Adil Fetahu: Çafrë dobie ka Kosova nga MSA-ja

Pas një pune të  madhe, të mundimshme e të mençur, më 27 tetor 2015, u nënshkrua në Strasburg Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) midis Kosovës*, nga njëra anë, dhe Bashkimit Evropian e vendeve anëtare të saj. nga ana tjetër. Në emër të Kosovës, Marrëveshjen e nënshkroi kryeministri Isa Mustafa, ndërsa në emër të BE-së, e nënshkroi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini. Krahas këtyre, Marrëveshjen e kanë nënshkruar edhe shefi i Grupit Negociator të Kosovës, ministri për integrime evropiane, Bekim Çollaku, dhe komesari evropian për politikë dhe zgjerim, Johanes Han.

 

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogerini, deklaroi se “Kjo Marrëveshje shënon fillimin e fazës së re në marrëdhëniet e Bashkimit Evropian dhe Kosovës, dhe paraqet kontribut të rëndësishëm për stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë rajonit. Me padurim pres hyrjen në fuqi” të Marrëveshjes, deklaroi Mogerini. Ndërkaq, komesari Han me atë rast deklaroi: “Kjo marrëveshje është kthesë në marrëdhëniet BE – Kosovë. Kjo do t’i ndihmojë Kosovës të zbatojë reformat e domosdoshme dhe do të krijojë ambient të volitshëm për tregti dhe investime. Veç kësaj, do ta shpie Kosovën në rrugën e rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe të hapjes së vendeve të reja të punës për qytetarët, veçmas për të rinjët”.

Kryetari i Austrisë, Hajnc Fisher, gjatë qëndrimit në Kosovë (28 e 29 tetor), përshëndeti nënshkrimin e MSA dhe theksoi se Kosova është e rëndësishme për Evropën. Përfaqësuesi special i BE dhe ambasadorët e vendeve evropiane në Kosovë e vlerësuan Marrëveshjen si kthesë të rëndësishme për të ardhmën evropiane të Kosovës, si akt që përcakton suazat kryesore për marrëdhëniet politike, ekonomike e tregtare, duke e përgatitur Kosovën në rrugëtimin evropian.

Nga ana tjetër, kryeministri Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Marrëveshjen e cilësoi si vendim politik të BE-së, në të cilin Beogradi nuk ka mund të ndikojë, ndërsa përfaqësues të partisë DSS të Koshtunicës, deklaruan se me këtë Marrëveshje, Bashkimi Evropian edhe zyrtarisht e ka braktisur pozicionin e neutralitetit lidhur me statusin e Kosovës.

 

Karakteri juridik i MSA-së

 

Teksti i Marrëveshjes akoma nuk është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës, prandaj nuk jemi në gjendje të bëjmë analizë të hollësishme të parimeve, normave e rregullave konkrete që  janë përcaktuar me Marrëveshje. Disa të vetëquajtur analistë, pa e parë fare tekstin e Marrëveshjes, i japin vetes të drejtë të deklarojnë se kjo është një letër pa vlerë, se nuk është kurrëfar hapi drejt integrimit të Kosovës në BE, se me këtë BE nuk e njeh Kosovën si shtet, pasi e shënon me “asterix”,etj. Vlerësime nënçmuese për Marrëveshjen japin varësisht nga opsioni, pozicioni, përkatësia ose simpatia e tyre ndaj partive politike, gjegjësisht ndaj pozitës ose opozitës në Kosovë, duke thënë se Marrëveshjen Kosova nuk e ka nënshkruar si shtet, por me një asterisk (*), ylli, në funt të faqes së parë, që akoma është shenjë se akti (Marrëveshja) nuk prejudikon statusin e Kosovës, dhe se kjo është në pajtim me Rezolutën 1244 të KS të KB dhe me Mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Është normale që MSA bëhet në mënyrën që i përshtatet situatës së vendit partner të Evropës. Por, duhet të kemi parasysh se MSA nënshkruhet vetëm me shtetet e pavarura, që do të thotë, se me këtë nënshkrim, praktikisht Kosova trajtohet si shtet i pavarur e sovran. Sipas Konventës së Vjenës për të Drejtën Kontraktuale, kontrata ndërkombëtare është “marrëveshje ndërkombëtare e lidhur midis shteteve, që është e rregulluar me të drejtën ndërkombëtare (neni 2 i Konventës). Parakusht për ekzistimin dhe vlefshmërinë juridike të kontratës është pajtimi i të dy palëve që lidhen me dispozitat e saj”.

 

Gjithsesi, MSA është një avancim i Kosovës në marrëdhëniet me BE-në. Vërejtja e skeptikëve, se në Marrëveshje parashihet mundësia e shkëputjes në ndonjë segment ose në tërësi, poqese Kosova nuk i zbaton marrëveshjet e arritura me Serbinë, nuk më duket se është qëllimmirë. Fundja, marrëveshjet edhe me Serbinë janë lidhur për t’i zbatuar, dhe ato duhet t’i zbatojë edhe Kosova edhe Serbia. Tërë kohën, edhe tash në bisedimet për kapituj të ndryshëm, Serbisë i vringëllojnë me ato marrëveshje dhe detyrat për t’i zbatuar. Bile, në Platformën e re për bisedimet me Serbinë për anëtarësim, marrëveshjet e arritura dhe bisedimet e ardhshme me Serbinë i kanë “ngritur për një oktavë më lartë”, jo si marrëveshje midis Prishtinës e Beogradit, por midis Kosovës e Serbisë, si dy shtete, sepse nuk ishte fjala për bisedime midis dy qyteteve, por midis dy shteteve.

Përkah karakteri, edhe kontrata (marrëveshja) ndërkombëtare është si çdo kontratë tjetër: kërkohet pajtimi i vullnetit të palëve, me të cilat krijohen të drejta dhe obligime kontraktuale reciproke. Ndërkaq, pajtimi i vullnetit është i mundshëm vetëm me respektimin e reciprocitetit të palëve kontraktuese, qofshin ata persona fizik apo subjekte juridike.

 

 

 

MSA me Kosovën vlen dhe zbatohet (vetëm) për territorin e (shtetit) Kosovës. Serbia e ka nënshkruar MSA-në e vet më 29 prill 2008, në të cilën është thënë shprehimisht se ajo nuk zbatohet në Kosovë (neni 135.par.2 i asaj Marrëveshje), që praktikisht do të thotë se që atëherë e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur e sovran. Fundja, prej 28 shteteve anëtare të BE-së, 23 e kanë njohur edhe formalisht pavarësinë e Kosovës. Edhe ato 5 shtete që akoma nuk e kanë njohur, tash përmes MSA-së janë palë kontraktuale me Kosovën. Qoftë me “asteriks” ose pa te, MSA është dokument bazik i rëndësishëm për t’u përgatitur Kosova në zbatimin e procesit të  integrimit në BE.

MSA ka karakter të një kontrate të dyanshme, që shprehë vullnetin e dy palëve për rregullimin e marrëdhënieve reciproke në një, apo në disa fusha të caktuara. Kjo Marrëveshje përcakton obligime reciproke në shumë fusha e sektorë të lëmisë politike, ekonomike, tregtare, sociale. Marrëveshjet e stabilizim-asocimit, që janë karakteristike vetëm për shtetet e Ballkanit, për t’i stabilizuar ato në pikëpamje ekonomike, juridike, politike e të sigurisë, dhe për t’i përgatitur për integrim në BE, përqendrohen në zbatimin e reformave, respektimin e parimeve dhe elementeve bazë të tregut të përbashkët të BE-së: tregun e lirë; standardet e caktuara evropiane; konkurrencën; mbrojtja e pronësisë intelektuale; bashkëpunimin rajonal; qarkullimin e lirë të njerëzve e të mallrave; prodhimet industriale dhe ato bujqësore; lëvizjen e kapitalit e të fuqisë punëtore; themelimin e kompanive; ofrimin e shërbimeve; harmonizimin e legjislacionit; të drejtat, liritë dhe sigurinë; politikën e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, etj. Po, për t’i ditur hollësisht obligimet që dalin prej MSA për Kosovën, duhet të shihen e analizohen anekset dhe protokollet e shumta, për fusha e prodhime të veçanta.

Me MSA kemi fituar kandidaturën potenciale në rrugëtimin tonë tëgjatë për integrim e bashkim në familjen e madhe evropiane. BE-ja nuk e ka nënshkruar Marrëveshjen për shkak të ndonjë dashurie “platonike” ndaj Kosovës e ndaj shqiptarëve, por për arsye strategjike, të stabilizimit të rajonit. Këtu përputhet edhe interesi ynë kombëtar, politik, ekonomik dhe strategjik. Për të realizuar detyrat tona në këtë rrugëtim të gjatë e të mundimshëm, duhet t’i “përvjelim mangët” dhe të punojmë seriozisht e me përkushtim, duke i plotësuar kushtet një nga një e me standardet që kërkohen. Po të kryejmë detyrat tona, jo për hirë të Evropës por për interesat tona, Marrëveshja do të jep efekte pozitive. Marrëveshja, si një akt i politikës së jashtme është edhe një hap i domosdoshëm para heqjes së vizave, sepse asnjë shteti të Ballkanit nuk i janë hequr vizat para se ta ketë nënshkruar MSA. Po marrëveshja në një mënyrë ka forcuar pozitën politike dhe prestigjin e Kosovës në rajon e në botë, ka institucionalizuar marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe shtetet anëtare të saj, dhe po të kishim një diplomaci të mençur, këtë duhet ta shfrytëzojnë për njohje të reja të Kosovës. Është referencë e mirë për investitorë të huej, ngase imponon reforma, harmonizim të ligjeve e standardeve me ato të BE-së dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Në synimet e përcaktuara me MSA, Kosova do ta ketë mbështetjen politike, ekonomike e materiale të BE-së, që ta kalojë më lehtë e me sukses fazën e tranzicionit, në një ekonomi funksionale dhe zhvillim të qëndrueshëm.

 

Të mirat dhe fitimet i sjell puna dhe durimi, e jo skepticizmi!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …