RKL: Pranimi i Rezolutës 1244 për shkak të këmbënguljes së Serbisë, devalvon pavarësinë e Kosovës

 


Tashmë është tepër i gjatë numri i lëshimeve, që në vazhdimësi, muaj pas muaji, vit pas viti kanë bërë politikanët e Kosovës, qysh prej qershorit të vitit 1999 e deri   tani. Por lëshimet më të dënueshme, që nuk janë riparuar asnjëherë kanë qenë, demobilizimi i UÇK-së, përnjëherë pas luftës në verë të vitit 1999,  pa kushtëzim me pavarësinë e plotë të Kosovës, mungesa e gatishmërisë për ta shtrirë sovranitetin në veri të vendit,  pastaj bisedimet në vazhdimësi me Serbinë dhe pranimi unanim i pakos së Ahtisarit.  Lëshimi, më i dënueshëm ndodhi pas deklarimit të GJND-së, kur politikanët e Kosovës pranuan  rifillimin e bisedimeve me Serbinë, (duke i kamufluar si bisedime teknike), edhe pse Kosova kishte marrë mbështetjen maksimale të Gjykatës dhe kreu politik i Kosovës  nuk kishte më asnjë arsye të koketonte me diplomatët, që ia kanë mbajtur dhe po ia mbajnë anën Serbisë, të cilën vazhdojnë ta “vajtojnë” si viktimë të bombardimeve të NATO-s. Ndërsa akti i fundit i kësaj drame tashmë ka ndodhur në Bruksel, meqë delegacioni i Kosovës ka pranuar  heqjen e fjalës “Republikë” dhe vendosjen  e fusnotës me Rezolutën 1244, në përfaqësimin e Kosovës në rajon dhe në botë.


 


Konsiderojmë se me një veprim të tillë, tërësisht  nënshtrues ndaj presioneve, që në vazhdimësi ka ushtruar dhe po ushtron jo vetëm BE-ja, ndaj vendit tonë, por edhe një segment i politikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, politika aktuale e Kosovës ka hyrë në një rrugë pa kthim, e cila do të pasohet me një revoltë të fuqishme qytetare, pavarësisht se kush do t’ i prijë asaj, Vetëvendosja apo veteranët e luftës së UÇK-së.


Lëshimet e deritanishme, të cilat i kanë bërë në të kaluarën dhe po i bëjnë drejtuesit e institucioneve të Kosovës, po shkojnë në drejtim të pranimit të autonomisë substanciale, që ishte paraparë në Konferencën e Rambujesë të shkurtit të vitit 1999, e cila si duket do të realizohet në tërësi, edhe pse Serbia e kishte hedhur poshtë atë marrëveshje.


 


Dihet mirëfilli se edhe Rezoluta 1244 e KS të OKB-së parasheh një autonomi të fortë për shqiptarët e Kosovës, po aq sa parasheh edhe Pakoja e Ahtisarit për serbët e Kosovës. Rezoluta 1244 pranon një pjesë të sovranitetit të Serbisë në Kosovë, por sanksionon ulësen e  vendit tonë në OKB, nuk lejon krijimin e mirëfilltë të ushtrisë së Kosovës, lejon kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në enklava brenda Kosovës  dhe i hap rrugë krijimit të një identiteti të ri për shqiptarët, identitetit “kosovar “ (të cilin deri tani e kanë pranuar publikisht katër pesë “analistë” me familjet dhe akrabatë e tyre),  ndërkohë që kjo pako e zezë, pranon një status tërësisht autonom  për trashëgiminë, kulturën, historinë  dhe fenë serbe në Kosovë. Të gjitha vendbanimet e Kosovës, fshatra, lagje, qytete, shkolla, spitale dhe të gjitha  institucionet shtetërore, detyrimisht,  në emërtimet e tyre  duhet të shkruhen edhe në gjuhën serbe, madje edhe fshatra e lokalitete krejtësisht shqiptare, ku nuk ka shkelur kurrë këmbë serbi dhe ku një praktikë të tillë nuk e kishin aplikuar as ish regjimet okupatore serbe e sllave.


 


Serbia edhe pse e ka humbur luftën në Kosovë, në qershor të vitit 1999, natyrisht me ndihmesën që i ka dhënë popullit të Kosovës  NATO-ja, ( për fat të mirë pa asnjë viktimë nga radhët e veta), edhe pse nuk u ka kërkuar madje as falje deklarative shqiptarëve për krimet, masakrat, dëbimin masiv nga vendi dhe gjenocidin që ka ushtruar për 87 vjet të sundimit despotik e mizor në trojet e okupuara shqiptare,  edhe pse nuk ka zbardhur as do të zbardh kurrë fatin e 1800 të pagjeturve nga Kosova,  të cilëve pasi u ka marrë organet i ka djegur nëpër shkritore, edhe pse deklaron se kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, edhe pse vendos në kreun e ushtrisë gjeneralë të kanë urdhëruar masakrimin e fëmijëve dhe grave gjatë luftës së fundit në Kosovës, sikur është rasti i gjeneralit Dikoviq, edhe si e tillë politika zyrtare e Beogradit vazhdon ta ketë përkrahjen e shumë shteteve të Evropës e sidomos të BE-së. Nënshtrimi, ndaj këtij qëndrimi antishqiptar, (në esencë qëndrim konstant racist dhe fashist i Serbisë), është i papranueshëm, i dënueshëm kombëtarisht dhe do të dështojë njëjtë sikur kanë dështuar të gjitha marrëveshjet e kësaj natyre me Serbinë, që nga korriku i vitit 1945, por e tërë kjo mund të ketë pasoja dhe zhvillime të paparashikueshme.


 


Andaj politikanët e përgjegjshëm dhe ata që më shumë e dëgjojnë zërin e popullit sesa zërin e koniukturave politike të BE-së, duhet të veprojnë energjikisht, për të mos lejuar kthimin prapa në vitet e para shpalljes së pavarësisë, nëse vërtet i kanë besuar dhe i besojnë aktit të shpalljes së kësaj pavarësie, më 17 shkurt të vitit 2008. Korrigjimin e kësaj pavarësie me fusnota dhe rikthimin e rezolutave gjysmë- robëruese, për hir të partneriteteve apo për hir të pazareve politike, qoftë edhe nga presioni i qarqeve të ndryshme ndërkombëtare, nuk ka të drejtë ta bëjë askush, aq më pak kanë të drejtë ta bëjnë  ata që thirren në vlerat e luftës së UÇK-së, dhe  aq më tepër kur  trumpetohet me të madhe se viti 2012 është shpallur vit kur Kosovës do t’ i hiqet “mbikëqyrja” e pavarësisë.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …