Dr. Shefqet Krasniqi: Identiteti jo ekzistues i “Vehabizmit” dhe politikat hegjemoniste

Java që kaloi ishte mjaft e rëndë dhe e ithtë  për shqiptarët e Ballkanit, zaten ne si popull jemi mësuar me javë e me muaj të jemi të ithtë, bile edhe me shekuj. Kur isha i vogël dëgjoja të vjetrit duke thënë se: ‘shqiptarët janë popull i nemun!’. Atëbotë nuk mund ta kuptoja si duhet atë fjali, por tani më duket se po e kuptoj. E a ka më i nemun sesa dy veta mos m’i gjet bashkë, a ka më i nemun sesa një komb i vogël siç jemi ne të jetë i ndarë e i shkapërderdhur në gjashtë shtete! A ka më i nemun sesa një popull t’i ketë mbi njëqind parti! A ka më i nemun sesa kush të do, me luajt me ne dhe atë  si të ka qejf. Asnjë qytetar shqiptar nuk është i sigurt nga fqinjët e tij, cilëndo pikë kufitare ta kalojë mund të keqtrajtohet, të maltretohet, e qe besa edhe të burgoset pa pikë faji. E faji i vetëm i tij është se është shqiptar. Bile edhe brenda shtetit të tij nuk është i sigurt.


 


Arrestimi i njëzet shqiptarëve  të cilësuar si “vehabistë” në Maqedoni për kinse vrasjen e 5 maqedonasve, pastaj keqtrajtimi i tyre dhe familjeve të tyre ishte një akt shumë i rënd dhe fyes për gjithë kombin tonë. Aq më shumë kur të gjithë ata persona u akuzuan kinse për “vehabistë” dhe se ata janë të rrezikshëm jo vetëm për maqedonasit, por edhe për vet shqiptarët. A realiteti ishte se tek ata të arrestuar asnjë element vehabizmi nuk u gjind, bile kishte nga ta – aq sa mësuam- që as namaz nuk falin.  Në anën tjetër një apo dy ditë më vonë xhandarmëria serbe arrestoi disa të rinj në Luginën e Preshevës pjesëtarë të UÇMB-së kinse për terrorizëm. Vrasja e një shqiptari në Mitrovicë në banesën e tij, përderisa njeriu ishte duke fjetur pa ditur asgjë, burgosjet e kalimtarëve kosovarë në kufi të Serbisë dhe keqtrajtimi i tyre. Të gjitha këto dhe shumë të tjera ishin një grusht i rëndë që iu dha kombit tonë brenda një kohe të shkurtër, e që dëshmojnë praktikisht konstatimin tonë të sipërpërmendur.


 


Megjithatë, rasti i ndodhur në Maqedoni ishte paksa më i rëndë,  për shkak të tentativave të qarqeve sllavo-maqedonase për t’i dhënë ngjyrim fetar. Sigurisht se ju kujtohet deklarata e dhënë nga ministrja Punëve të Brendshme, znj. Jankullovska, e cila, menjëherë pas lajmit për vrasjen e tyre, pati thënë se nuk dyshohet për krim me motive etnike, e që tash, pas arrestimeve të bëra me dyshime për kinse radikalizëm islamik, çështjes i janë vënë shumë pikëpyetje. Athua vallë çfarë synojnë këta me këtë identitet të rremë dhe të shpifur? A mos e kanë bërë si mjet për të ndezur probleme etnike sidomos kur dihet se shumica absolute e shqiptarëve në Maqedoni janë myslimanë?


 


Parimisht, jam kundër kriminelëve. Krimi, siç kam përmendur edhe në një shkrim timin më parë, nuk ka përkatësi. Ata që marrin jetë njerëzish të pafajshëm duhen dënuar. Më ka pëlqyer  përmbajtja e një familjari të njërit prej viktimave, dhe qëndrimi i tij që vrasësit nuk i identifikonte me shqiptarë, as maqedonasë dhe as me radikalistë. Vrasësit –thoshte- kanë vetëm një identitet: vrasës. Por, i çuditshëm, për të mos thënë paradoksal, doli qëndrimi politik, që fajin ua hodhi myslimanëve shqiptarë. Në një operacion, për kryerjen e të cilit u angazhuan 800 policë, u arrestuan shumë veta, ose shumë “vehabistë”, të cilët, për çudinë tonë, kishin shumë gjëra që i bënin të mos identifikoheshin me “vehabizëm”. Madje, sa kuptuam ne, në mesin e tyre kishte edhe të atillë që nuk bënin as namaz derisa kishte edhe gra të moshuara.


 


Andaj të lidhen gjërat me etiketime si “vehabist”, “radikal”  “terrorist” etj. janë shpifje dhe të pa pranueshme. E kamë sqaruar në një artikull vite më parë se nuk ka “vehabistë”, ata nuk ekzistojnë fare. Flitet për diçka që fare nuk ekziston. Por ç’të bësh, kështu e kanë femohuesit. Pate mjekër apo nuk pate, fale namaz apo jo, vetëm pse je mysliman, kjo i pengon ata.  Ajo çka na bëri të mërzitemi edhe më shumë ishte fakti se liderët politikë shqiptarë në Maqedoni heshtën plotësisht, nuk pati asnjë reagim, heshtje kjo që ngjall dyshimin se ata po aprovojnë akuzat e pushtetit me aspirata antishqiptare.


E njëjta gjë gati se ishte edhe në Shqipëri dhe në Kosovë. Ngjarja në Maqedoni ishte frymëzuese për disa pseudopolitikanë në Kosovë. Ata në vend se ta ngrisin zërin për t’i mbrojtur vëllezërit e tyre brenda dhe jashtë kufirit, se po ju shkelet e drejta si në vitet e nëntëdhjeta e më herët,  shkruanin për terrorizmin, duke ua vërtetuar organeve maqedonase deklaratat e tyre të rrejshme dhe u munduan që atë ta lidhin me “radikalizmin” e myslimanëve të Kosovës. Çka t’u thuash atyre pos të mjerët ne kush po na udhëheq dhe çfarë udhëheqës kemi.


 


I vetmi që u prononcua për këto ngjarje dhe që dha kritika me vend, ishte  Jakup Krasniqi, kryeparlamentar i Kosovës, i cili tha se autoritetet e Beogradit dhe ato të Shkupit po kryejnë aksione terroriste. Ai kërkoi që kësaj situate t’i përgjigjen të gjithë shqiptarët bashkërisht. Ai shfaqet kritik edhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke thënë se Brukseli nuk duhet ta lejojë destabilizimin e Ballkanit.


 


Po të nderuar, plotësisht pajtohem me kryeparlamentarin se faktori ndërkombëtar ka një pjesë të madhe të fajit, sepse e di mirë që shqiptarët janë populli më i urtë dhe më i pafajshëm. Ata e njohin kokëfortësinë dhe rebelimin e serbëve dhe të maqedonasve. Askujt nuk i fshihet ekstremizmi dhe radikalizmi i kishës ortodokse serbe dhe asaj maqedonase, por askush nuk ngrit zërin kundër tyre, e mjerisht as vendasit, e që mbi ta bie përgjegjësia kryesore. Ngase çka presim ne nga ndërkombëtarët kur ne vet nuk i mbrojmë qytetarët tanë. As Kosova e as Shqipëria nuk iu dalin në krah qytetarëve të vet që keqtrajtohen kudo që shkojnë. Partitë politike shqiptare në Maqedoni “i kanë shti veshët në lesh” duke iu nënshtruar pushtetit maqedonas për disa copë karriga në parlament. E në anën tjetër mes veti “dojnë me u pre e me u gri”. Andaj siç jemi, edhe punët i kemi.


 


Nuk kam pikë dyshimi se burgosjet e shqiptarëve nga shteti maqedonas dhe ai serb kanë qëllime të shumta e tendencioze, ndër to: lufta kundër Islamit dhe ndalja e hovit të tij që për çdo ditë është në shtim e sipër. Pastaj zbehja e imazhit të tyre para faktorit ndërkombëtar, kinse ju po i ndihmoni shqiptarëve, a në realitet ata janë “të dëmshëm” ngase janë “terroristë, vehabistë” etj. Në mënyrë që sa më shumë t’iu zhagitet kosovarëve inkuadrimi në strukturat evropiane.  Thuajse Evropa nuk na njeh neve dhe nuk e di se kush jemi ne.  Shqiptarët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë faktor stabiliteti në rajon, kanë qenë shembull për tolerancë fetare dhe do të jenë, por nuk do të pranojnë nënçmimet pafundësisht.


 


Mirëpo faktori ndërkombëtar deri më tani nuk ka bërë aq sa duhet që të zgjidhet problemi i shqiptarëve njëherë e përgjithmonë, qoftë në Kosovë, ku kemi problemin e veriut, qoftë në Maqedoni ku nuk po implementohet Marrëveshja e Ohrit dhe si rezultat i kësaj po shkelen të drejtat e shqiptarëve dhe se ata atje po trajtohen si njerëz të shkallës së dytë, apo vende tjera të banuar me shqiptarë. Por pa u rregulluar vet, dhe pa punuar vet për veten tënde aq sa mundesh, mos kërko ndihmë nga askush dhe mos të të jetë hatri nga askush. Andaj defekti kryesor është tek ne shqiptarët.


 


Pas atyre arrestimeve pati protesta masovike në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës, bile së fundi edhe në Shqipëri, veç në Kosovë jo. Unë i përkrahi shumë ato protesta dhe i shoh të domosdoshme dhe një nga rrugët që duhet ndjekur për ruajtjen dhe mbrojtjen e shqiptarëve kudo që janë. Në fund thërras për bashkëpunim sa më të madh ndërmjet nesh, për unifikim të qëndrimeve, për ruajtje të traditës islame, e cila ka shpëtuar identitetin kombëtar nga asimilimi dhe ka bërë që shqiptaria të ruhet ndër shekuj. Të jemi sa më të vëmendshëm, vigjilent dhe syçelë ndaj intrigave të fqinjëve tanë ortodoks, të cilëve vazhdimisht po ua shohim sherrin.


Allahu i Madhëruar na ruajt! Mirë u takofshim javën e ardhshme!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …