Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”

Agim Sylejmani: Rritja e Universitetit të Prizrenit me kuadro kredibile

Përkundër vështirësive materiale, konsolidimit të kurrikulave, realizimit të hulumtimeve dhe stafit mësimor-akademik që përcjellin rritjen e  UPZ, sikurse edhe universitetet tjera kosovare, janë inkurajuese rezultatet e disa kuadrove të reja.

Këto ditë Universitetit të  Prizrenit, Fakultetit të  Shkencave Kompjuteristike iu shtua edhe një doktor i shkencave teknike. Fjala  është për Dr. Agon Kokën, i cili dallon me modestinë dhe profilin e tij të jashtëzakonshëm dhe i cili këtu pat filluar punën si asistent para tre viteve.

Agoni ka kryer tërë shkollimin e tij në gjuhën angleze dhe jashtë Kosovës. Ka kryer kopshtin parashkollor, shkollën filloren dhe ate të mesme në një shkollë të specializuar angleze të quajtur “ New English School” me standardet më të larta arsimore të mundshme në botë. Shkollat e këtilla janë elitare, shumë të rralla dhe shumë të shtrenjta për t’i vijuar dhe për t’u regjistruar. Gjenden vetëm në disa vende evropiane me teknologji shumë të zhvilluar, si në Gjermani, Suedi, Austri. Mësimi realizohet nga mësimdhënësit e caktuar nga Bordi i specializuar i Universitetit të Kembrixhit në Londër. Për më tepër, notimin në lëndët e veçanta nuk e bëjnë arsimtarët që kanë dhënë mësim, por vjen komisioni i veçantë nga Kembrixhi, vigjilon provimet,  i merr ato dhe i dërgon në Bordin e Notimit të Kembrixhit, prej nga vijnë rezultatet e notave. Nuk është shumë e ekzagjeruar nëse thuhet që niveli i programeve dhe cilësisë mësimore të disa universiteteve tona në Kosovë është më i ulët se sa niveli i mësimdhënies dhe notimeve të Bordit të Kembrixhit. Një certifikatë e kësaj shkolle të jashtëzakonshme angleze që kreu dr. Agon Kokaj shihet në imazhin e mëposhtëm.

Faksimile nga “University of Cambridge”

Studimet, në lëminë e  elektroinxhinierisë, dr. Agon Kokaj i ka vijuar poashtu në anglisht me një program të universiteteve të avancuara amerikane, por që studimet programore janë me kohëzgjatje 5 vjeçare, siç ka qenë kohëzgjatja e studimeve në fakultetet teknike dhe mjekësore në Kosovë, të cilat aktualisht njihen me nivel të Masterit aktual. Nota mesatare e studimit universitar që ka kryer ka qenë 3. 51/ 4, që i bie afër notës 9 apo shumë mbi notën 8 (të studimeve të sistemit në Kosovë).

Kureshtja i tij për dije në teknologjitë më të reja bëri që atë vit, kur pranë Universitetit të Shkencave Aplikative në Kapfenberg, Austri, hapen studimet post-diplomike në lëmin e Elektronikës Nanoteknologjike, bëri që të kyçet në këtë  universitet. Meqë funksionon sipas Programit të Bolonjës, me njohjen e masterit në këtë fakultet e punësuan si asistent. Krahas punës me studentë dhe hulumtimeve laboratorike, për të cilën merrte pagë mujore, ai vijoi edhe disa kurse të reja nga nano dhe mikroelektronika dhe fabrikimi i procesorëve. Këto kurse mbaheshin dhe drejtoheshin njerëz ndër më kompetentët në botë për nanoelektronikë. Për t’u fukosuar, krahas punës për të cilën paguhej si asistent, ai iu nënshtrua edhe provimeve të lëndëve të këtij programi që për herë të parë mbahen në Evropë. Nuk i intersonte nota, por me sukses kreu lëndët e studimeve Nanoelektronike të nivelit Master, që në fakt ishte edhe titulli i dytë që ai merr si master.

Pas kryerjes së ligjëratave dhe provimeve në Kapfenberg, aty ai krahas punës së paguar, vijoi hulumtimet eksperimentale ku arriti të botojë 3 punime shkencore. Hulumtimi  fundit ishte një zbulim i një sistemi sensues dhe procesues i vlefshëm për robotikë. Ky zbulim, sipas dekanit të Fakultetit, ekspert i nanoprocesorëve, i sugjeroi që është i nivelit të doktoraturës.

Rektorati i Universitetit për shkenca të Aplikuara, në Kapfenberg, Austri

Për këtë ai sugjeroi një ekspert tjetër botëror në Universitetin e Vjenës, ku mund të implementojë sistemin sensoro-procesues në robotë të gjeneratës të fundit. Në Programin e doktoratës, të studimeve robotike, natyrisht që sipas sistemit të Bolonjës, kërkohej nota mesatare e shkëlqyeshme e Bachellorit dhe e Masterit.  Diplomat dhe nota mesatare e shkëlqyeshme që kishte fituar nga studimet e përmendura 5 vjeçare të inxhinierisë, që e kishte të kryer me heret, ishte adekuate për t’u pranuar në Programin e studimeve të doktoratit në TU në  Vjene. Këto studime i vijoi në vitet vijuese dhe arriti që pothuaj të gjitha notat e lëndëve programore të doktoratit t’i kryen me sukses të shkëlqyeshëm.

Punimi i doktoraturës ishte pikërisht zbulimi i sensorit dhe procesorit të bazuar në analizën regjionale frekuencore Fourier dhe konvulicionin e regjionit kohor të shndërruar në shumëzim algjebrik në rrafshin Fourie. Pasi që e kompletoi doktoratën, pra, e përfundoi programin dhe e mori titullin Doktor i Shkencave Teknike në Universitetin teknologjik të Vjenës, zbulimin në fjalë e prezantoi në një konferencë ndërkombëtare dhe pastaj e dërgoi për botim, i cili është pranuar dhe së shpejti do të botohet në një revistë kredibile shkencore ndërkombëtare.

Ai tani  ka 5 punime të botuara në revista ndërkombëtare plus zbulimin e përmendur të lidhur me doktoraturë, i cili është pranuar dhe pritet të botohet këto ditë në një revistë kredibile ndërkombëtare. Me këtë bagazh të punimeve dhe doktoratit ndërkombëtar të nostrifikuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, janë plotësuar kushtet të zgjidhet Profesor i Asociuar. Por, meqë gradualiteti universitar në Kosovë nuk e lejon, së shpejti do të avancohet në Profesor Asistent, ndonëse sipas procedurave të fakultetit formalisht duhej të rizgjidhej asistent dhe pastaj, së shpejti i shpallet konkursi për Profesor Asistent.

Agim Sylejmani
Agim Sylejmani

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …