Skënder Nezir Qarri (24.5.1975 - 15.1.1999)

Skënder Nezir Qarri (24.5.1975 – 15.1.1999)

Familja Qarri e fshatit Graiçec, krahas komandantit emblematik Jetullah Qarri, i njohur gjatë luftës si komandant “Guri”, luftës së Ushtrisë Çlirimtare dhe çlirimit të Kosovës i ka dhënë dëshmorë dhe luftëtarë të shquar.

Nezir dhe Naxhije Qarri nga Graiçeci lindën e rriten pesë bijë e shtatë bija: Naserin, Skënderin, Enverin, Ekremin, Halitin, Zykën, Amiren, Zelfinë, Nailen, Ramizen, Fatmiren dhe Zejninë.

Skënderi u lind më 24 maj të vitit 1975, në fshatin Graiçec. Ndërkohë familja e Nezir Qarrit, shpërngulet në Shtime, ku Skënderi kryen mësimet në shkollën “Emin Duraku” të këtij qyteti. Shkollën e mesme teknike, e mbaroi në Ferizaj.

Edhe pse i ri, ai merr pjesë në organizimin e protestave dhe revoltave kundër regjimit okupator serb, i cili kishte dëbuar nga puna të gjithë shqiptarët liridashës, kishte mbyllur shkollat dhe entet mësimore, të cilat nuk pranonin të punonin me plan-programe të Serbisë, duke ushtruar presion sistematik kundër popullatës shqiptare liridashëse të Kosovës.

Skënderi i ri, i rritur nën dhunën dhe presionin e forcave serbe, kishte kuptuar me kohë se e vetmja rrugë për çlirimin e vendit nga forcat gjakatare okupatore ishte lufta e armatosur. Për shkak të pjesëmarrës në aktivitete kundër regjimit, policia e Shtimes e arreston Skënderin. Polici famëkeq serb, Bozhidar Marinkoviq e maltreton brutalisht. Asokohe, policët serbë vrasin në Gjilan, Adrian Qarrin 16-vjeçar, kushëririn e Skënderit, i cili kishte shkuar për të shitur cigare, me qëllim për të ndihmuar familjen e varfër.

Dalja publike e UÇK-së, më 28 nëntor të vitit 1997, kishte ndezur zjarrin djaloshar në zemrën dhe tërë qenien e Skënderit dhe të mijëra liridashësve të Kosovës. Ishte hequr përfundimisht dilema se kishte apo nuk kishte Ushtri Çlirimtare, se “ishte dorë e zgjatur e regjimit serb”, apo ishin bijtë më të mirë e më të përkushtuar të lirisë, të cilët i kishin dalë zot atdheut.

Në verë të vitit 1998, Skënder Qarri së bashku me Fadil Ademajn dhe Idriz Nezirin depërtojnë në pikën ushtarake të Jezercit. Atje takojnë komandant Ymri Ilazin, i quajtur komandant “Ferri”.

Atje takon edhe vëllanë, Naserin i cili qysh në fillim të luftës iu kishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me rastin e pranimit në radhët e UÇK-së, Skënderi ishte tërë shend e ngazëllim. Ai tashmë kishte realizuar ëndrrën e tij të kamotshme, ishte bërë luftëtar lirie dhe qe sistemuar në kodrat dhe malet e vendlindjes së tij të dashur.

Stërvitjet ushtarake, Skënder Qarri i ka kryer në pikën e Jezercit. Fillimisht ka vepruar edhe në logjistikën e Zonës së Neredimes. Një kontribut të veçantë në logjistikën e kësaj zone e ka dhënë edhe babai I Skënderit, Nezir Selim Qarri, i cili sa e sa herë kishte depërtuar me sukses nga fshatrat e Rrafshit në Jezerc, duke dërguar karburante dhe ndihma të tjera për ushtarët dhe popullatën civile, e cila gjallonte në territoret që i kontrollonte UÇK-ja.

Me rastin e strukturimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Skënder Çarri sistemohet në Brigadën “161” të Zonës Operative të Neredimes, në vijën e frontit në fshatrat: Mollapolc e Dremjak.

Në ofensivën serbe të verës, prej 25 deri më 28 shtator të vitit 1998 kundër luftëtarëve të Zonës Operative të Neredimes, Skënder Qarri ka marrë pjesë aktive në luftimet që zhvilloheshin ballë për ballë forcave okupuese, të cilat godasin pozicionet e UÇK-së nga “Gështenjat” e Shtimes, nga Neredimja dhe nga postblloqe të tjera. Gjatë ofensivës kanë rënë 9 dëshmorë në mesin e tyre edhe vëllezërit Bajram dhe Gyrsel Sylejmani. Asokohe, xha Neziri me krejt anëtarët e familjes kishte depërtuar në zonën e Jezercit.

Pas ofensivës Skënder Qarri sistemohet në njësitin e Reçakut, ku edhe angazhohet në fortifikimin e pikave të rezistencës. Më 14 dhjetor të vitit 1998, bie në Gorozhup të Hasit, Besim Sylejman Qarri, në mesin e 35 dëshmorëve të UÇK-së, në ballë me komandant Mujë Krasniqin.

Më 15 janar 1999, qindra forca serbe, militare e paramilitare kishin vënë nën rrethim Reçakun. Sulmi kishte filluar ende pa zbardhur mirë, ndërsa forcat policore dhe ushtarake serbe, kishin goditur fshatin dhe pozicionet e UÇK-së me breshëri të të gjitha armëve të artilerisë së rëndë.

Me rastin e fillimit të sulmit të forcave serbe kundër Reçakut, Skënderi me disa bashkëluftëtarë kishte shkuar në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së. Në çastin kur po mundohej t’ i jepte ndihmë bashkëluftëtarit të tij të plagosur rëndë, Afet Bilalli, një snajperit serb e godet nga largësia.

Ndërkohë bashkëluftëtarët e tjerë arrijnë ta tërheqin trupin e dëshmorit. Më 18 dhe 19 janar 1999, ishin zhvilluar luftime të rrepta në mbrojtje të kufomave të Masakrës së Reçakut. Në ballë të frontit të luftës kishte rënë trimërisht komandanti i Brigadës 161, Ahmet Kaçiku dhe luftëtari Vezir Jashari. Atë natë, bashkëluftëtarët, trupin e Skënderit dhe të dëshmorëve të tjerë i varrosin në Varrezat e dëshmorëve në fshatin Mollapolc.

Në mbrojtje të popullatës civile në Reçak dhe në mbrojtje të kufomave të të masakruarve, prej 15 deri më 19 janar 1999, kanë rënë dëshmorë: Ahmet Kaçiku, Ali Beqa, Skënder Qarri, Ismail Luma, Mehmet Mustafa, Shaqir Berisha, Kadri Syla, Nazim Kokollari, Vezir Jashari, Enver Rashiti, Sadik Mujota, Lutfi Bilalli, Sadik Osmani, Nexhat Ramadani dhe Ragip Bajrami.

Luftës për çlirimin e Kosovës iu kishin bashkuar edhe vëllezërit e dëshmorit, Skënder Qarri, ndërsa vëllai, Enveri, kishte bërë përpjekje të largonte familjen dhe fillimisht qe vendosur në një fshat të Vitisë.

Policia serbe kishte informata se vëllezërit e tij po luftonin në radhët e UÇK-së. Ata e arrestojnë Enverin dhe e torturojnë mizorisht. Në rrethana të caktuara, pasi miku i tij i kishte dhënë policisë një sasi të madhe parash, Enveri arrin të lirohet dhe me familjen e tij depërton në Maqedoni.

Pas rënies dëshmor të Skënderit, babai Neziri, kishte vendosur që rejat, nipat dhe mbesat nga fshati Godanc afër Shtimes, ku kishin qëndruar deri atëherë, të depërtonin në zonat që i kontrollonte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Duke qenë se shumë pikëkalime në aksin rrugor Shtime Carralevë ishin minuar nga serbët, xha Neziri së bashku me Alush Arifin nga Belinci, arrijnë të deminojnë disa pika të minuara të terrenit.

Ata nxjerrin, nga toka, në vende të caktuar shtatë mina, të cilat edhe ua dërgojnë ushtarëve në Rancë. Në ecejaket e deminuara po atë natë, Nezir Selimi babai i dëshmorit, Skënder Qarri, arrin të depërtojë me 12 anëtarë të familjes nga Godanci në Rancë e pastaj në Jezerc, ku ka qëndruar deri në fund të luftës.

Forcat policore serbe kishin depërtuar në shtëpitë e dëshmorit Skënder Qarri në Shtime, dhe pasi i kishin plaçkitur shtëpitë, ua kishin dhënë zjarrin. Edhe shtatë vjet pas luftës, xha Neziri vëren me keqardhje shtëpitë e djegura, të cilat ende nuk i ka rindërtuar, sepse nuk e ka ndihmuar askush, as organizatat humanitare, por as strukturat qeverisëse vendore. Ai, tok me nipat dhe mbesat e djalit dëshmorë dhe bijve luftëtarë, jeton në shtëpinë e fqinjit, duke pritur ndonjë përkujdesje meritore për gjakun e derdhur dhe kontributin që kanë dhënë bijtë e ai vetë për çlirimin e Kosovës.

Skënder Qarri ka qenë i martuar me Miradie Jasharin nga fshati Jezerc. Ai ka lënë pas bashkëshorten, dy bijat: Blerinën e Naxhijen, si dhe dy bijtë: Shqipërimin dhe Skënderin, i cili lindi pas rënies dëshmor të babait dhe e pagëzuan me emrin e të atit.

Familja Qarri ka marrë mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, nga Zona Operative e Neredimes, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve dhe nga Kuvendi Komunal i Shtimes. Për jetën dhe veprën e dëshmorit është shkruar në monografinë “Masakra e Reçakut-krim kundër njerëzimit”. (A,Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Arsim Nazmi Muzaqi (13.11.1978 – 26.4.1999)

Në familjen Muzaqi, në Vushtrri, më 13 nëntor të vitit 1978 u lind, Arsim Muzaqi. …