( 1. 9. 2007) KADRI REXHA: SULMI KUNDËR AKADEMIKUT REXHEP QOSJA ËSHTË AKT I DËNUESHËM DHE FAJ I PAFALSHËM

 


Me hidhërim të thellë u bashkohem forcave përparimtare shqiptare, të cilat, me të drejtë, e dënojnë sulmin e rëndë që Akademikut Rexhep Qosja iu bë më 29. 8. 2007 nga Ministria e Arsimit të Kosovës.
Sulmi kundër Akademikut Rexhep Qosja është sulm vandal kundër kritikut të shquar letrar, kundër eseistit erudit, kundër estetit të gjithanshëm, kundër historianit të papërsëritshëm të letërsisë shqipe, kundër romansierit modern, kundër dramaturgut klasik, kundër publicistit militant, kundër polemistit të pa kompromis, kundër filozofit të madh dhe kundër pedagogut kombëtar. Thënë troç: sulmi kundër Akademik Qoses është sulm vandalist kundër vlerave të mirëfillta shkencore, kulturore, politike dhe shpirtërore të kombit shqiptar.
Sulmi kundër Akademikut Rexhep Qosja është sulm antikombëtar i drejtuar kundër plejadës së intelektualëve dhe veprimtarëve më të guximshëm të gjysmës së dytë të shekullit të njëzet, të cilët me përpjekje të jashtëzakonshme dhe me qëndresë e flijime mbinjerëzore u vunë në ballë të popullit, si vullnet dhe si udhërrëfyes të devotshëm kundër makinerisë vrastare të shtetit serb.
Sulmi kundër Akademikut Rexhep Qosja është sulm inkuizicional kundër njeriut dhe personalitetit të madh të rritur dhe të edukuar në frymën e Rilindësve tanë atdhetarë. Kulti i gjuhës, kulti i lashtësisë ilirike, kulti i Skënderbeut dhe i motit të madh, kulti i bashkimit të shqiptarëve në një shtet, kulti i traditave të lashta shqiptare, kulti i frymës së filozofisë përparimtare evropiane dhe kulti i ardhmërisë së shqiptarëve të bashkuar ishin dhe janë alfa dhe omega e jetës dhe veprës së Qoses. Dhe, mbi të gjitha, ideali i Rilindësve: feja e shqiptarit është shqiptaria, është peri i kuq që e përshkon mbarë veprën e tij.
Sulmi kundër Akademikut Rexhep Qosja është sulm primitiv kundër intelektualit të shquar, i cili me punën e tij krijuese dhe organizative në jetën tonë shkencore, letrare, kulturore dhe politike ka lënë gjurmë si asnjë personalitet shqiptar deri më sot.
Qosja është Promethe i kohës sonë.
Ai kurrë nuk u shit vetë e as e shiti artin e tij. Ai ishte i papërdorshëm edhe nga pushteti gjakatar serb, por edhe nga klanet e ndryshme të interesit brenda botës shqiptare.
Duke sfiduar vullnetin e perëndive të errëta tokësore Qosja mbeti i pathyeshëm, stoik, i pa marrë vesh dhe i papërmirësueshëm deri në fund: i ngjashëm me Sokratin, filozofin antik.
Sulmi kundër Akademikut Rexhep Qosja është sulm i ultë kundër intelektualit dhe krijuesit, i cili përafërsisht një gjysmë shekulli qe ndërgjegjja, thirrja e kohës, mbrojta dhe zëri më i artikuluar i popullit të vet në krizat dhe në lëvizjet më të mëdha. Qosja në momentet më të rënda të popullit të vet ishte gjedhe për intelektualët, ishte personaliteti më me ndikim, ishte shembull guximi dhe shembull sakrifice dhe frymëzim për rininë dhe për mbarë kombin shqiptar. Dhe, kjo nuk ishte rastësi e as bekim që i erdhi nga fuqitë mbinatyrore. Ai, me vetëdije të plotë, ishte farkëtues i fatit të vet brenda kohës dhe hapësirës ku u rrit. Fjalën e dhënë dhe betimin e hershëm të bërë në altarin e punës së tij krijuese se “për lirinë, për të drejtën dhe të vërtetën lë kokën”, Qosja e mbajti testament të patjetërsueshëm, ikonë të shenjtë dhe flamur të papërlyer në të gjitha betejat dhe në të gjitha baticat dhe zbaticat e tij dhe të popullit të tij.
Prandaj, sulmi i turpshëm i Ministrisë së Arsimit të Kosovës kundër Akademikut Rexhep Qosja do të mbetët për jetë jetëve vulë turpi në ballin e klanit kolaboracionist, në ballin e bijve bastardë dhe plëngprishës, miop dhe impotent në planet e tyre krijuese dhe vepruese.
Sulmi i turpshëm kundër Akademikut Rexhep Qosja për forcat përparimtare shqiptare përherë do të mbetet akt i dënueshëm dhe faj i pafalshëm.
Po shihet qartë: duhet të bie shi i vazhdueshëm edhe një shekull për të pastruar ajrin dhe tokën e Kosovës nga ndotësia që la prapa Serbia.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Gashi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, kritikon pengesat në funksionin mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka akuzuar shumicën parlamentare për pamundësimin e …