Jakup Krasniqi: Në PDK nuk ka pasur zgjedhje, por emërime të parapërgatitura për të eliminuar njerëzit më të votuar nga qytetarët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi përmes një deklarate për medie ka theksuar se qëndron vendosmërisht në deklarimet e bëra në letrën e 25 janarit 2013, ku ka theksuar qartë se nuk dëshiron të jetë as pjesëtar e as pjesëmarrës i Kongresit të quajtur Konventa VI Zgjedhore e PDK-së. Ai thënë se në PDK nuk ka pasur zgjedhje, por emërime të parapërgatitura për të eliminuar njerëzit më të votuar nga qytetarët e ngritur njerëz të verifikuar vetëm si servilë. Unë nuk pranoj “dhurata” të tilla dhe nuk më nderon radhitja e emrit tim në një forum të pazgjedhur dhe të emëruar arbitrarisht, ku shefi ndanë poste partiake, ashtu si ka ndarë edhe poste qeveritare, si dhurata e lëmosha nën petkun e solemnitetit, pa asnjë kundërshtim nga të pranishmit. Pikërisht këtë unë e quaj fatkeqësi politike për partinë e për anëtarët e ndershëm të saj. Kategoria e këtillë e “mëshirimit” dhe e “zemërgjerësisë” për mua është një dënim. Gjëra të këtilla, edhe në rrethana më të vështira në jetën time, kurrë nuk kam pranuar dhe as i pranoj, sikundër nuk e njoh as e pranoj dënimin e tillë, ka thënë mes tjerash në deklaratën e tij publike, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

  

Deklarata e  plotë publike  e Jakup Krasniqit

 

Nisur nga pëshpërimat e hamendësimet mediale, herë me zë e herë pa zë, e ndiej të nevojshme që edhe një herë ta njoftoj anëtarësinë e PDK-së dhe opinionin publik se qëndroj vendosmërisht në deklarimet e bëra në letrën e 25 janarit 2013 ku kam theksuar qartë se nuk dëshiroj të jem as pjesëtar e as pjesëmarrës i Kongresit të quajtur Konventa VI Zgjedhore e PDK-së, sikundër edhe u provua.

 

Pas zgjedhjes (pa vullnetin dhe praninë time në Këshillin Drejtues të kësaj partie) e ndiej të nevojshme që edhe një herë ta përsëris se në asnjë formë nuk dëshiroj të jem pjesë e atyre strukturave që kanë dalë nga zgjedhjet antistatutore. Zgjedhjet e zhvilluara kohë më parë në PDK, në asnjë nivel nuk qenë të rregullta, përfshirë këtu edhe Kongresin Zgjedhor të saj. Rrjedhimisht kësaj, unë nuk e njoh as “produktin” e këtij procesi “zgjedhor” finalizuar nga një Konventë jolegjitime.

 

Duke qenë njeri me vokacion politikani për një kohë të gjatë, vazhdoj me këmbëngulësi konsulenca, interesime dhe shestime idesh me anëtarë të niveleve të ndryshme të partisë. Këtu përfshihen edhe të interesuar të tjerë që presin ndryshime pozitive në skenën politike të Kosovës, që presin një qeverisje të mirëfilltë, ndryshe nga çfarë e kishim deri tani. Gjithnjë për aq sa ka hapësirë e mundësi veprimi në rrethana të këtilla, të cilat nuk mund të shpërthehen pa një kulturë demokratike të reagimit qytetarë për ndryshime të thella e pozitive në shoqërinë tonë.

 

Dua t’ju siguroj, me këtë rast, se asnjë veprim nuk e bëj udhëhequr nga ndjenja e inatit apo interesit personal, por, para së gjithash, nga parimi i interesit të vendit dhe të qytetarëve për zhvillim, integrim dhe sundim rendi e ligji.

Kosova sot, më shumë se kurrë, ka nevojë imediate për një drejtësi shoqërore dhe për një menaxhim ndryshe të pasurisë kombëtare, njerëzore e materiale. Jam i bindur se në këto fusha të rëndësishme të jetës, gjatë këtyre viteve, ka pasur shumë keqpërdorime. Është koha e fundit që këto dukuri të shëmtuara të ndërpriten, sikundër jam thellësisht i bindur se kjo nuk mund të bëhet pa mbështetje e vullnet qytetar.

 

Jam i vetëdijshëm, ndërkaq, se partia të cilën e kemi ndërtuar së bashku me shumë mund e angazhim, mbase edhe më shumë se kaq, është uzurpuar padrejtësisht dhe për interesa krejt personale e klanore dhe jashtë çdo procedure demokratike. Edhe kryesia e emëruar e PDK-së nuk është legjitime, rrjedhimisht as anëtarët e saj të emëruar në një takim formal ku u ftuan anëtarët e një Këshilli Drejtues, po ashtu të dalë nga një votim i dyshimtë, numëruar e radhitur sipas preferencave për tre ditë, pas një votimi të mbajtur nën siglën e Konventës së PDK-së, (konventë që nuk dihet se në ç’rrethana u emërua si e tillë në Hotelin Emerald, më 26 janar 2013) disa ditë para mbajtjes formale të saj.

 

Unë nuk mund të jem produkt spekulativ i një veprimtarie të tillë fund e krye të paqartë dhe të dyshimtë e, mbase, edhe diversive!

 

Përfundimisht, Kryesia e emëruar nga një njeri dhe e miratuar me aklamacion (vullnet të detyrueshëm) nga të gjithë, duket si një dhuratë e shefit për të preferuarit e tij, ku edhe emri im është përfshirë padrejtësisht dhe vetëm për spekulim publik, si një pozë zemërgjerësie e mëshirimi.

 

Unë nuk pranoj “dhurata” të tilla dhe nuk më nderon radhitja e emrit tim në një forum të pazgjedhur dhe të emëruar arbitrarisht, ku shefi ndanë poste partiake (ashtu si ka ndarë edhe poste qeveritare), si dhurata e lëmosha nën petkun e solemnitetit, pa asnjë kundërshtim nga të pranishmit. Pikërisht këtë unë e quaj fatkeqësi politike për partinë e për anëtarët e ndershëm të saj.

Kategoria e këtillë e “mëshirimit” dhe e “zemërgjerësisë” për mua është një dënim. Gjëra të këtilla, edhe në rrethana më të vështira në jetën time, kurrë nuk kam pranuar dhe as i pranoj, sikundër nuk e njoh as e pranoj dënimin e tillë.

 

Së këndejmi kam shprehur haptazi qëndrimin tim dhe kam denoncuar vendosmërisht devijimin që po bëhej në mënyrë të organizuar, në emër të një Kongresi Zgjedhor në PDK, i cili vetëm me zgjedhje nuk kishte asgjë të përbashkët dhe në asnjë nivel të organizimit zgjedhor.

 

Ata që luajnë në emër të votës dhe imponojnë vullnetin e Të madhërishmit pa alternativë, janë vetëm manipulues të publikut dhe mbi të gjitha keqtrajtues të anëtarësisë së ndershme të PDK-së. Ky as ka qenë e as është vullneti i anëtarësisë së PDK-së. Në këtë proces, gjoja zgjedhor, është shkelur e drejta më elementare e njeriut në demokraci për të qenë i zgjedhur dhe për të zgjedhur! Këtu natyrshëm shtrohet pyetja: Njerëzit e emëruar në këtë mënyrë, çfarë perspektive ofrojnë për demokracinë, për institucionet demokratike të shtetit që drejtojnë, për qytetarët që dëshirojnë t’u shërbejnë e t’i integrojnë në institucionet euroatlantike!?

 

Të nderuar qytetarë,

 

Nga e gjithë kjo më rezulton se në Partinë Demokratike nuk ka pasur zgjedhje, por emërime të parapërgatitura për të eliminuar njerëzit më të votuar nga qytetarët e ngritur njerëz të verifikuar vetëm si servilë. Rrjedhimisht del se PDK-ja është uzurpuar për të imponuar pushtet mbi njerëzit, pse jo edhe mbi pasurinë e kombit. Nëse nuk qe e mundur t’i largojmë uzurpatorët me një proces të rregullt zgjedhor, unë, të paktën nuk pranova të jem pjesë e tyre.

 

Kur i kërkuan Dantes të kthehej në vendlindje pas dëbimit, ai tha: “Nëse nuk ka rrugë tjetër të kthimit në Firencë, përveç rrugës së nënshtrimit e përuljes, asaj rruge nuk do të kthehem kurrë”. Edhe në rastin tonë, rruga e vetme për të ecur përpara me dinjitet, është të ecurit vertikalisht për një qëllim të lartë politik, njerëzor e demokratik.

 

Vendimet e vështira që nuk varen nga individi duan kohë dhe maturi për tu marrë. Duke i qëndruar besnik parimit të transparencës zotohem se në kohën e duhur do ta bëj publik veprimin tim të më tejshëm politik, gjithnjë në interes të qytetarit të Kosovës. /Telegrafi/

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …