”. Kështu, atë ditë të mërkurë, në një lëndinë bri xhamisë së fshatit Pagarushë mbuluar me dëborën e pragut të pranverës, bash si pranverat e djemoshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej Prizreni arrin kortezhi që do të marrë pjesë në përcjelljen e fundit, e cila nëpër terr iu bë të gjithë dëshmorëve të rënë në Betejën e Jeshkovës. Kështu, bijtë më të mirë të këtij kombi pushuan në prozhmet e Pagarushës deri më 15 tetor të vitit 1999, kur me përcjellje u sollën e u vendosën me nderime të larta ushtarake në “Kopshtin e Dëshmorëve”, në Landavicë dhe sot prehen pranë komandantëve të tyre.
Skënder Latifi, babë i Florentinës, i Dibranës, i Mërgimit dhe i Afrores, e bashkëshort-hero i zonjës Hafife prej Krushës së Madhe, përherë i ndjekur dhe i persekutuar me tërë familjen ishte shumë i vendosur, kishte një karakter të fortë, ishte i kalitur mirë në valët e jetës gjatë fëmijërisë në Piranë, gjatë rinisë në Prizren dhe në kurbet, si në Slloveni ashtu edhe në Zvicër, prandaj edhe mbetet krenari e Kosovës, madhështi e Ushtrisë Çlirimtare të Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Sot mbi lapidarët e mermerit në Jeshkovë dhe në Landavicë, gjatë tubimeve përkujtimore vargjet e bukura për t’anë dëshmor recitojnë Afrorja dhe Mërgimi, bonjake që po rriten në prehrin e ngrohtë të gjyshes Shyhrete e të nënës Hafife, të cilat shikojnë gomuret e varrezave herë në Landavicë ku i ka të vrarët nëna Shyhrete, e herë kah Krusha e Madhe, ku i prehen familjarët Ramadani nga Krusha e Madhe, të afërmit e Hafifës. Me shkrime, dëshmorin e kombit Skënder Latifi e përkujtoi deri tash profesor Bajram Kurti, ndërsa këngë për këtë dëshmor këndojnë rapsodët: Zenel Zekolli, Luan Krasniqi e Hamëz Llapçeva dhe në Arbanë të Prizrenit rruga në të cilën kishte kaluar rininë dëshmori Bekim Thaçi, sot mban emrin e dëshmorit Skënder Latifi nga Pirana e Anadrinit. (S. C.)