( 16. 12. 2007) Sheradin BERISHA: PAVARËSIA E KOSOVËS AS QË MUND TË IMAGJINOHET ME REZOLUTËN 1244

 


Në një dokument sekret të përpiluar nga ekspertë juridik të BE-së, që tashmë po qarkullon nëpër duar të zyrtarëve të Brukselit, konstatohet se “Rezoluta 1244 do të mbetet në fuqi edhe pas shpalljes së pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës”, sepse sipas interpretimit të tyre “ 1244 nuk e parandalon shpalljen e pavarësisë së Kosovës”(!)
Se çfarë pengesash ka paraqitur rezoluta 1244 në aspektin e funksionimit të “institucioneve të Kosovës”, kjo tashmë dihet nga të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe nga faktorët relevant ndërkombëtarë. Për këto tetë vjet e ca të administrimit nga UNMIK-u, në të vërtet të sundimit të tmerrshëm në të gjitha sferat e jetës nga kjo ngrehinë tutorësh të KS të OKB-së, në Kosovë janë bërë shumë eksperimente politike, ekonomike e të tjera, ndërsa “institucionet e Kosovës” edhe pse kishin dalur nga zgjedhjet “verdikti i popullit”, në kontinuitet do të demonstrojnë vullnetin dhe gadishmërinë për t´i shërbyer interesave gjeopolitike – strategjike të faktorëve të ndryshëm jashtë Kosovës, se sa vetë qytetarëve të Kosovës!
Pse ka ndodhur kjo?!
Kjo ka ndodhur, sepse vetë sistemi i administrimit në Kosovë i ndërtuarr mbi bazën e rezolutës 1244, prej ku kanë gjeneruar pastaj “korniza kushtetuese”, qindra rregullore e “urdhërash ekzekutiv” etj., kanë bërë që gjithë superstruktura pushtetore në Kosovë (vendore dhe ajo ndërkombëtare) të përqëndrohet tek sovrani UNMIK!
Prandaj, kur kihen parasysh këto fakte, është i çuditshëm, vërtet shumë i çuditshëm interpretimi i ekspertëve ligjor të BE-së, se rezoluta 1244 nuk e parandaloka shpalljen e pavarësisë së Kosovës (!)
Sa për ilustrim, po i referohem kësaj rezolute.
Në pikën 10 të rezolutës 1244 tekstualisht thuhet: ” Të autorizojë Sekretarin e Përgjithshëm që me ndihmën e organizatave përkatëse ndërkombëtare të vendosë një prani ndërkombëtare civile në Kosovë për të siguruar një administrim të përkohshëm për Kosovën nën të cilin populli i Kosovës të mund të gëzojë një autonomi substanciale brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, prani që do të sigurojë një administrim kalimtar ndërkohë që edhe do të themelojë institucionet e përkohshme demokratike vetëqeverisëse si dhe do të mbikëqyrë zhvillimin e tyre për të krijuar kushtet për një jetë paqësore e normale për të gjithë banorët e Kosovës;”

Pastaj “Aneksi I” i rezolutës 1244 – parimi i gjashtë i G8-tës ndër të tjera saktëson: “Një proces politik drejt arritjes së një marrëveshjeje për një kuadër politik të përkohshëm që do të sigurojë një vetëqeverisje substanciale për Kosovën duke marrë plotësisht parasysh marrëveshjen e Rambujesë dhe parimet e sovranitetit dhe të integritetit tokësor qoftë të Republikës Federale të Jugosllavisë, qoftë të vendeve të tjera të rajonit, si dhe çmilitarizimin e UÇK-së;”
Ndërkaq në parimin 5 të Aneksi 2 të kësaj rezolute thuhet: Vendosja e një administrimi të përkohshëm për Kosovën si pjesë e pranisë ndërkombëtare civile në bazë të të cilit populli i Kosovës të mund të gëzojë një autonomi substanciale brenda Republikës Federale të Jugosllavisë, autonomi që do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së…” etj etj.
Për më tepër në këtë rezolutë specifikohen edhe modalitetet shtesë ( për rikthim të forcave serbe), përfshirë këtu rolin dhe funksionet e personelit jugosllav/serb në Kosovë, saktësisht, përcaktohen (po citoi): “ Pajisjet që bashkëshoqërojnë personelet që do të rikthehen; Referenca e kushteve për përgjegjësitë e tyre funksionale; Grafiku kohor i rikthimit të tyre; Konturimi i zonave gjeografike për operacionet e tyre; Rregullat që qeverisin raportet e tyre me praninë ndërkombëtare të sigurisë dhe me misionin ndërkombëtar civil.”…(!) ( Për më tepër lexoni të plotë rezolutën 1244.
Kjo besoj nuk do koment tjetër.
Pa u futur në elaborimin e zhvillimeve të shumta që kanë ndodhur ditëve të fundit në Kosovë dhe rreth saj, me këtë rast vë në spikamë vetëm një ngjarje ogurzezë: hapjen e zyrave nga Qeveria serbe në Mitrovicën veriore, në enklavat e sforcuara serbe ( edhe me pakon e Ahtisarit) si dhe në Sharr ( ish – Dragash) nga komuniteti goran pro-serb, e cila tregon qartë se kah po shkon Kosova.
Më 10 dhjetor me rastin e hapjes së zyrës në Mitrovicën veriore, ministri për Kosovë në qeverinë serbe Sllobodan Samarxhiq, pati deklaruar se Serbia do të “instaloi një paralelizëm të plotë institucional në Kosovë” . Ndaj këtij veprimi të qeverisë serbe ka reaguar UNMIK-u dhe zërat plotësisht të mekur të presidentit Sejdiu dhe kryeministrit të ardhshëm, z.Thaçi.
Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Stiven Shuk, në një konferencë të përbashkët me gazetarë pas takimit me z.Samarxhiq, ka thënë se “hapja e kësaj zyre për UNMIK-un është e papranueshme. PSSP-ja më ka autorizuar të them se UNMIK-u nuk ka qenë i njoftuar dhe nuk ka dhënë leje për këtë zyrë. UNMIK-u konsideron se themelimi i Zyrës së Ministrisë së Qeverisë së Serbisë me qëllim që të ushtrohen detyrat e ministrisë këtu, është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe për këtë arsye, për UNMIK-un është e papranueshme. Po ashtu, përfaqësuesi special do të konsultohet me Grupin e Kontaktit dhe me Nju Jorkun, për direktivat e mëtejme”, përfundon z. Shuk.
Ky reagim i z. Shuk duket sheshit se është një reagim tepër verbal dhe si i tillë i papërgjegjshëm, për vetë faktin se Qeveria serbe në Kosovë gjatë këtyre viteve të pasluftës ka ngritur struktura paralele kriminale në Kosovë, madje në sytë e UNMIK-ut dhe asnjëherë nuk është marrë një veprim i guximshëm për shuarjen e tyre.
Shtrohet pyetja: Pse nuk është përballur seriozisht UNMIK-u me pushtetin paralel të Serbisë në Kosovë?!
Përgjigja është tepër e thjesht, sepse UNMIK-u ka zbatuar me përkushtim pikërisht obligimet që dalin nga rezoluta 1244 !
Si përfundim
Pavarësia e Kosovës as që mund të imagjinohet me rezolutën 1244!

Kontrolloni gjithashtu

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar kallëzimin penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj

Në raportin vjetor të organizatës “Freedom House” janë përmendur rastet e Shemsi Hazitit, Nagip Krasniqit dhe Martin Berishajt

Në raportin vjetor për vitin e kaluar 2023 të organizatës ndërkombëtare “Freedom House” është përmendur …