Përse u prishka imazhi i Kosovës me shpifje e gënjeshtra si ato të Dik Martit?

 


Prej ditës kur  raportuesi i Këshillit të Evropës, antishqiptari i dëshmuar dhe i përbetuar, Dik Marti publikoi raportin e tij me shpifje e trillime kundër UÇK-së, por edhe kundër shqiptarëve në përgjithësi, me shpejtësi janë përhapur zëra se ky veprim ka dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës. Ky konstatim fillimisht i artikuluar nga LDK-ja e Isa Mustafës dhe disa drejtues të OJQ-ve, të Kohës Ditore etj, i përket përmbajtjes së vetë-skllavërimit pacifist, me qëllim për të përhapur defetizëm, i cili nënkupton “dëmet” e pariparueshme që ia paska shkaktuar UÇK-ja vendit, pavarësisht mungesës së fakteve.


Pranimi i konstatimit se raporti i Dik Martit e ka prishur imazhin e Kosovës, dashur pa dashur bën që ta pranojmë një pjesë të “fajit” edhe pse ai realisht nuk ekziston, të paktën “faji si i tillë” tash për tash nuk është dëshmuar, dhe përderisa nuk është dëshmuar, përderisa dominon qëndrimi i përgjithshëm i shumicës së shteteve, që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës se raportit i mungon esenca, i mungojnë të dhënat faktike, përse atëherë qenka prishur aq keq imazhi i Kosovës, sa qenka shumë vështirë të përmirësohet në të ardhmen?>>>


 


Nëse imazhi i një shteti prishet nga konstruksionet e qarqeve, që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, që kanë kundërshtuar intervenimin e NATO-s, kundër makinerisë së krimit të regjimit të Beogradit,  dhe që vazhdojnë të veprojnë me ngulmë për ta diskredituar këtë pavarësi e për ta kthyer edhe njëherë Kosovën nën Serbi, atëherë nuk mund të flitet më për imazh, por flitet për destrukcion,  parapërgatitje për agresion dhe  destabilitet të vendit. Prishja e imazhit të Kosovës, a nuk  do të thotë se nuk  po bëhen përpjekje për ndërtimin e imazhit të Serbisë, apo ndoshta këtë nuk duam ta pranojmë?


 


Nuk është kjo akuza e parë që kanë lansuar kundër Kosovës qarqet e dëshmuara antishqiptare të Evropës. Akuza të tilla ka pasur e do të ketë, meqë qëllimi i këtyre akuzave nuk është dëmtimi i imazhit, po prapa kësaj fshihen pretendimet për ta “rindrequr” historinë e kohës së luftës së UÇK-së, për ta rivlerësuar atë sipas pretendimeve, të atyre që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë.


 


Shpallja e UÇK-së si organizatë terroriste nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti dhe mundësia që shumica dërrmuese e deputetëve të Asamblesë Parlamentare ta përkrahin qoftë edhe në parim këtë raport, dëmton bazën themelore të pavarësisë së Kosovës, inkriminon luftën e UÇK-së dhe tërë faktorin politik aktual që rrjedh nga UÇK-ja. Me këto veprime   kërkohet të korrigjohet mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për  çlirimin dhe pavarësimin e vendit dhe hapja për diskutim e statusit, veprim ky i cili edhe është në agjendë të bisedimeve të detyrueshme të autoriteteve të Prishtinës me autoritetet e Beogradit, të cilët kanë kërkuar me çdo kusht rifillim të bisedimeve dhe këtë kërkesë e ka mbështetur BE-ja, OKB-ja, madje edhe shtetet që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës.


 


Fakti se fillimisht,  gjatë bisedimeve  nuk do të përmendet statusi i Kosovës, është vetëm një hipokrizi  e lansuar për efekt ditor,  politik,  të autoriteteve të BE-së, e shprehur shumë qartë për naivët e politikanët e padinjitet dhe të papërgjegjshëm, sepse dihet mirëfilli se bisedimet kanë të bëjnë pikërisht me statusin e Kosovës.


 


Imazhin, Kosova mund ta prish vetë. Në mos e ka prishur ajo e ka dëmtuar me procesin e ngutshëm dhe krejtësisht të papërgatitur të zgjedhjeve të parakohshme. Imazhin Kosova mund ta ketë prishur në shumë mënyra të tjera, ndërsa konstruksionet, që janë orientuar kundër luftës së UÇK-së, kanë për qëllim barazimin e viktimës me xhelatin, duke paraqitur fajtor kryesor luftën e UÇK-së dhe duke e barazuar atë me regjimin fashist të Beogradit, kur dihet mirëfilli se ai regjim ka nxitur luftën në Slloveni, në Kroaci dhe në Bosnje e Hercegovinë, ku  ka kryer masakra ndër më të çnjerëzoret,  madje krejt haptas edhe në prani të forcave “paqeruajtëse” evropiane, të cilat krejt gjakftohtë  kanë përcjellë krimet e shëmtuara antinjerëzore,  të kryera nga armata e Serbisë, në Srebernicë e gjithandej  kundër boshnjakëve myslimanë.


 


Konstatimi, lidhur me imazhin e  prishur i Kosovës, është një shpikje e ligë e forcave, që kanë qenë dhe kanë mbetur kundërshtare të dëshmuar të luftës së UÇK-së, i atyre politikanëve me prejardhje nga ish regjimet okupatore, të cilët  mendojnë të përfitojnë në këtë situatë, për t’i  bindur  disa shqiptarë syleshë, se paska qenë UÇK-ja, ajo, e cila paska kryer krime dhe pasojat po i mbartim të gjithë ne së bashku.


 


Nuk është i rastësishëm sulmi i shumicës së partive politike kundër PDK-së, kundër veteranëve të luftës, kundër invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve, kundër SHIK-ut, kundër Thaçit dhe kreut të luftës me përpjekje hipokrite, që këto segmente të diferencohen  nga UÇK-ja. Nuk është i rastësishëm as sulmi vulgar, i mjerë dhe antikombëtar kundër Drenicës, ku, sipas këtyre imazhistëve, po jetuakan dhe po vepruakan hajnat, mafiozët e kriminelët më të mëdhenj të Kosovës. (!)


 


Mendoj se kjo luftë speciale e fabrikuar nga qarqet e dëshmuara kundër UÇK-së, po e helmon atmosferën e jetës në liri, me qëllime që vetëkuptohen. Këto, t’ i quajmë  forca politike, të cilat po bëjnë përpjekje për t’ ia punuar UÇK-së nën rrogoz, duke kërkuar diferencime në mesin e saj,  sikur  ndodhi në vitet 80 të shekullit të kaluar, janë po ato ish-forca politike, të cilat, asokohe kishin pranuar platformën panjugosllave kundër “Nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar”,  i cili fajësohej për prishjen e imazhit të bashkim vëllazërimit dhe përbashkësisë së shqiptarëve me popujt sllavë, imazh  i prishur, i cili çoi deri te devalvimi edhe i asaj autonomie, që mbahej me paterica, dhe të mirat e së cilës i shfrytëzonin partiakët  titistë e rankoviqistë  të të  gjitha ngjyrave, por jo edhe populli liridashës i Kosovës.


 


Nëse edhe për një çast mendojmë se imazhi i një shteti prishet nga sulmet verbale dhe akuzat e pabazuara, atëherë për se ne të mos provojmë e t’ i përkujtojmë  BE-së dhe Evropës të ligat, shëmtitë dhe krimet, që ajo ka kryer  gjatë shekujve, apo ndoshta ato krime tashmë janë harruar. Përse duket të heshtim Kryqëzatat e Evropës së krishterë në të kaluarën, që morën miliona jetë të pafajshme, përse u dashka të heshtim Inkuizicionin e bekuar nga Kisha katolike, që po ashtu mori milionë jetë të pafajshme në mesin e tyre edhe të shkencëtarëve më të mëdhenj të kohës, përse të mos ia përkujtojmë Evropës, Luftërat Ballkanike që morën miliona jetë shqiptarësh turqish e hebrenjsh, Londrën e vitit 1913, Versajen   e vitit 1918,  fushatën pan-evropiane  kundër hebrenjve sidomos të kohës së Hitlerit e Musolinit gjatë Luftës së Dytë Botërore,  kur në mënyrën më çnjerëzore të mundshme u vranë u zhduken  dhe u masakruan rreth 6 milionë hebrenj, jo vetëm në Gjermani dhe jo vetëm nga fashizmi gjerman, por edhe nga shumë qeveri kukulla të Evropës. Lista e gjatë dhe e pambarim e krimeve, që kanë kryer shtetet e Evropës, çuditërisht as e ka prishur,  as e prish  sot imazhin, madje as të kaluarën morbide të këtyre shteteve, ndërkohë që imazhi i Kosovës qenka fundosur, qoftë edhe vetëm me akuza të pabazuara në fakte, nga një ekzemplar pro serb dhe antishqiptar i vetëdeklaruar i Zvicrës dhe i Këshillit të Evropës.


Shqiptarët liridashës të Kosovës e më gjerë e dinë dhe e besojnë fort, sesa për shtetet e Evropës, me përjashtim të Britanisë së Madhe, Kosova kurrë nuk do të ishte liruar nga kthetrat kolonialiste të Serbisë. Ata e dinë dhe besojnë fuqishëm, se po të mos ishte Amerika dhe Anglia, çështje e Kosovës do të kishte mbetur në ”mëshirën” e Serbisë, ashtu sikur që ka mbetur çështja e Çeçenisë në “mëshirën” e Kremlinit. Shqiptarët liridashës të Kosovës kurrë nuk do të lejojnë t’ iu përsëritet historia, meqë më në fund e kanë përvetësuar mësimin e bërjes dhe ruajtjes së lirisë, me çdo kusht dhe me çdo çmim.

Kontrolloni gjithashtu

Mijëra bashkëkombas që jetojnë në Zvicërr po protestojnë në Cyrih kundër vendimit të GJS ndaj drejtuesve të UÇK

Mijëra bashkëkombas që jetojnë në Zvicërr po protestojnë në Cyrih kundër vendimit te Gjykatës Speciale …