Monika Stafa: Analfabet me diplomë!

Një prej lajmeve më tronditëse për botën shqiptare gjatë muajit të fundmë ishte ai për rritjen absolute të analfabetizmit funksional. Sipas një njoftimi zyrtar të Bankës Botërore, në Shqipëri gati më shumë se gjysma e nën 15-vjeçarëve shqiptarë janë analfabetë funksionalë. Një shifër e tillë nuk është raportuar kurrë më parë dhe i përket shkallës së vendeve të prapambetura.

Gjatë dekadës së fundme cilësia në arsim në Shqipëri ka rënë ndjeshmërisht. Fushatë pas fushate, në vend që arsimi të ishte përparësi e rritjes, duke pasur parasysh se shqiptarët sot e ndoshta dhe për shumë kohë do të jetojnë me mitin e shkollës dhe të arsimit, në fakt ka ndodhur e kundërta, politizimi i shkollës, i programeve, i mësimdhënies, i nxënësve dhe mësuesve, i kohës për shkollë. Puna shkoi deri atje sa të hapej një diskutim tejet fiktiv, për ofrimin hipokrit të së drejtës për votim, pa të drejtën për t’u zgjedhur, të rinjve prej moshës 16 vjeç, megjithëse pikërisht kjo grupmoshë ndodhet në krizën e formimit dhe paformimit, në analfabetizëm funksional, që është dhe më i rrezikshëm se analfabetizmi literal.

 

Një prej zhvillimeve më të frikshme të zhvillimit të arsimit në dy dekadat e fundme është krijimi i dy elitave – i asaj reale, si rregull dhe të nënçmuar dhe të dekurajuar, dhe i një tjetre, fiktive, që mbahet me fuqinë e titujve zyrtarë, më saktë të titujve të fituar me vendime qeveritare. Dhe kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të degradimit të sistemit arsimor.

Problemi më i ndërlikuar i sistemit arsimor në Shqipëri është paqëndrueshmëria formale-juridike e tij. Në botën akademike shqiptare sot ka akademikë-anëtarë, akademikë nderi, akademikë me korrespondencë, akademikë të liruar, akademikë të përjetshëm, akademikë të pezulluar, siç ka doktorë me doktoratë, doktorë pa doktoratë (të titulluar me vendime qeveritare shumë vite më parë, mjafton të kishin mbrojtur një disertacion të shkallës së dytë), doktorë me tituj të hequr, doktorë me tituj të rinjohur dhe kështu në një amulli të pafundme edhe për titujt master, diplomë e nivelit të dytë, diplomë e shkallës së dytë etj. Në fakt, kjo tregon se në Shqipëri mungon një strategji e sistemit arsimor. Sepse me të njëjtin ritëm ndryshojnë matura, kurrikulat, programet, kurset e lëndëve që mësohen, orientimet, testet, deri dhe zotimet ndaj Kartës së Bolonjës.

 

Duke iu referuar të dhënave statistikore zyrtare që rezultuan nga Census Albania-2011, në arsim ka ndodhur një feminizim i dukshëm i procesit. Nëse dallimet gjinore në raportet e brendshme të popullsisë nuk janë më shumë se një për qind, dallimet në formimin arsimor janë më të mëdha. Dhe për këtë nuk është e nevojshme të kalohen nëpër duar statistika të mëdha. Mjafton të shihen listat e kandidaturave fituese për formimin në shkallën e dytë dhe do të vërehet se femërorizimi i arsimit është më i dukshëm se ai që raportohet. Kjo nuk ka asnjë të keqe. Por e keqja shfaqet kur vërehet se sa shumë pak gra ka në vendimmarrje, në qeverisje, në administrim, në pushtetet e tjera, ku gruaja punësohet, rekrutohet dhe stabilizohet me shumë vështirësi. Zyrtarisht, kjo është e rregulluar me formulën “një në tre”, që do të thotë 30 për qind e funksioneve zyrtare duhet të jenë të rezervuar për gratë, ndonëse edhe kjo pabarazi nuk është garantuar asnjëherë, megjithëse është duartrokitur aq shumë, madje dhe nga zonjat.

Jashtë çdo dyshimi, mësimdhënia është profesion i vështirë, por ai bëhet dhe më i vështirë duke mos u vlerësuar me shpërblimin e merituar nga ana financiare. Sot flitet për dhjetëra mijë kilometra rrugë, së paku sa gjysma e Ekuatorit; për qindra mijë fatlumë që do të punësohen, së paku sa një e katërta e atyre që llogariten zyrtarisht të punësuar në Shqipëri; por për të ardhmen e edukimit shkollor thuajse nuk thuhet asgjë.

Ndërkohë, në arsim ka tashmë jo vetëm një diskriminim pozitiv, nëse mund të quhet kështu mbikualifikimi i vajzave, por dhe shumë forma diskriminimi negativ: me bazë origjinën, statusin social, dallimin krahinor-etnik e kulturor dhe shumë forma të tjera. Neni 2 i Kartës së UNICEF-it, nënshkruar edhe nga Shqipëria, thotë se “shtetet palë angazhohen të respektojnë të drejtat e përmendura në këtë Konventë dhe t’ia garantojnë ato çdo fëmije, që përfshihet në juridiksionin e tyre, pa asnjë lloj dallimi, pavarësisht nga raca, ngjyra, gjinia, gjuha, feja, opinioni politik ose çdo opinion tjetër, nga origjina kombëtare, etnike ose shoqërore, pasuria, paaftësia, prejardhja familjare apo çdo gjendje tjetër e fëmijës ose prindërve të tij ose përfaqësuesve të tij ligjorë”.

 

Sistemi shkollor po rekruton nxënës me përgatitje të ulët, me disponim të vrarë, me interesa të zhubravitur, për shkak të mungesës së interesit në këtë fushë. Nota e ka humbur tërësisht vlerën motivuese, sepse notën më të mirë e merr më i pasuri, ai që ka mundësi të paguajë kurset e pasdites, fatlumi që ka prindër që duan t’i heqin qafe duke ua përballuar koston e blerjes. Dhe kështu vlerësimi i nxënësve është krejt i pabesueshëm, as vetë ata nuk u besojnë notave që u shënjohen në dëftesa.

Sistemi arsimor është sot më shumë hipokrit se kurrë. Mësuesi merret me nxënësin pasdite, sepse i bën detyrat kundrejt pagesës, kurse paradite përqeshet me të. Nuk janë vetëm universitetet private ato që kanë krijuar dyshimin e madh për vlerën e diplomave dhe të titujve. Janë po aq dhe kurset private, që konkurrojnë shkollën vetë. Dhe kështu njeriu shqiptar paguan dy herë taksa arsimi: një herë përmes kontributeve që i mbahen nga paga dhe një herë tjetër përmes pagesave në duar të mësuesve privatë. Dhe më e keqja prej të gjithave është se kjo miratohet me shumë zemër si nga ai që paguhet, ashtu dhe nga ai që paguan. Ku ka më krizë se kjo, kur të dyja palët pajtohen e janë të kënaqura?

 

Shpesh jemi të njoftuar se si nxënësit janë bërë instrumente të fyerjes dhe dhunës fizike e psikologjike në shkollë. Megjithëse një vend i vogël, ku të gjithë bien kushërinj me njëri-tjetrin, a nuk ndodhi pikërisht disa ditë më parë dhe një episod dhune seksuale në qytetin e vogël të Rrëshenit, ku mësuesi duhej “të ngrinte nivelin” e nxënëses në anglisht, duke e ftuar për ta ndihmuar në apartamentin e tij? Dhe kur kjo ndodh në një qytet si Rrësheni, si mund të përfytyrohet abuzimi me një brez të ri në kryeqytet dhe në ato që quhen “qytete metropole”?

 

Korrupsioni, dhuna në shkolla, janë rritur, dhe tani së fundmi janë shtuar dhe kërkesat eksplicite për shërbime seksuale ndaj pedagogëve: për notën kaluese apo dhe për rezultate më të mira, për të fituar një provim a një konkurs, për një mundësi regjistrimi a transferimi në shkollë. Neni 19 i Kartës së UNICEF-it thotë: “Shtetet palë marrin të gjitha masat legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative për mbrojtjen e fëmijës nga çdo formë e dhunës fizike ose mendore, fyerja ose keqtrajtimi, braktisja apo mospërfillja, nëpërkëmbja ose shfrytëzimi, përfshirë abuzimin seksual, për sa kohë që ai është nën ruajtjen e prindërve të tij ose të njërit prej tyre, të përfaqësuesit ose përfaqësuesve të tij ligjorë ose të çdo personi tjetër të cilit i është besuar”.

Thuhet se arsimi në Shqipëri është popullor, përmenden shifra të bujshme që një në tre shqiptarë është duke mësuar. Dhe kjo mund të jetë e vërtetë. Por a nuk ka lidhje komprometimi tërësor i sistemit universitar pikërisht me politikën e popullarizimit, që në thelb ka pasur një qëllim tjetër, zbutjen e papunësisë, heqjen e rinisë nga rruga dhe mbylljen në auditorët ku kultivohet analfabetizmi funksional? Kjo mund të duket e pabesueshme, por statistikat flasin shumë qartë e diskriminimi është dukuri e stabilizuar në arsimin në Shqipëri. Pyetur shumë thjesht, statistikat thonë se bursat për sistemin e mesëm janë të zbatueshme vetëm në qytete, ndërsa në gjysmën tjetër të vendit as që bëhet fjalë për mekanizma zbutës të pabarazisë. Madje në vitin e fundit, as bursat e mesatares dhjetë nuk janë dhënë. Fëmijët e talentuar nuk marrin mbështetjen e merituar për talentet që dëftejnë.

 

Ndonëse universitetet private janë më të përfolurit për shitjen e diplomave (madje dhe në shkallë ndërkombëtare: kush nuk e di historinë e Bossi-it Junior me diplomën e tij të fituar me dy ditë qëndrim në Tiranë), statistikisht del se studentët nga universitetet shtetërore diskriminohen në tregun e punës. Në fakt, ata diskriminohen që kur hyjnë në universitet, sepse taksat e shkollimit dhe sidomos tarifat e akomodimit në konviktet e tyre janë rritur progresivisht vitet e fundit. Dhe ndoshta kjo është e vetmja taksë progresive ku palët politike pajtohen në heshtje dhe e shkarkojnë koston te njeriu i punës.

Sa u takon të drejtave të nxënësve me aftësi të kufizuara për të mësuar në shkollën më të afërt dhe jo për t’u getoizuar në shkolla të veçuara sipas mangësisë (dëgjimit, shikimit, zhvillimit mendor), duke përgatitur filmin dokumentar “Unë jam si ju”, kam pasur rastin të njihem me një gjendje dhe më kritike. Në fakt, strategjitë arsimore ende në Shqipëri mendojnë edukimin arsimor duke respektuar jo barazinë, por dallimin.

 

Çfarë mund të ndryshojë në rrjedhën e viteve të ardhshme? Do të ishte e mirëpritur që mësuesit të përzgjidhen në bazë të cilësive profesionale dhe të përgatitjes akademike. Në mënyrë më të qartë: që të zhvillojnë mësim sipas diplomës që kanë marrë, jo agronomi të japë pedagogjinë dhe veterineri bukurshkrimin. Nxënësit ndihen të rënduar nga ngarkesa fiktive dhe do të ishte e arsyeshme që kurrikula shkollore të jetë më e afërt me interesat e tyre dhe sidomos që të rregulloheshin raportet në drejtimin e sistemit, jo një me tre, por një me një. (Gazeta “Shqip”).

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …