Zeqir Bekolli: Vështrim për librin “Pranvera e Lirisë ‘81” të autorit dr. Jakup Krasniqi

“Meritën më të madhe historike dhe kombëtare për rivendosjen e çështjes shqiptare në analet ndërkombëtare e ka sakrifica titanike e shqiptarëve, Lëvizja Kombëtare dhe së fundi Ushtria Çlirimtare e Kosovës e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, që, në fakt, shënon epokën e ndritur të rezistencës kombëtare për çlirim nga sundimi serb/jugosllav për themelimin e shtetit të Republikës së Kosovës,  të shpallur më 17 shkurt 2008”.


 


Libri , “Pranvera e Lirisë ‘81”,  me autor dr. Jakup Krasniqin ,  përmban një vlerësim real për demonstratat e viti 1981, gjithmonë,  duke u mbështetur në rrethanat e kohës, qofshin ato vendore apo ndërkombëtare. Mbështetur në  peshën, rëndësinë dhe masivitetin e demonstratave të ’81-shit, me të drejtë pohohet se nga dimensioni rini studentore-ilegalitet, demonstratat shpejt morën përmasa popullore, sepse atyre iu bashkuan nxënësit, punëtorët, me një fjalë,  të gjitha shtresat popullore, duke i dhënë një masivitet që aso kohe nuk ishte parë në Evropë. Një masë e madhe, prej 1 milion njerëzish të qyteteve  anekënd  Kosovës, brohoritën parullat: “Kosova Republikë!”, “Republikë Shqiptare në Jugosllavi!”, “Bashkim, bashkohuni!”, “Bashkim kombëtar!”, “Republikë, Kushtetutë o me hatër, o me luftë!”, “Trepça punon, Beogradi  ndërton!”   e të tjera , të cilat, më pastaj, jo vetëm që u shndërruan në platformë politike të subjekteve politike shqiptare në Kosovë, por flasin edhe për përcaktimin e popullit se në rast të mosrealizimit të kërkesës për avancimin e statusit të ish-Krahinës autonome në Republikë, do të përdoreshin edhe metoda të tjera. Kjo u dëshmua vetëm pas një decenie të këtyre demonstratave, pikërisht më  30 dhjetor të vitit 1991, në Prekaz, ku nën udhëheqjen e komandantit legjendar Adem Jashari, në një betejë të hapur me forcat serbe, u dëgjuan krismat dhe u regjistruan edhe plagët e para të lirisë. Dëshmitar i kësaj beteje të madhe ishte edhe vetë autori i këtij vështrimi.


Triumfi i idealit


Përballë demonstratave dhe reagimit të masës popullore , Krasniqi nxjerr në pah edhe reagimin e udhëheqjes së atëhershme politike, e cila ndërmjet përkrahjes dhe kualifikimit politik, zgjodhi rrugën për ta mbrojtur platformën politike të LKJ-së, e cila demonstratat dhe kërkesat e saja i vlerësoi si kundërrevolucion dhe mbi këtë bazë nisi represionin, duke përndjekur shqiptarët. Ai, në këtë libër, shkëput edhe një mendim të Fadil Hoxhës, rreth kërkesës së demonstruesve për Republikë. Sipas Hoxhës, një kërkesë e tillë përmes luftës nënkupton “zhdukjen e gjysmës së popullit shqiptar”. Pavarësisht prej kësaj, ideali i qytetarëve të Kosovës triumfoi përballë konstatimit të Hoxhës, për faktin e njohur se liria nuk dhurohet, por ajo fitohet me gjak.


Edhe pse këto ngjarje kishin dimensionet e veta politike dhe propagandistike, sintezës së Krasniqit nuk i shpëtojnë për asnjë çast sakrificat e Asllan Pirevës, Naser Hajrizit dhe ndikimet e  ilegales  dhe rëniet e Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës, Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, rënia e të cilëve përbën një goditje të madhe për Lëvizjen kombëtare. Edhe pse e përballuar me këto sakrifica e flijime, por edhe për efektin që kishin në përpjekjet për çlirim, për autorin , demonstratave ende nuk iu kishte dhënë një vend i merituar, të paktën nuk u ngrit një lapidar, që do të simbolizonte këtë rezistencë, që mori përmasa popullore, në njërën anë, por edhe sinjalizoi botën e civilizuar se kampit socialist po i afrohej fundi.


Në përpjekje për të qenë sa më realist në trajtimin e rolit, fuqisë dhe të ndikimit që patën demonstratat e vitit ’81, reagimin e masës , autori  e sheh edhe në kontekstin e pozitës së palakmueshme, në të cilën u gjendën shqiptarët, që nga pas Lufta e Dytë Botërore.


Ngjarjet e rëndësishme të vitit 1968, të ndikuara nga motoja e rilindësve tanë :”Një gjuhë, një komb e një atdhe”, flasin edhe për frymëzimin dhe përkushtimin e vetë autorit për çështjen e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar. Në këtë plan, Krasniqi edhe ’81-shin e sheh si vazhdimësi të ngjarjeve të mëdha të vitit 1968 siç ishin:  shënimi i 500- vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Demonstratat e vitit 1968 dhe Konsulta gjuhësore për njësimin e gjuhës. Duke përmendur këto ngjarje të rëndësishme, autori njeh meritën e gjeneratave, pa të cilën nuk do të ndodhnin edhe lëvizjet e mëvonshme, por edhe realizimi i disa të drejtave me Kushtetutën e vitit ’74, siç ishte Universiteti dhe një autonomi e kufizuar.


Fryma skënderbegiane


Edhe vitet  ’70, për autorin, përbëjnë një fazë të rëndësishme . Fjala është për botimet e veprave të mëdha me vlerë historike dhe kulturore: “Historia e Popullit Shqiptar”, “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit dhe ngjarje të tjera kulturore. Me ndikim të veçantë, autori e sheh edhe fillimin e botimit të revistës “Zëri i Kosovës” dhe të revistave të tjera, që botoheshin në ilegalitet. Për të dëshmuar këtë ndikim, ai shkëput pasuese nga këto revista, që kishin për porosi mobilizimin e shqiptarëve në tokat e pushtuara nga ish-Jugosllavia për çlirim dhe bashkim kombëtar. Me këtë veprim autori e ndan hisen që ka ilegalja në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.


Edhe manifestimet e mëdha, që ndodhen në Kosovë dhe Shqipëri, me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sipas autorit, kishin ndikim të veçantë në mobilizimin e shqiptarëve , sidomos këto ngjarje kishin ndikim te rinia së cilës asaj kohe i përkiste edhe vetë autori i librit. Pos frymëzimit që përhapi LSHP-ja, e cila forcoi te shqiptarët idenë e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar, merita të pakontestueshme për këtë ide, thotë autori, kanë edhe simboli i rezistencës kombëtare z. Adem Demaçi, Hydajet Hyseni e të tjerë.


Duke parë të pamjaftueshme përpjekjen për të përparuar statusin e Kosovës, për shkak të pengesave,  që aso kohe paraqiste Serbia, autori me të drejtë konstaton se meritën “më të madhe historike dhe kombëtare për rivendosjen e çështjes shqiptare në analet ndërkombëtare, në radhë të parë e sheh te sakrifica titanike e shqiptarëve, te Lëvizja Kombëtare dhe, së fundi, te Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, që, në fakt, shënon epokën e ndritur të rezistencës kombëtare për çlirim nga sundimi serb/jugosllav dhe për themelimin e shtetit të Republikës së Kosovës,  të shpallur më 17 shkurt 2008”.


Pavarësisht prej të gjithave, por edhe të rrethanave të kohës, Pranvera e ’81-it është rezultat i frymës skënderbegiane dhe i rezistencës, që nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore. Ai i vlerëson si mjaft të rëndësishme ndikimet e organizatave ilegale, të formuara në vitet ’60 dhe  ’70 të shekullit XX, sidomos të atyre që kishin krijuar mjetet e propagandës dhe  që kishin shtrirje të gjerë.


Efekti propagandistik


Ndërsa, në kontekstin ndërkombëtar, demonstratat e ’81-shit i sheh si një përpjekje për të sensibilizuar faktorin ndërkombëtar, i cili deri atëherë nuk e kishte idenë se çka po ndodhte me Kosovën. Megjithëkëtë, duke shkëputur citate të gazetave “Der Shpigel” (Gjermani) dhe “Kristian sajens Monitor “ (SHBA), autori përkujton efektin propagandistik që patën demonstratat e vitit ’81, të cilat vrullshëm rikthyen interesimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilat filluan t’i rikujtojnë opinionit botëror dhunën dhe persekutimin që bënë Titoja dhe Rankoviqi mbi shqiptarët etnikë.


Kurse, duke parë reflektimin e këtyre ngjarjeve edhe në planin e brendshëm politik dhe diplomatik , autori Beogradin e sheh në rolin e shtypësit dhe të persekutuesit të një populli të tërë, edhe nga data 26 mars ‘81, kur shpërtheu demonstrata e parë. Përballë kësaj dhune dhe burgosjeve të mëdha, në periudhën e viteve ’81-’91  ( edhe pse vetë ndodhej prapa grilave), autori sheh një guxim e vendosmëri të popullit, që përmes protestave dhe demonstratave të përparohej statusi i Kosovës në Republikë, pavarësisht se demonstruesit vriteshin, shtypeshin  me tanke, me dhunë policore, gjyqe e burgje.


Se sa të rëndësishme ishin demonstratat e vitit ’81, për autorin, flet edhe fakti se “Brumi që organizoi Lëvizjen studentore të ’81-shit , e organizoi edhe UÇK-në, e cila bëri luftën dhe politikën, që bashkë me NATO-n dhe BN-në korren fitoren politiko-ushtarake mbi diplomacinë serbe”. Pra, krahas kontributit të faktorit të brendshëm, autori vlerëson lart edhe atë të NATO-s dhe të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat u mobilizuan deri në atë shkallë për t’i dhënë fund një sundimi serb në Kosovë, që përshkohej me elemente fashiste.


Pos kësaj, Pranvera e ’81-it shihet edhe në kontekstin e fillimit të rrënimit të themeleve dhe të propagandës së ish-Jugosllavisë për gjoja barazi ndërmjet kombeve dhe kombësive, që aq shumë trumbetohej nëpër botë.


Filozofi që përkon me platformën e Hasan Prishtinës


Se çështja e bashkimit ishte edhe filozofi e  veprimit politik të vetë autorit (që përkon edhe me platformën e Hasan Prishtinës, nga duket të jetë ndikuar autori) dëshmon kumtesa e botuar në këtë libër me titull : “Të bashkuar nuk na ndëshkon historia” . Në këtë kumtesë, të prezantuar në pesëmbëdhjetëvjetorin e Pranverës së madhe shqiptare të ’81-it, i bëhet një analizë pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe tendencës serbe për rrënimin edhe të atyre pak të drejtave të shqiptarëve nëpërmjet “Librit të Kaltër” (1977) , platformë e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë, platformë kjo e cila do të fillojë të zbatohet në Kosovë pas vitit 1981.


Në këtë libër, autori, nëpërmjet shembujve konkretë, i kundërvihet me sukses edhe një tendence për t’iu dhënë doza ideologjike demonstratave. Sipas tij, këto demonstrata për bazë kishin platformën për çlirim dhe bashkim kombëtar, e cila u manifestua hapur edhe nëpërmjet kërkesave të demonstruara nëpër rrugët dhe sheshet e qyteteve të Kosovës, ku për asnjë nuancë nuk është  reflektuar asnjë kërkesë ideologjike për “internacionalizmin proletar”, platformë kjo e ish-LKJ-së.


Se vetëvendosja nuk është kërkesë e përdorur së voni, autori do të hulumtojë edhe literaturën, për të konstatuar se e drejta për vetëvendosje, pas Luftës së Dytë Botërore, është bërë edhe normë ndërkombëtare. Ky element vihet në pah, në shkrimin e këtij libri të titulluar: “E drejta për vetëvendosje dhe kundërshtimi serbomadh për Kosovën Republikë”.


Libri përmban edhe biografitë e atdhetarëve të dëshmuar: Fazli Greiçevcit, Kadri Zekës, Tahir e Nebih Mehës, Adem Demaçit, Metush Krasniqit, Rexhep Malës e Nuhi Berishës, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, Fadil Vatës dhe të Ismail Haradinajt, për t’i njohur lexuesit me jetën dhe veprën e tyre. Po kështu, një pjesë e këtij libri përbëhet nga artikuj të rëndësishëm publicistikë të autorit kushtuar Republikës së Kosovës, rolit të Kuvendit të saj, pavarësisë së Kosovës dhe të Shqipërisë e të ngjashme.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …