Jakup Krasniqi:Drejtësia është universale, ajo duhet të vlejë njësoj për të gjitha viktimat

 I nderuar z. Roth,


 Ju falënderoj që keni marrë mundin t’i përgjigjeni shpejt letrës sime përmes së cilës unë  kam shprehur bindjen time të palëkundur, se krimet e  luftës duhet të trajtohen njësoj pavarësisht se kush i ka kryer ato. Duke u bazuar në parimin se drejtësia është universale, unë thjesht refuzoj t’i ndaj krimet në “krimet tona” dhe “krimet e tyre”. Nga letra juaj del se pajtoheni plotësisht me këtë qasje. Megjithatë, desha të saktësoj, përkundër asaj që askush nuk mohon faktin se në Kosovë janë kryer krimet më të shëmtuara kundër njerëzimit, një numër jo i vogël i negaciatorëve mohojnë se në Kosovë është kryer gjenocidi i shtetit serb kundër shqiptarëve.


Zoti Roth,në letrën e fundit ju theksoni me plot të drejtë se në Kosovë, nga forcat serbe, janë kryer krime të tmerrshme dhe se për ndëshkimin e këtyre krimeve nuk ka pasur përparime të mjaftueshme dhe se shumë krime të kryera në Kosovë kanë mbetur të pandëshkuara.


Mosndëshkim i kriminelëve që i kryen këto krime të tmerrshme është njëra anë e medaljes së padrejtësisë me të cilat është ballafaquar Kosova e pasluftës. Faqja tjetër e kësaj medaljeje ka të bëjë me gjoja vrasjen e civilëve që i vishen Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe kjo mund të verifikohet fare lehtë nga dëshmi, madje të dëshmitarëve serbë.


Zoti Roth,pikërisht ky aspekt i krimeve qëndron në bazën e argumentit Tuaj përse Human Rights Watch mbështet krijimin e Gjykatës Speciale. Ju e thoni tepër qartë se kjo Gjykatë duhet të krijohet sepse “dyshohet që  në Kosovë dhe në Shqipëri gjatë dhe pas luftës janë kryer krime të rënda nga forcat e UÇK-së, për të cilat pak njerëz kanë dhënë llogari”.Tani, i nderuari Z. Roth, kur thoni “gjatë dhe pas luftës”, çfarë do të thotë kjo, derisa pas 21/22 qershorit 1999, as në Kosovë e as në Shqipëri nuk ka pasur struktura të organizuara te UÇK-së?!


Zoti Roth,askush nuk e konteston faktin se gjatë luftës dhe pas saj në Kosovë janë vrarë civilë. Por, ky konstatim imponon domosdoshmërinë që të ndriçohen tërësisht vrasjet sepse, nuk e di se sa jeni në dijeni për publikimet e fundit në Beograd se Shërbimi Sekret i Serbisë ka kryer vrasje të civilëve serbë, shqiptarë dhe të përkatësive tjera në funksion të ngritjes së urrejtjes antishqiptare dhe paraqitjes së UÇK-së si organizatë terroriste.


Po ua përmend vetëm rastin e vrasjes së të rinjve serbë dhe malazezë në kafenenë “Panda” të Pejës, më 14 dhjetor 1998. Për këtë krim edhe Human Rights Watch njoftoi në raportin e vet  “Under Orders. War Crimes in Kosovo” të vitit 2001 (shih:http://www.refworld.org/pdfid/3c2b204a0.pdf).


Gjatë 15 viteve rresht ky krim dhe emrat e 6 të rinjve serbë dhe malazezë, të vrarë në këtë aksion, figuronin në të gjitha listat e civilëve të vrarë që i visheshin UÇK-së! Pas 15 viteve, kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri publike se këtë akt terrorist e kishte organizuar dhe kryer Shërbimi Sekret i Serbisë me qëllim që të krijohej përshtypja se UÇK-ja është organizatë terroriste.


Së këndejmi, kam një pyetje të thjeshtë Z. Roth: Kush mund të garantojë se shumë vrasje makabre të pasluftës, të kryera në Kosovë mbi qytetarët serbë, nuk janë bërë nga i njëjti shërbim politik (Shërbimi Sekret i Serbisë)?


Zoti Roth, mediat serbe publikuan edhe kërcënimin e shefit të Shërbimit Sekret të Serbisë, Radomir Markoviq, drejtuar Kryetarit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, se nëse nuk do ta trajtojnë si dëshmitar bashkëpunues “ai do të zbulojë listën e krimeve të bëra nga ky shërbim kundër serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.” Publikimi i kësaj liste krimesh të kryera nga shteti serb, sipas fjalëve të ish-shefit të Shërbimit Sekret Serb “do ta rrëzojë Serbinë në gjunjë.” Ju lutem, verifikoni këto gjëra, sepse drejtoni një organizate kredibile përt ë drejtat e njeriut në shkallë botërore!


Zoti Roth, në letrën tuaj të fundit ngritët shqetësimin lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve. Nëse vërtet jeni të interesuar të ndriçohen të gjitha krimet në Kosovë, atëherë Ju, organizata juaj respektive dhe të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare duhet të kërkoni me ngulm që të sigurohet ish-shefi i Shërbimit Sekret të Serbisë, Radomir Markoviq, i cili ka koordinuar vrasjet e civilëve dhe i cili është dëshmitar i krimeve të kryera në funksion të strategjisë së paraqitjes së UÇK-së si “organizatë terroriste që ka kryer krime të rënda”. Mbrojta e tij dhe tërheqja nga Serbia mund të ndihmojnë në ndriçimin e shpejtë të krimeve për të cilat bëhet fjalë.


Zoti Roth, unë ju përmenda vetëm rastin e vrasjes së të rinjve në kafenenë “Panda”. Një analizë e hollësishme dhe e argumentuar lidhur me listat e përpiluara nga Shërbimi Sekret i Serbisë, për civilët e vrarë që i mvishen UÇK-së, është botuar në muajin shkurt të këtij viti në librin e politologut, Bardhyl Mahmuti. Kjo analizë, ky libër me interes të madh do të botohet edhe në gjuhën angleze. Po qe se iu bie në duar ky libër dhe, pasi të shihni se kush qëndron prapa listave të qindra civilë të vrarë, atëherë do të bindeni se krijimi i Gjykatës Speciale është sajesë e njëanshme, e padrejtë dhe rrezikon të fshehë gjurmët e kriminelëve të vërtetë.  Vetëm institucionet e drejtësisë (me standarde të njohura të botës demokratike), që do të kishin preokupim kryesor zbulimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të vërtetë, do të mund të sillnin drejtësinë për të gjitha viktimat në Kosovë.


Shkurt, drejtësia është universale, ajo duhet të vijë në vend për të gjitha viktimat e luftës!


Sinqerisht,


Jakup Krasniqi


 


Post Scriptum


Zoti Roth, për ata që nuk kanë pasur mundësi të njihen me zbulim e fakteve të vrasjeve,të cilat u kryen nga Shërbimi Sekret i Serbisë, ju sugjeroj që, të paktën, ekipet tuaja t’ua përkthejnë nga gjuha serbe këto tri shkrime:


 


1. Radio-televizija Srbije, «Vučić: Država je ubila Ćuruviju», 29.12.2013:


http://www.rts.rs/page/stories/sr/story/9/Politika/1482926/Vu%C4%8Di%C4%87%3A+Dr%C5%BEava+je+ubila+%C4%86uruviju.html


2. Kurir, «Rade Marković dao nalog da se ubiju srpska deca u Peći 1998?!», 17.01.2014:


http://www.kurir-info.rs/rade-markovic-dao-nalog-da-se-ubiju-srpska-deca-u-peci-1998-clanak-1182597


3. Kurir, «Vuk Drašković: Milošević naredio Radetu i Legiji da ubiju srpsku decu!»


http://www.kurir.rs/vuk-draskovic-milosevic-naredio-radetu-i-legiji-da-ubiju-srpsku-decu-clanak-1185359

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …