Jakup Krasniqi: Letër, zonjës Ulrike Lunaçek


E nderuara zonja Lunacek,


 


            Fillimisht dëshiroj që t’ju falënderoj, për bashkëpunimin që kemi pasur gjatë kohës sa isha Kryetar i Kuvendit të Kosovës (2008 – 2014) dhe mbi të gjitha Ju falënderoj për angazhimet e sinqerta që në kontinuitet keni pasur për Kosovën dhe qytetarët e saj. E vlerësoj lartë edhe qasjen parimore që keni shfaqur në emisionin “INFO BOX” të RTV Dukagjini, ku keni kërkuar që marrëveshja e 25 gushtit për Bashkësinë (Zajednicen) e komunave serbe dhe demarkacioni, të cilat janë kontestuar nga opozita duhet të shkojnë në Kuvend. Reagimi fillestar i opozitës ka qenë për shkakun se Kryeministri (Qeveria) me marrëveshjen e 25 prillit e ka anashkaluar Kuvendin si institucionin që e ka të drejtën kushtetuese për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare a ndërshtetërore.


 


           Të falënderoj për emisionin e cekur, ku në mes të tjerave thatë: “Të dyja (marrëveshjet – nën. im) duhet të shkojnë në parlament dhe nëse nuk do të miratoheshin atëherë do të zhbëheshin. Kështu funksionon demokracia, në të kundërtën marrëveshjet duhet të jenë valide. Unë kam pasur kritikat dhe dilemat e mija për dialogun me Serbinë, dhe qe nga fillimi kam kërkuar që ndërmjetësit evropian të jenë të hapur me publikun. Nëse ju kujtohet këtë ia pata kërkuar lehtësuesit të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, por të njëjtën e kam bërë edhe me ish-ndërmjetësuesen e dialogut, Cathrine Ashton, sepse publiku ka nevojë të di se çka po negociohet dhe po merren vesh palët. Përkundër këtyre dilemave, nëse marrëveshja shkon në parlament dhe miratohet, atëherë nuk kemi se si të mos e respektojmë marrëveshjen”. Cili njeri me përgjegjësi nuk do të pajtohej me ketë qasje?


 


             E nderuara zëvendëspresidente e PE-së, kjo kërkesë e juaja në një vend normal, me demokraci të avancuar do të ishte e pa nevojshme që të bëhej, pasi secili institucion do ti kryente detyrat e tij, konform ligjeve dhe Kushtetutës. Tek ne, sundimi i ligjeve dhe i Kushtetutës është në nivel tepër të ultë dhe duke qenë në ketë nivel, është prodhuar kjo krizë politike.


 


              Në ketë krizë politike e parlamentare, të shkaktuar nga koalicioni qeverisës, edhe po të kthehej marrëveshja e 25 gushtit në Kuvend, opozita është e bindur se në Kuvendin e Kosovës nuk do të kishte një zgjidhje valide për shkak te presionit që zhvillohet mbi deputetet nga shefat e partive te koalicionit. Ketë më se miri e ilustron fakti kur është votuar Gjykata Speciale, ku brenda pak dite deputetët kanë ndërruar mendim, nën një presion të frikshëm. Ndërsa qeveria po punon që friken ta shtrij edhe të opozita në Kuvendi dhe jashtë tij.


 


              Ndërkaq, dërgimi i marrëveshjeve për votim në ketë përbërje të Kuvendit, për opozitën është e papranueshme për shkak te presionit që ushtrohet mbi deputetët. Në rastin tonë, zgjidhja e vetme do të ishte Referendumi qytetar ose zgjedhje të parakohshme ku secili subjekt politik do t’i nënshtrohej verifikimit qytetar dhe pastaj ratifikimi i marrëveshjeve të bëhej në Kuvendin e ri të dalë nga zgjedhjet e reja, ashtu siç keni propozuar Ju. Kjo është zgjidhja pa dhimbje që i duhet Kosovës. Vetëm atëherë do të pushonin të gjitha arsyet e opozitës për kundërshtim.


 


E nderuara zëvendëspresidente, pranoni konsideratat e mija më të larta për korrektësinë dhe urtinë e treguar para opinionit publik të Kosovës!


 


Prishtinë, më 29.10.2015                                                           


Nga ish Kryetari i Kuvendit të Kosovës,                


 Jakup Krasniqi


 


 


Jakup Krasniqi: MSA-ja dhuratë nga opozita


 


Duke e lexuar nenin e 13 të MSA-së, shihet qartazi se zhvillimet e fundit në Kosovë, ndodhitë në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë tij e kanë përshpejtuar nënshkrimin e MSA-së në mes BE-së dhe Kosovës me fusnotë, pra me Kosovën rajon e jo shtet sovran. Kjo thuhet në nenin 2 të MSA-së, i cili thotë:


“Asnjë nga termat, formulimet apo përkufizimet e përdorura në këtë Marrëveshje, duke përfshirë Anekset dhe Protokollet e saj, nuk përbëjnë njohje të Kosovës nga BE-ja si një shtet i pavarur apo nuk paraqesin njohje individuale nga Shtetet Anëtare për Kosovën nëse ato nuk e kanë ndërmarr një hap të tillë”.


Miratimi i kësaj marrëveshje do të thotë: marrje e obligimit për t’i zbatuar marrëveshjet e 25 gushtit të dakorduara në Bruksel mes Isa Mustafës dhe Vuciqit.


Jo vetëm nga kjo që shkruhet në nenin e 13 te MSA-se, na jep të drejtën të konkludojmë se pa reagimet e opozitës ndaj zotimeve të Isa Mustafës të datës 25 gusht 2015, Kosova nuk do të “shpërblehej” as me ketë nivel të MSA-së. Nëse qytetarët e Kosovës duhet ta falënderojnë dike në Kosovë, ky falënderim duhet t’i adresohet Opozitës së Bashkuar dhe assesi atyre që i bënë marrëveshjet e komprementuara. Çmimi që po e paguan Republika e Kosovës për MSA-në është goxha i madh.


Miratimi i MSA-së, Kuvendit ia kthej normalitetin!


Për tu bindur në ketë që po e them lexoni nenin e 13 të MSA-së!


 


 NENI 13


 


 1. Dialogu politik dhe dialogu për politika, sipas nevojës, kontribuojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.


2. Siç parashihet në nenin 5, Kosova zotohet për angazhimet e vazhdueshëm drejt përmirësimit të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë. Ky proces do të sigurojë që të dyja vendet të mund të vazhdojnë rrugën e tyre përkatëse evropiane, duke shmangur bllokimin e njërës apo tjetrës palë në këto përpjekje dhe gradualisht të shpien në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në formën e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, ku të dy vendet do të jenë në gjendje të ushtrojnë plotësisht të drejtat e tyre dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre.


3. Sipas kornizës së mësipërme, Kosova vazhdimisht duhet të:


(a) zbatojë në mirëbesim të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë;


(b) respektoj plotësisht parimet e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal;


(c) zgjidh përmes dialogut dhe frymës së kompromisit çështjet e tjera të pazgjidhura, në bazë të zgjidhjeve praktike dhe të qëndrueshme dhe do të bashkëpunoj për çështjet e nevojshme teknike dhe ligjore me Serbinë;


(d) bashkëpunojë në mënyrë efektive me misionin e Politikës së Përbashkëta të Sigurisë dhe Mbrojtjes përgjatë mandatit të tij dhe do të kontribuon në mënyrë aktive në përmbushjen e plotë dhe të papenguar të mandatit të tij në tërë Kosovën.


4. KSA-ja do të rishikojë rregullisht progresin në këtë proces dhe mund të marrë vendime dhe të lëshojë rekomandime në këtë drejtim. Komisioni i Stabilizim-Asociimit mund të ndihmoj këtë proces në përputhje me nenin 129.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …