Jakup Krasniqi: Opozita e bashkuar duhet të reflektojë besim për ndryshim


Dje ndoshta shoqëria jonë u mur shumë për një mendim ndryshe në subjektin politik të VV-së, thua se individi është mëkat të ketë mendim disonant nga partia e tij edhe kur mund mos t’ia qëlloj?! Duke harruar se idetë e kundërta i dhënë shpirt e jetë demokracisë dhe i shpien përpare proceset shoqërore e ekonomike. Heshtja e servilizmi të gjithë e pamë se ku të shpie!




Mos të harrojmë se shoqëria është demokratike aty ku ka:




– Sundim të ligjit,




– Ekonomi konkurrente,




– Tregti të lirë,




– Ndarje te pushteteve,




– Liri individuale të njeriut e të grupeve etnike,




– Media të lira, profesionale e oponente ndaj pushtetit,




– Mendim e ide konkurrente, pa kornizat partiake, ku dikush nga opozita mund edhe të mos pajtohet me veprimin opozitar për heqjen e rrethojave dyfishta! Të cilën gjë edhe e quan “pasqyrë jo e mirë”?! Për ketë opozitar, grilat e dyfishta janë “demokratike” dhe pasqyrë e “shkëlqyer”?!




– Është interesant, pse dikush nga pozita, nuk pat mendim të lirë dhe guxim intelektual për të thënë: Rrethojat mbi rrethoja nuk është pasqyrë e mirë as për shqiptarët e as për demokracinë tonë të brishtë e as për shtetin?! Nuk tha se me ato grila mbi grila, ndërtesa e qeverisë po ngjason me kopshtin zoologjik?! Nuk thanë: mos e keqpërdorni policinë e gjyqësorin për të përndjekur opozitën?! Pse kaq shumë frikë për të thënë të vërtetën?




– Pse dikush nga pozita nuk tha:




Ku u treten gati 10.000 km2? Pse lejuat sovranitetin e dyfishtë në Kosovë? Po Zajednica? Pse me bisedime po e bëni Serbinë hisedarë në pasurinë e Kosovës? E të ngjashme. Ndoshta pse pozita duhet jetë unike edhe kur dëmtohet rëndë sovraniteti i shtetit?! Qeveritarët tanë i dhanë impulse Serbisë në drejtim te integrimeve?! Kosovës ia lan getoizimin. Ajo nuk mori asnjë infuzion?!




– Pse pozita duhet të jetë kaq unike? Përgjigja mund të jetë: Pse mendimi, besa edhe veprimi për shkak te interesave “private te qeveritarëve” duhet të kenë mendim uniformë!




– Pse opozita është kaq e çakorduar?




Përgjigja: Pse debati ende nuk është vërë në shërbim te ndryshimit te qeverisjes e të shtetit të se drejtës, por në shërbim te liderizmit jo serioz?! Opozita duhet të çlirohet nga egoizmi, ajo duhet të bashkoj çdo ide, mendim e veprim opozitar me parti e pa parti. Ndryshimi, zhvillimi, qeverisja e mirë dhe shteti i se drejtës duhet të jenë qëllimi , nëse opozita donë t’i shërbej publikut dhe Republikës.










Jakup Krasniqi: Solidarizim me viktimat e gjenocidit të të ashtuquajturit shtet islamik




E quajtën pa ngurruar ” Pranverë Arabe” e ajo na doli të jetë një kataklizëm për miliona arabë të pa mbrojtur nga ata që thirren ne emër të Allahut! Shumëkush në botë nxiti, bëri thirrje dhe ndihmoj në forma të ndryshme, individ e grupe që ta përhapnin “Pranverën …” Pranverë që shkatërroi e po shkatërron çdo vlerë njerëzore që u krijua ndër shekuj. Po shkatërron kulturën e civilizimit botëror, të cilën kulturë nuk e shkatërruan asnjë luftë (as para e as pas erës sonë), krejt deri në shekullin e XXI! Shekulli që ka mundësi e obligim ta mbroj çdo lloj të trashëgimisë kulturore e fetare. Këtu shtrohet pyetja, nëse arabët i ruajtën ato vende kulturore të sumerëve, persëve, asirasëve, babilonasve e të fenikasve, krejt deri në shekullin e XXI, çka e si ndodhi kjo tani? Si është e mundur që ky rrenim i krijuar nga njeriu ndër shekuj dhe shumë vlera të djeshme e të sotme, të shfaqet me kaq shumë vandalizëm. Si ndodhi që kjo formë ndër më antinjerëzoret të ndodhë në shekullin XXI?


Kush mund të përgjigjet se si ndodhi lindja e monstrumi me emrin Shteti Islamik në djepin e civilizimeve më të vjetra të rruzullit tonë: në atdheun e sumerëve, asirasëve, babilonasve e të fenikasve?


Ekzekutimi me prerje koke i arkeologut sirian Khaled Assad (82 vjeçar!) vetëm e vetëm pse nuk pranonte të tregonte se ku ishin fshehur disa vepra me vlerë të madhe të trashëgimisë kulturore nga antikiteti i qytetit Palmyr është domethënës për vandalizmin dhe synimet e këtij shteti terrorist.


Nuk është e vështirë të dihet se në mbrojtje të kujt bëhet kjo luftë? Cilat interesa mbron kjo krijesë monstuoze që është bërë tmerr për popujt e asaj pjese të globit. Kush mund të jetë indiferent ndaj eksodit të dhimbshëm të popujve të asaj pjese të botës që mediet e kanë kufizuar vetëm në eksodin sirian? I ashtuquajturi Shteti Islamik aplikon gjenocid ndaj çdo gjëje që është ndryshe prej sektës së tyre. Ata synojnë të shkatërrojnë çdo grup fetar, racor, etnik apo kombëtar që dallon nga botëkuptimi i tyre.


Nuk do ta kisha zgjatur më shumë sepse për këtë realitet tragjik mediet kanë informuar gjerësisht. Atë që dëshiroj të bëj publik përmes këtij shkrimi të shkurtër lidhet me qëndrimet që ne duhet të mbajmë rreth kësaj tragjedie njerëzore. Ne shqiptarët që patëm fatin e keq të ballafaqohemi me politikë gjenocidale në fund të shekullit XX duhet të gjejmë format adekuate që me “kaçikun” tonë të dëshmojmë solidaritetin ndaj viktimave të gjenocidit të të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …