Arton Musliu: BE- Perandoria e dytë Romake

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës ka aktualizuar pashmangshëm çështjen e legalitetit ndërkombëtar të Bashkimit Europian si subjekt potencial i të drejtës ndërkombëtare. Dhe meqenëse kjo temë është prekur tashmë, atëherëë është më se e nevojshme, mbase e domosdoshme të trajtohet në këndvështrimin juridik- ndërkombëtar. Në këtë rast çështja është kjo: A është Bashkimi Europian subjekt i të drejtës ndërkombëtare !? Rrjedhojë normale e kësaj pyetje është edhe pyetja tjetër: A është Bashkimi Europian Shtet !?

 

Në këtë kontekst së pari është fundamentalisht e rëndësishme të eksplikohet fakti i pandryshueshëm se subjekti më i rëndësishëm dhe themelorë i të drejtës ndërkombëtare është shteti. Shteti në marrëdhëniet ndërkombëtare është paraqitur më herët se sa e drejta ndërkombëtare. Kjo pasi që e drejta ndërkombëtare në momentin e kornizimit si e tillë, ka nënkuptuar tërsinë e normave juridike përmes së cilave do të rregulloheshin ekzkluzivisht marrëdhëniet ndërmjet këtyre shteteve. Subjektiviteti ndërkombëtar i shteteve  është mjaft kompleks dhe vazhdimisht në proces evolutiv. Shteti si subjekt i së drejtës ndërkombëtare para së gjithash dhe mbi të gjitha reflekton të drejta dhe detyrime. Pra një subjekt juridik është i tillë vetëm nëse ka të drejta të cilat i ushtron dhe detytime të cilat duhet t’i përmbushë. Sipas autorit Malcolm N. Shaw, subjektiviteti  në të drejtën ndërkombëtare nënkupton raportin reciprok në mes të drejtave dhe detyrimeve të caktuara nga sistemi ndërkombëtar dhe mundësinë për të kryer veprime juridike.

 

Ndërkaq autori tjetër i të drejtës ndërkombëtare, David Raič, subjektin e të drejtës ndërkombëtare e definon si një entitet i cili mund të ketë të drejta dhe detyrime ndërkombëtare dhe që ka kapacitetin të ushtroi të drejtat e tij në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Sipas tij, njeriu apo bashkësia e njerëzve të orgaznizuar, siç mund të jetë shteti, ndonjë kompani, organizatë jo qeveritare, një minoritet kombëtarë apo një klub futbolli, në shikim të parë duket se kan kapacitet për të qenë bartës të të drejtave dhe detyrimeve në të drejtën ndërkombëtare. Prandaj, kapaciteti për të qenë bartës i të drejtave dhe detyrimeve nuk është faktorë përfundimtarë për ekzistimin e statusit legal të ‘subjektit të së drejtës ndërkombëtare‘.

 

Mirëpo duhet pasur parasysh se  subjektiviteti ndërkombëtar është një fenomen relativ që ndryshon nga rrethanat. Kjo ngase njëri ndër fenomenet më dalluaese të së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore ka qenë ndryshimi i madh i pjesëmarrësve, duke përfshirë shtetet, organizatat ndërkombëtare, organizatat regjionale, organizatatat jo vetë- qeverisëse, kompanitë publike, kompanitë private dhe individët. Në këtë kontekst shfaqet edhe dallimi i dy nocioneve të së drejtës ndërkombëtare. Bëhet fjalë për nocionin e  “subjektit të së drejtës ndërkombëtare” dhe nocionin e  “personit juridik ndërkombëtar”. Subjekt i së drejtës ndërkombëtare është secili entitet i cili bartë të drejta dhe detyrime në të drejtën ndërkombëtare. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se një entitet i tillë është person juridik ndërkombëtar. Sepse, person juridik ndërkombëtar është shteti  i cili është i njohur nga komuniteti ndërkombëtar si i tillë dhe i cili ka kompetenca të palimituara vepruese.

 

Në një  shtet të tillë  ekziston një autoritet qëndrorë politik, si Qeveria, e cila përfaqëson shtetin si brenda ashtu edhe jasht kufijve, në marrëdhëniet e tij ndërkombëtare me personat tjerë juridik ndërkombëtar apo me subjektet tjera juridike ndërkombëtare. Dhe, një shtet i tillë mund të quhet person juridik ndërkombëtar. Dallimi në mes të këtyre nocioneve qëndron në faktin se personi juridik ndërkombëtar ka të drejta të pakufishme  në të drejtën dhe komunitetin ndërkombëtar. Këto të drejta konsistojnë në të drejtën e tij për të bërë marrëveshje, për të paditur dhe për të hyrë në marrëdhënie diplomatike me shtetet tjera të cilat po ashtu jan të pajisura me atribute të tilla. Në këtë drejtim GJND, përmes një Mendimi Këshillues të vitit 1949, ka theksuar se ajo që e dallon subjektin e së drejtës ndërkombëtare nga personi juridik ndërkombëtar është fakti se ky i fundit ka kapacaitete të palimituara. Në këtë Mendim GJND megjithëse konstatoi se OKB ka stutus ligjorë të personit juridik ndërkombëtar, ajo nuk harroi të potencoi faktin se kjo nuk do të thotë se OKB është shtet. E njeta analogji mund të thuhet edhe në rastin e Bashkimit Europian.

 

Sidoqoftë, statusi legal i Bashkimit Europian është i përcaktuar qartë në Marrëveshjen e Lisbonës. Në nenin 3 të saj thuhet se Bashkimi Europian do të ketë  kompetenca ekskluzive në arritjen e marrëveshjeve ndërkombëtare. Pra njëri ndër elementet qenësorë të subjektit të së drejtës ndërkombëtare, e që është arritja e marrëveshjeve, është element edhe i Bashkimit Europian. Dhe, meqenëse arritja e marëveshjeve bie në domenin e Konventës së Vienës mbi të Drejtën e Traktateve, atëher neni 26 i kësaj Konvente sanksionon parimin e përgjithshëm juridik, pacta sunt servanda, sipas së cilit marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen në mirëbesim. Nga këtu rrjedhë edhe obligimi i MSA-së për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Anipse një gjë e tillë politikisht nuk ka qenë e nevojshme. Ndërkaq atributin tjetër i cili ka të bëjë me përfaqësimin diplomatik, Bashkimi Europian e ka zëvendësuar përmes themelimit të EEAS-it( European External Action Service), apo ndryshe siç quhet “diplomacia e përbashkët europiane”.  Një person juridik ndërkombëtar, cili do qoftë ai, në mënyrë që të paraqitet si subjekt i së drejtës ndërkombëtare duhet t’i plotësoj së paku dy kritere.

 

Kriteri parë ka të bëj me ekzistimin e një entiteti i cili është asociacion i shteteve   apo organizatë ndërkombëtare dhe i cili ka qëllime të ligjshme dhe kriteri i dytë ka të bëjë me ekzistimin e dallimit në mes të organizatës dhe anëtarëve të saj në kuptimin e rrespektimit të të drejtave, detyrave dhe politikave në planin ndërkombëtar. Dhe, BE i plotëson të dy këto kritere. BE nga autorë eminent të së drejtës ndërkombëtare konsiderohet si organizim sui generis. Ky status i veqant ka të bëjë si me raportet me shtetet anëtare të saj, ashtu edhe me pozitën e saj në raport me të drejtën ndërkombëtare. Dhe duke qenë se ekzistimin, rrespektivisht themelimin apo ristrukturimin e saj, BE e ka bërë përmes një marrëveshje atëherë mund të themi se apriori ky proces i subordinohet natyrshëm dispozitave juridike pozitive të së drejtës ndërkombëtare në përgjithësi, e atyre që kan të bëjnë me marrëveshjet ndërkombëtare në veqanti. E siç dihet, instrumenti juridik pozitiv ndërkombëtar i cili sanksionon mënyrën dhe kushtet për arritjen e një marrëveshje, qoftë ajo bilaterale apo multilaterale, është Konventa e Vienës mbi të Drejtën e Traktateve.

 

 Sidoqoftë, pozicioni legal dhe politik i Bashkimit Europian është avancuar dhe fuqizuar dukshëm vetëm pas Marrëveshjes së Lisbonës, të vitit 2009. Autori Ramses A. Wessel thekson se në marrëdhënie me shtetet e treta dhe organizatat ndërkombëtare, Bashkimi Europian, si një organizatë ndërkombëtare, është subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Kësisoji BE duhet të rrespektoi të drejtën ndërkombëtare. Kompatibiliteti i legjislacionit të BE –së me të drejtën ndërkombëtare tashmë ekziston. Këtë e thotë edhe neni 21.1 i Marrëveshjes mbi Bashkimin Europian (TEU). Derisa subjektivitetin juridik të BE-së e sankionon neni 47 i Marrëveshjes mbi Bashkimin Europian. Përgjithësisht, Bashkimi Europian është subjekt i veqant i të drejtës ndërkombëtare, me subjektivitet legal ndërkombëtar dhe me kapacitet të plotë për të lidhur marrëveshje me shtetet e treta. Si e tillë, BE, sfidon në mënyrë permanente rendin juridik ndërkombëtar. Mirëpo duhet thënë se kjo organizatë nuk është shtet dhe është larg të qenurit si i tillë. Në kontekstin politik Bashkimi Europian i sotëm është përsëritje ironike e Perandorisë Romake. Një “perandori’ evropiane pa perandor. Për koincidencë, në pjesën më të madhe të historisë së Perandorisë Romake kanë dominuar gjermanët. Ashtu është edhe sot. Vetëm se perandori mungon. Nëse nuk kemi guxim që një epitet të tillë t’ia japim gruas më të fuqishme në botë, zonjës Merkel.  Një “perandori’’ në të cilën po ngrihen mure kufitare, derisa përpjekjet për integrim janë imazhi dëshpërimisht prepotent i po kësaj organizate. Edhe integrimi ynë në këtë “perandori” pa perandor është i pashmangshëm. Ndoshta për shkak se  nuk kemi rrugë tjetër! Apo jo?

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …