(17.11.2007)Gëzim MEKULI: Dështuan gazetarët e UNMIK-ut, fitoi mendimi dhe dabati tjetër

Po, ndodhi ajo që popujt e nënshtruar, herët e vonë, e kuptojnë dhe e kërkojnë: Ndalim shpifjeve, mashtrimeve, shfrytëzimit, injorancës dhe nënçmimit. Po, ky popull i pa punë, sot, me mos dalje në zgjedhje (deri më tani mediat përëndimore informojnë se dalja është shqetësuese e ulët), apeloj se mendimi kritik dhe “mendimi tjetër” ka filluar të rilindë e të rizhvillohet.
Populli dëshmoi se nuk është në pajtim me politikat kolonializuese të UNMIK-ut. Me mosdaljen në zgjedhje të më shumë se 55% të zgjedhësve, populli u tha jo ATYRE që për 8 vite poshtëruan, fyen dhe u tallen me të.
Po, partitë politike të UNMIK-ut, shpenzuan me dhjetra miliona Euro për të paguar këshilltarët e huaj të shkencave të mediave, PR-së dhe retorikës. Këta e dëshironin një “realitet tjetër”, një fotografi mediatike dhe një retorikë “fjalëmbël”, me qëllim që të arrijnë ndikim sa më të fuqishëm në opinionin publik të Kosovës.
Edhe pse pareshtur u manipulua me fjalët e këndshme, zërin e ëmbël, ngjyrat dhe pamjet e bukura televizive, si dhe me “fotografinë e mirë të liderëve”, populli i varfër “nuk e bleu” këtë “prodhim ideologjik”. Fotografia dhe premtimet e liderëve ishin shumë të bukura, që të jenë të vërteta…

Edhe pse RTK, TVKOHA dhe TV21 dhe, të gjitha radiot nacionale ishin bisht i zgjatur i politikave partiake, opinioni publik; opinion i tallur e i harruar, nuk lejoi që “të kullotet” në livadhin e propagandës mediatike partiake.
Edhe pse “debati politik” ishte tërësisht nën kontrollin e medieve “ala Musharaf”, populli arriti të dekodojë mashtrimin dhe premtimin mediatik; Arsyeja ishte e thjeshtë: Në këto “debate” kishte monologje dhe një komunikim një-drejtimësh. Këtu u premtua shumë, u folën të pavërteta tepër shumë. Siç u tha edhe më lartë: “premtimet ishin aq shumë të lezetshme, sa që duhej të ishe “kokëderr” e tu besoje se ishin të vërteta”… Këshilltarët e medieve partiake ose kishin mungesë njohurie mbi kulturën dhe mentalitetin e këtij populli, ose injoruan këtë popull deri në atë shkallë, sa që u llogarit e supozua, se ky popull nuk “ka tru vetanak” për të rezonuar e gjykuar…. Këta këshilltarë mediesh e të retorikës u nisën nga parimi i kornizave e mendimit kolonialist: “për shqiptarët janë “të tjerët” që mendojnë për të, “të tjerët” flasin për të, dhe, “të tjerët” i dinë dëshirat e shqiptarëve, më mirë edhe se vet këta”.
Edhe pse gazetarët e UNMIK-ut dhe partive politike u paguan me mijëra euro që të shtrembërojnë e të manipulojnë me “të vërtetën” politike e ekonomike të Kosovës, populli, sot, shpërfilli këto prodhime të ndërtuara mediatike e ideologjike.
Po, me përbuzjen e këtyre zgjedhjeve jodemokratike të 2007, populli ngjallë shpresë se ndryshimet cilësore në jetën dhe në politikën tonë janë vetëm çështje kohe.
Akoma më shumë, media dhe gazetarët partiakë nuk ia arritën qe ta kontrollojnë “mendimin dhe debatin tjetër”. Media dhe gazetarët “e keqinjë” nuk arritën që të censurojnë mediat tjera, të vogla, por shumë profesionale e të kërkuara; As Kina komuniste e as Pakistani i Musharafit nuk e ka ketë mundësi, e lëre më redaktorët dhe gazetarët shqiptarë të UNMIK-ut.

Pse, nuk patën sukses mediat dhe gazetarucët e UNMIK-ut?

Sepse populli shqiptar në Kosovë kurrë nuk ka qenë më i varfër; Në aspektin material dhe atë kulturorë.
Sepse populli shqiptar nuk mban mend të ketë qenë më i poshtëruar dhe më i ofenduar, se sa sot nga klasa partiake.
Sepse rinia jonë asdhenjëherë nuk ka qenë më e pashpresë dhe me më pak ardhmëri:
Sepse shëndeti i popullit shqiptar kur nuk ka qenë më i rrezikuar dhe me i ligështuar;
Sepse mësimdhënësit shqiptar kur nuk kanë qenë me një status më të poshtëruar e më të zhvlerësuar;
Sepse me këta partiakë dhe gazetarë partiakë pavarësia e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e humbur dhe më e largët.
Sepse ka kaluar koha kur shqiptarët nënshkruheshin me gisht.
E pata thëne diku e dikur; Në sistemet demokratike Qeveritë kanë “frikë” nga populli, ndërsa tek ne, sot, përsëri u dëshmua e u tregua, se populli po frikohet nga Qeveria.
Ndryshime, populli kërkon ndryshime.
Ora 18.00, 17.11.07
P.s.: Mundësitë për të manipuluar me numrin e votave, nga ana e ndërkombëtareve, (OSBE dhe UNMIK) është me se reale.

Kontrolloni gjithashtu

Petkoviq ka thënë se Besnik Bislimi ka pranuar të flas për Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Edhe takimi i fundit i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, lidhur me dinarin përfundoi pa marrëveshje

Edhe takimi i fundit i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, lidhur me dinarin …