Shqipëria në NATO

Frank Shkreli: Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë, një lajm shumë i mirë për Shqipërinë

 Muaji i gushtit është zakonisht një periudhë, kur njerzit në përgjithsi –përfshirë edhe ata të politikës — shkojnë në pushime dhe si rrjedhim asgjë nuk ndodhë në politikë as në diplomaci. Mezi presim të na pushojnë edhe veshët nga grindjet dhe debatet skandaloze politike – është pra një periudhë letargjike, pasive dhe dembelizmi të theksuar për të gjithë. Pikërisht në këtë stinë të këtyre ditëve të vapës afrikane — që këtu në Amerikë i referohemi si “dog days of summer”, (ditët verore të qenit) megjithse nuk kanë të bëjnë aspak me qenët, por me pozicionimin e hyllit të quajtur Sirius karshi diellit, nga 24 korriku deri më 24 gusht – u përhap një lajm shumë i mirë për Shqipërinë dhe për Shqiptarët.

Fillimisht, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama qe ai i cili njoftoi, fund javën që kaloi, se Këshilli i Atlantikut të Veriut ka miratuar vendimin për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.  Me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, ka shkruar në faqen e tij elektronike Z. Rama, NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës.  Ai ka njoftuar gjithashtu se me këtë projekt, i cili pritet të nisë punimet brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n, për furnizim ajror, mbështetje logjistike, mbështetje për policimin ajror, si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës. Kuçova do të shërbejë, njëkohësisht, edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe ky investim strategjik i NATO-s në Shqipëri, do të sjell një standart të ri për Forcat Shqiptare të Armatosura, ka theksuar Kryeministri Rama, duke dhënë lajmin e mirë për të gjithë. Disa ditë më vonë këtë lajm e vërtetoi edhe Krye-zëdhënësi i NATO-s, Piers Cazalet kur u pyet nga Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH) për investimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut në Shqipëri, konkretisht në Kuçovë, ka thënë për ATSH-ën se, “NATO ka në plan të investojë 51 milion euro për të modernizuar bazën ajrore të Kuçovës në Shqipëri. Paratë do të shkojnë drejt përmirësimit të infrastrukturës në bazë, përfshirë edhe depot e karburantit”, konfirmoi për agjencinë shqiptare të lajmeve, Krye-zëdhënsi i NATO-s, Z. Cazalet, duke shtuar më tej se, “Financimi është pjesë e Programit të Investimit të Sigurisë së NATO-s që mbulon projekte kryesore ndërtuese në vendet aleate me qëllim përmirësimin e sigurisë në hapësirën e NATO-s”.

Shqiptarët kudo dhe pa marrë parasyshë prirjet e tyre politike, duhet ta përshëndesin këtë zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët kudo.  Lajm më të mirë për ne nuk ka pasur ç’prej antarësimit të Shqipërisë në NATO, në vitin 2009.  Janë disa gjëra që të gjithë shqiptarët duhet t’i përshendesin si ngjarje me rëndësi të interesit afatgjatë të kombit dhe të sigurisë së vendit. Vendimi i Aleancës Perëndimore të NATO-s për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor, është një prej këtyre objektivave me rëndësi kombëtare, për të mos thënë historike.

Nuk ka rëndësi se në mandatin e cilit person ose cilës parti politike u realizua ky projekt. Rëndësi ka fakti se NATO ka zgjedhur Shqipërinë për një prani të tillë të saj në trojet shqiptare, për të ndërtuar një bazë të Aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjë herë bota.  Kjo ka shumë rëndësi! Për më tepër, i rëndësishëm është gjithashtu fakti që sipas Kryeministrit Rama, zyrtarët shqiptarë po diskutojnë me SHBA-në për të “Modernizuar edhe më tej kapacitetet ajrore të Shqipërisë”.  Themi baza ajrore në Kuçovë të Shqipërisë është e NATO-s, por e vërteta është se pa miratimin e Shteteve të Bashkuara nuk do të merrej një vendim i tillë. Duhet të jetë e qartë tanimë se Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në përgjithsi nuk kanë aleat më të mirë strategjik se Shtetet e Bashkuara.  Do të ishte mëkat që faktet dhe provat historike të miqësisë midis dy popujve tanë të mjegullohen, nga hera në herë, me sjellje e deklarata të pa përgjegjëshme flirtimesh të udhëheqësve shqiptarë me udhëheqës autokratë vendesh të cilat, historikisht, nuk ia duan të mirën kombit shqiptar. Mos luani me miqësinë amerikane të sprovuar, historikisht, por kultivoni këto marrëdhënie, sepse megjithse larg gjeografikisht, Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithëmonë afër shqiptarëve.  Më pëlqen fakti se njoftimi për këtë lajm të mirë nuk u bë bujë nga Tirana zyrtare duke rrahur gjoksin siç është zakon në diskursin politik shqiptar për të marrë kredi se këtë e bëra unë ose ai tjetri. Kjo tregon pjekuri politike dhe një gjë e tillë është mirë për politikën rajonale dhe të jashtme por edhe për politikën e mbrendshme, që zakonisht suksese të tilla degjenerojnë në debate të ashpëra dhe retorika negative midis palëve, se kush e bëri i pari dhe kush kontriboi më shumë në realizimin e këtij apo atij suksesi të politikës së jashtme ose të mbrojtjes.

E vërteta është se të gjitha palët mund të marrin kredinë për këtë vendim të NATO-s me shumë rëndësi kombëtare për shqiptarët. Ishte Ministrja aktuale e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e cila gjatë takimit të fundit me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes James Mattis në Pentagon prillin e kaluar, e cila bëri thirrje për një prani ushtarake të Shteteve të Bashkuara ose NATO-s në Shqipëri. Ajo u shpreh me atë rast se Shqipëria kishte paraqitur disa ide për të vënë në dispozicion baza tokësore, ajrore dhe detare por edhe aftësi të tjera, qoftë në mënyrë dypalëshe me SHBA ose në suazën e NATO-s. Mirëpo, sa për një përspektivë sado pak të vogël historike, duhet thënë se ideja e një baze amerikane në tokën shqiptare nuk është një ide e re.  Në të vërtetë, zanafillën e ka në fillim të viteve 1990 menjëherë pas shembjes së komunizmit. Ka qenë ish-Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Safet Xhulali, i cili në një takim në Pentagon në fillim të viteve 1990-ta, (ku kam qenë prezent) hodhi idenë e një baze amerikane në Shqipëri. Jo, NATO-s, pasi Shqipëria atëherë nuk ishte në NATO, por për një bazë ushtarake amerikane. Duke marrë parasyshë gjëndjen e atëhershme në Shqipëri, në atë kohë, mu duk se propozimi të ndjerit Xhulali ishte një propozim pak si i nxituar, por gjithsesi ishte largpamës. Fatkeqsisht, punët shkuan si shkuan në Shqipëri duke kulmuar më në fund në ngjarjet tragjike të vitit të zi 1997, e pastaj lufta në ish-Jugosllavi e në Kosovë. Por më mirë vonë se kurrë. Duhet durim për gjëra të mira ka thënë i moçmi. “Durimi dhe këmbëngulja kanë një efekt magjik para të cilave vështirsitë dhe pengesat zhduken me kohë”, ka thënë dikur Presidienti i 6-të i Shteteve të Bashkuara, John Quincy Adams.

Prandaj, të dy palët politike në Shqipëri meritojnë kredinë për durimin dhe këmbënguljen e tyre gjatë këtyre tre dekadave në lidhje me praninë ushtarake amerikane ose të NATO-s, në trojet shqiptare. Kjo duket se, së bashku me antarësimin e Shqipërisë në NATO, të ketë qenë një prej çështjeve që të dy palët politike shqiptare, shpesh antagoniste në marrdhëniet e tyre për shumë çështje, sidomos përsa i përket politikës së brendshme, të kenë qenë dakort që Shtetet e Bashkuara ose NATO-ja duhej të vendosnin një prani përmanente ushtarake në Shqipëri. Ja, më në fund duket dhe shpresojmë sinqerisht se kjo edhe po ndodhë me njoftimin e vendimit të fundit të NATO-s për të ndërtuar në Shqipëri, bazën e parë ajrore në Ballkanin Perëndimor.

Si përfundim i këtij njoftimi, sot jam me më shumë shpresë se Shqipëria do të bëhet. Vendimi i Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për të ndërtuar një bazë ushtarake në Kuçovë është pa dyshim një njohje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për angazhimin dhe kontributin e Tiranës në NATO dhe si një vend aleat i besueshëm.  Shqipëria e ka treguar këtë besueshmëri dhe besnikëri në tre dekadat e kaluara dhe gjatë mandateve të qeverive demokrate dhe socialiste, pa përjashtim.  Kjo është një njohje e merituar nga NATO-ja, falë edhe profesionalizmit të forcave ushtarake shqiptare, pjesëmarrëse në misione të ndryshme të Aleancës së Atlantikut të Veriut.  Për suksese të mëtejshme në politikën e jashtme dhe të mbrendshme, tani pritet prej klasës politike shqiptare që të përmirësohet atmosfera politike mbrenda vendit: të përmirësohet diskursi politik dhe të vendoset një dialog i mirëfilltë për objektivat madhore të interesit kombëtar midis palëve, ashtu siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s. Luftoni deri në fund korrupcionin, vendosni drejtësinë, pastroni politikën. Shqipëria mund të bëhet!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …