Lojërat e këqija me kombin shqiptar, nga Faton Klinaku

 


Për shkak të gabimeve të qëllimshme dhe shitjes së interesave tona kombëtare tek pushtuesi, nga ana e faktorit të atëhershëm politik shqiptar, doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Lufta heroike e saj, kishte për qëllim çlirimin e trojeve të okupuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre. Pasojat e gabimeve gjatë dhe pas luftës po i përjetojmë edhe në ditët e sotme. Luftëtarët e rreshtuar në UÇK, kishin dhënë një Betim Ushtarak e që ishte: “Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre, do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm, që në çdo kohë, pa kursyer jetën time të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj qoftë i humbur gjaku im. Betohem”. Në emër të këtij betimi ushtarak, ata ishin të vendosur për ta quar luftën e tyre deri në realizimin e plotë të qëllimit që ia kishin vënë vetes. Djemtë dhe Vajzat më të mira të kombit, nga të gjitha trojet e Shqipërisë u betuan solemnisht para flamurit kombëtar. Drejtuesit e luftës çlirimtare, duke besuar në faktorin e jashtëm e jo në popullin i cili e bënte luftën, ndërruan synimin që e kishte lufta çlirimtare në bazë të betimit ushtarak, që të çlirohemi nga pushtuesi dhe të bashkohemi me shtetin tonë, por synim e kishin ardhjen e faktorit ndërkombëtar në Kosovë. Faje shumë të mëdha për këtë, kishte politika zyrtare e Tiranës, me përkrahjen qe ua dha shqiptarëve të Kosovës në Konferencën e Rambujesë. Politika e Tiranës zyrtare, ka bërë dhe bën politikën e servilitetit ndaj faktorit ndërkombëtar. Menjëherë pas transformimit dhe çarmatosjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në bazë të asaj marrëveshjeje, pasuan përndjekjet, arrestimet, gjykimet dhe dënimet ndaj atyre që kishin luftuar për lirinë e popullit shqiptar. Shumica e luftëtarëve të UÇK-së, u lanë në mëshirë, invalidët dhe familjet e dëshmorëve janë pa kurrfarë përkujdesje institucionale, edhe ato ndihma që i marrin – i marrin sepse konsiderohen raste sociale e jo kategori e merituar e shoqërisë. Pasojat e këtyre lëshimeve të politikanëve shqiptar të të gjitha trojeve shqiptare, u panë edhe në rastin e ndërhyrjeve nga UNMIK-u, pas miratimit (nga Parlamenti i Kosovës) të ligjit për kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Kjo ishte si rezultat i asaj sepse pjesëmarrësit në Konferencën e Rambujesë, pajtuan që lufta jonë të quhej konflikt e populli bashkësi nacionale. Çka është më e keqja, edhe sot e kësaj dite, politikanët e Rambujesë por edhe të shtetit tonë-Shqipërisë, nuk i bien pishman siç thotë populli, asaj marrëveshjeje shumë të dëmshme për kombin, pasojat e së cilës po i ndiejmë edhe sot. Miratimin për Kosovën, të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, luftëtarët e kundërshtuan me deklarata, komunikata e protesta, ndërsa politikanët i dhanë përkrahje të fuqishme kësaj Rezolute dhe e konsideronin atë si shumë të dobishme për Kosovën. Misioni ndërkombëtar (UNMIK), i përcaktuar në bazë të asaj Rezolute, kishte dhe ka për qëllim kthimin e Kosovës nën administrimin ushtarak e policor të Serbisë, nëse nuk mund ta bëj këtë, atëherë ricopëtimin e trojeve tona nën maskën e decentralizimit. Përsëri po bëhen pazarllëqe me trojet tona, sipas skenarëve të përpiluar në Beograd e të përkrahur fuqishëm nga politika vendore dhe ndërkombëtare. Politikanët qyqarë, nuk duan dhe nuk e kanë për qellim që ta realizojnë lirinë e popullit dhe bërjen e Shqipërisë. Ata kanë shkuar aq larg dhe janë lëshuar në ofensivë edhe në bërjen e Kushtetutës së Kosovës, e që nuk buron nga vullneti i popullit, e në atë Kushtetutë të përcaktojnë edhe simbole që disa prej tyre i quajnë shtetërore sepse duan ta mashtrojnë popullin kështu në emër të kinse Pavarësisë e disa prej tyre, që i dëgjojmë nëpërmes debateve televizive, së paku ia tregojnë të vërteten popullit se këto do të jenë simbole kombëtare të Kosovës. Të mos harrojmë se luftëtarët e UÇK-së, me 28 nëntor 2005, nuk e bënë djegien e simboleve përçarëse të kombit tonë për shkak se ishin të një partie por për faktin se kjo ishte dhe është me rreziqe të mëdha, sepse na dërgon drejt zhdukjes së identitetit tonë kombëtar dhe krijimit të identitetit kosovar në fetus. Ironia edhe më e madhe e disa politikanëve është se ata kërkojnë që për t’i përcaktuar simbolet “shtetërore” duhet të merret edhe pëlqimi i shoqatave të luftës së UÇK-së. Jo, zotërinj politikanë, luftëtarët e mirëfilltë të UÇK-së nuk e kanë ndërmend të pajtojnë me simbole për Kosovën por gjithnjë do t’i kundërshtojnë ato sepse kjo është në kundërshtim me vet luftën e tyre dhe betimin që e kanë dhënë si dhe në kundërshtim me interesat jetike të kombit tonë. Thua se simbolet po e bëkan kombin e jo kombi simbolet. Por, kjo klasë e mjerë politike edhe këtë status-quo të gjatë që po i përgatitet Kosovës do ta quan kinse shtet. Si rezultat i kësaj politike të politikanëve të pavarësisë, ndodhemi para rrezikut të eskalimit të gjendjes në Kosovë por edhe më gjerë ku jetojnë shqiptarët, e cila mund të jetë e paparashikueshme, e sidomos ekziston rreziku i vëllavrasjes në mes të atyre që kanë hequr dhe do të heqin dorë nga identiteti jonë kombëtar dhe që mbështesin interesat e politikave të huaja e kolonizuese dhe atyre që e mbrojnë këtë identitet dhe mbështesin interesin e përgjithshëm të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë. Kjo, më së shumti do t’i shërbente interesave të Serbisë dhe interesave të atyre që bëjnë politikë antikombëtare, duke ndarë kombin tonë në pesë pjesë. Janë dy mënyra të ndarjes së një populli: ndarje me vullnet dhe ndarje pa vullnet e që quhet okupim. Në rastin tonë, ne nuk jemi të ndarë por të okupuar. Populli asnjëherë nuk është pajtuar me këtë okupim të trojeve të Shqipërisë sepse ka luftuar historikisht për tu çliruar. Nëse politikanët pajtohen me okupimin e trojeve tona, ata janë qyqarë dhe frikacakë dhe kjo politikë e tyre u shërben interesave të pushtuesve të tokës sonë.

Kontrolloni gjithashtu

Qeveria e Kosovës është nën presion për miratimin e Projekt -Statutit të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Gjendja dhe rrethanat politike në Kosovë lidhur me Projekt-Statutin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe …