RKL: NATO-ja nuk e kishte rolin e Armatës së Kuqe me rastin e bombardimit të Serbisë

Fushata e EULEX-it kundër UÇK-së ka nxjerrë në sipërfaqe qëndrime jo parimore të disa ish dhe tani diplomatëve të ndryshëm të botës, të cilët po bëjnë përpjekje jo vetëm ta minimizojnë luftën dhe qëndresën e popullit shqiptar për liri e barazi, por disa syresh shkojnë aq larg sa nuk duan ta përmendin as edhe një pikë gjaku të derdhur të shqiptarëve që ranë me armë në dorë duke luftuar regjimin kriminal serb të Milosheviqit.


Ky qëndrim, mjerisht vjen edhe nga disa diplomatë, nga shtetet mike të Kosovës, të cilat e kanë udhëhequr fushatën e bombardimeve nga ajri  kundër makinerisë  së regjimit të Milosheviqit.


Duam të besojmë që në fillim se nuk kemi të bëjmë me një fushatë të tyre kundër UÇK-së, por nuk mund të besojmë kurrë se po të mos kishte intervenuar  NATO-ja, Serbia do t’i kishte zhdukur dy milionë shqiptarë. Lufta për çlirimin e vendit natyrisht se do të ishte vonuar, do të ishin shumëfishuar sakrificat dhe shqiptarët liridashës, nga të gjitha trojet e Atdheut do të ishin bashkuar në një luftë kundër një agresori, sikur ishte lufta Antifashiste e shqiptarëve kundër pushtimit italian e më vonë atij gjerman. Në një luftë të tillë nuk do të kishin qëndruar indiferente as disa nga shtetet mike të shqiptarëve, ndërsa besojmë thellësisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, edhe në një rast tjetër do ta kishin përkrahur, madje edhe do ta kishin ndihmuar luftën e drejtë të shqiptarëve për çlirim nga robëria serbe.


Është për keqardhje kur diplomatë të nivelit të lartë shtetërorë të Gjermanisë dhe Anglisë apo edhe të Amerikës, deklarojnë se ata e kanë çliruar Kosovën dhe ua shohin për të madhe shqiptarëve liridashës, që nuk heqin dorë nga vlerat e luftës dhe nga gjaku që është derdhur gjatë një lufte të pabarabartë në teknikë, por me epërsinë morale të kombit, që dinte për çka luftonte dhe mu për këtë edhe mori simpatinë e shteteve demokratike përparimtare të botës.


 


Nëse ata,  këtë botëkuptim e kanë krijuar nga imazhet e shqiptarëve pacifistë, që binin para tankeve për ta uruar NATO-n, me rastin e hyrjes së trupave këmbësore në Kosovë,  duhet t’ iu bëjmë me dije se ata që përkuleshin deri në marrëzi para tankeve e trupave të NATO-së, soji i tillë dikur i ka përshëndetur edhe partizanët serbë të Titos, por edhe ushtarët italo-gjermanë. Ata, ishin nga mesi i shqiptarëve, të cilëve gjatë luftës iu kishte rrëshqitur nën këmbë toka e atdheut dhe në vend që të luftonin e të qëndronin trimërisht,  kishin treguar se më shumë e donin jetën, qoftë edhe në dhe të huaj e nën robëri,  sesa sakrificën e jetës  për ta çliruar vendin. Imazhet e tilla kanë qenë spontane, ditore, edhe pse duhet pranuar një fakt kokëfortë se një pjesë e madhe e shqiptarëve në vazhdimësi, madje deri në nivel të neveritshëm, i  ka përkrahur të huajt dhe pa ndonjë presion të madh është vënë në pozitë të skllavit e vasalit. Mjerisht, përkrahës të të huajve kemi edhe sot e kësaj dite, në të gjitha nivelet e jetës së organizuar shoqërore e politike.


 


NATO-ja nuk mund të krahasohet me Armatën  e Kuqe të Stalinit, e cilarealisht edhe i ndihmoi popujt sllavë për t’ u çliruar nga Gjermania fashiste e Hitlerit. Por ushtarët e Armatës së kuqe, luftuan ballë për ballë kundër forcave fashiste dhe qindra mijëra prej tyre ranë duke e çliruar Ukrainën, Moldavinë, Rumaninë, Poloninë, Jugosllavinë, Bullgarinë e shtete të tjera të Ballkanit e të Evropës, por asnjë “ushtar i kuq” nuk ra në luftë për çlirimin e Shqipërisë. Rusët çlirimtarë, pas luftës dhe fitores mbi fashizmin edhe kishin të drejtë ta konsideronin veten si çlirimtarë, sepse të tillë edhe kishin qenë. Dhe, për fatin apo fatkeqësinë e popujve të çliruar nga Armata e Kuqe, Stalini nuk i kurseu qeveritë kuislinge të tyre, as kolaboracionistët, por as  pjesëtarët e kombeve, të cilët i kishte çliruar, apo u kishte ndihmuar të çliroheshin. Rusët, pas Luftës së Dytë Botërore, në çdo mospajtim apo kundërshtim të shteteve aleate, u përmendin popujve dhe qeverive të tyre se i kishin çliruar, andaj kërkonin që ta atë rrinin urtë e butë.  Kjo është thënë më shkurt e më troç, sesa po e parafrazoj me këtë rast.


 


Në luftën 78 ditore të NATO-s  kundër Serbisë, gjatë bombardimeve nga ajri nuk është vrarë asnjë oficer i kësaj Aleance, asnjë ushtar, asnjë pilot, asnjë diplomat, asnjë qytetar i vendeve anëtare të NATO-s. Kjo ishte çudia e kësaj lufte, që po ndodhte në 50-vjetorin e themelimit të Aleancës Veriatlantike, e cila gjatë tërë atyre viteve kishte ndërmarrë të vetmin intervenim mbi një shtet, sikur ishte Serbia e mbetur nga shpërbërja e ish RSFJ-së.


Po ashtu duhet të mos harrojmë për asnjë çast, se NATO-ja bombardoi makinerinë ushtarake serbe, caqet e paracaktuara ekonomike dhe logjistike, kazermat pa ushtarë, por nuk i ndëshkoi  serbët të cilët  unanimisht ,me 96 për qind  e kishin përkrahur dhe e kishin  mbështetur regjimin e Milosheviqit.


 


Ne i kemi heshtur pësimet e popullatës civile shqiptare, nga avionët e NATO-s duke i interpretuar si gabime gjatë goditjeve. I kemi heshtur edhe sulmet e drejtpërdrejta të avionëve francezë kundër bazave të UÇK-së, po ashtu duke i minimizuar dhe duke i paraqitur si gabime të mundshme, që bëhen gjatë çdo lufte me përmasa të tilla, disa nga të cilat edhe mund të kenë qenë të tilla.


 


Ne e kemi tepruar duke treguar përulje, madje edhe përkulje ndaj të  gjithë të huajve, pa dallim, veçmas ndaj amerikanëve dhe në njëfarë mënyre u kemi dhënë të kuptojnë se vërtetë ata paskëshin qenë çlirimtarët tanë të vetëm. Me këtë rast vetë ne i kemi qitur hije luftës dhe gjakut, që kemi derdhur për liri e pavarësi. Kjo përulje nga viti në vit, degradoi në një servilizëm ekstrem, duke lënë të kuptohet se në Kosovë nuk kishte pasur luftë, se shqiptarët vetë nuk do të mund ta kishin çliruar Kosovën, se merita kryesore dhe e vetmja kishte qenë NATO-ja, e cila me rastin e përfundimit të luftës nuk i njohu as i faktorizoi shqiptarët si luftëtarë të lirisë, nuk njohu humbës as fitues të luftës, nuk i njohu vlerat e luftës çlirimtare, e demobilizoi egërsisht UÇK-së, duke e trajtuar si luftë të grupeve të armatosura, si luftë civile, pse jo edhe luftë të grupeve terroriste,  ashtu sikur na kishte etiketuar ambasadori Dell, të cilit, ditë më parë, universitetet tona private e publike i dhanë edhe mirënjohje për çlirimin e Kosovës.


 


Është krejtësisht e papranueshme, e pamoralshme dhe aspak diplomatike e inteligjente t’ iu thuhet shqiptarëve se ne u kemi çliruar,  andaj ju duhet të bëni çka ne iu themi. “Nëse ne iu themi pranojeni Serbinë në Kosovë, duhet ta pranoni. Nëse ne u themi të bëheni pjesë e Serbisë, duhet ta pranoni, sepse ne iu kemi çliruar. Dhe pikërisht sepse ne iu kemi çliruar duhet të hiqni dorë nga lufta të UÇK-së, duhet të bindeni se ata kanë qenë terroristë, ashtu sikur  regjimi i Milosheviqit. Duhet ta dini mirë se ne nuk do të lejojmë kurrë që ju shqiptarët të bashkoheni me një shtet, sepse shumica jush jeni tradhtarë të krishterimit në Evropë dhe pikërisht  për këtë do të mbeteni nën sundimin e Serbisë, Greqisë,  Malit të Zi e Sllavomaqedonisë”. Kjo është ajo, për të cilën duan të na bindin “çlirimtarët” tanë. Pjesë e këtij qëndrimi është edhe presioni që iu bë Kosovës nga faktori vendimmarrës ndërkombëtar për të biseduar me Serbinë, pas shpalljes  së pavarësisë dhe pas  verdiktit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Kosova, për hir të Evropës dhe për dashurinë që ajo ka për serbët,  vazhdon të mbetet qengji i flijimit, qengji i cili ia turbullon ujin ujkut. Dhe, nëse ne sillemi si qengja, atëherë përse ta fajësojmë ujkun?


 


 


RKL: Brukseli mbështet fuqishëm  Beogradin lidhur me të ardhmen e Kosovës


 


Bashkimi Evropian po bën përpjekje që me çdo kusht ta josh Serbinë për ta pranuar brenda Unionit, pavarësisht se Serbia ka qenë dhe po mbetet e orientuar nga gjeneza, nga mëma Rusi, e cila në të gjitha segmentet strategjike paraqet një forcë më të madhe sesa BE-ja. Infiltrimi i Serbisë në Unionin Evropian, nuk bëhet pa lejen e Kremlinit dhe nuk ka për qëllim ikjen e Serbisë nga aleanca e natyrshme me Rusinë, por ideja për t’iu bashkuar BE-së ka të bëjë në radhë të parë me Kosovën. Një Serbi përfundimisht jashtë Be-së dhe një Kosovë brenda në BE, do të thoshte që Serbia të mos shohë kurrë ëndrra se do të kthehet në Kosovë. Kjo është edhe deviza e njohur e qarqeve politike të Serbisë, edhe Kosovën edhe BE-në. Qysh në fillim duhet pranuar faktin se Serbia ka arritur më shumë se sa ka pretenduar në këtë drejtim.


 


Po të gjykojmë realisht, po të mbështetemi në të gjitha faktet relevante, qysh prej mbarimit të luftës në vitin 1999 dhe vendosjes në Kosovë të administratës ndërkombëtare, arrijmë në përfundim se Serbia po fiton në paqe, pozitën që e ka humbur në luftë. Kjo fitore e Serbisë nuk është vetëm rezultat i politikës këmbëngulëse të Beogradit, i përkrahjes së Rusisë Kinës dhe Shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovës, por edhe i politikës së dobët dhe disfatiste të kreut tonë politik e institucional. Po ashtu, pozitën e dobët të Kosovës e ka dëmtuar edhe politika poltrone e Tiranës zyrtare, e cila në asnjë moment nuk ka hapur për shqyrtim dhe trajtim  çështjen shqiptare në Ballkan, por për të ruajtur pozitat udhëheqëse ka mbështetur pa asnjë rezervë politikën e BE-së ndaj Kosovës.


Duke kuptuar këtë konstelacion të forcave, BE-ja, është prirë nga politika e saj pragmatiste, me qëllime të caktuar strategjike dhe me qëllim për të arritur rezultate në këtë drejtim, ajo ka viktimizuar Kosovën, ashtu sikur dikur e kishte viktimizuar Shqipërinë Perandoria Osmane. BE-ja nuk e vendos drejtësinë sikur e ka vendosur dikur, profeti Solomon, por e vendos ashtu sikur e ka vendosur kurdoherë, i  fuqishmi. Për të arritur dy palë në një pajtim kuptohet se pala e dobët është e detyruar të lëshojë pe dhe këtë, që në fillim e ka ditur Brukseli, i cili jo vetëm që ka ndërmjetësuar në bisedime, por ka marrë parasysh dhe i ka pranuar të gjitha kërkesat e Beogradit, nganjëherë edhe të modifikuara, por në esencë kërkesa që kanë mundësuar praninë vertikale dhe horizontale të Serbisë në Kosovë, prani kjo e cila nuk bëhet me qëllim të ruajtjes së serbëve, por me qëllim që Kosova kurrë të mos bëhet shtet funksional dhe të mbetet përgjithmonë nën sovranitetin e Serbisë. Deklarata e fundit e kryeministrit të Serbisë  Ivica Daçiq, se kemi jetuar dhe do të jetojmë së bashku sikur me shqiptarët e vjetër dikur ashtu edhe me këta të rinjtë nënkupton sundimin e Serbisë në Kosovë përmes BE-së.  Caktimi i zgjedhjeve vendore më 3 nëntor, u bë me vendin të Brukselit dhe aprovim të Beogradit. Kosova as u pyet për këtë datë. ( koment i paperfunduar)…


 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …