Bardhyl Mahmuti: Leni fëmijët jashtë qërimit të hesapeve politike!

(Letër publike, Valdrin Sherifit)


 


I dashuri Valdrin,


Unë dhe ti kemi mësuar në lëndën e historisë dhe kemi parë filma dokumentar  që dëshmojnë se një ndër faqet më të errëta të historisë së njerëzimit pa mëdyshje është Lufta e Dytë Botërore.


Kemi parë se si në përpjekje për të imponuar një hierarki mes «racash » çizmja dhe uniforma naziste la pas vetes me dhjetëra miliona viktima. Sa për ilustrim po përmendi vetëm një rast, i cili nuk është përzgjedhur rastësisht në këtë letër që po ta drejtoj.


Rreth 400.000 anglez u vranë dhe rreth 4 milion londinez u detyruan të largohen nga qyteti i tyre për të evituar sulmet e barbarisë raciste, që simbolizohej përmes «çizmes dhe uniformës hitleriane».


Pesë dekada më vonë, kur ti ishe dy vjeç, humbi jetën në një aksident të komunikacionit në Paris, Princesha Diana. Që nga ajo kohë e deri më sot nuk janë ndalur hipotezat për implikimin e shërbimeve sekrete angleze në kurdisjen e këtij aksidenti. Unë nuk do të lëshohem në spekulime rreth këtyre hipotezave, që sërish këtë javë i dominojnë mediat më prestigjioze të perëndimit.


Ajo që të gjithë pajtohen lidhet me rolin e pakontestueshëm në shkatërrimin e jetës së Diana Frances Spencer nga një kategori e gazetarëve që emërtohen si « racë e papës» ( transkriptimi i këtillë i emrit të personazhit të filmit Dolce Vita, fotografistit me emrin Paparazzo, është i qëllimshëm).


Tetë vite më vonë, gazetarëve të kësaj « race» nuk do t’i shpëtojë mediatizimi i skajshëm i ‘skandalit të princit’ Harry (djalit të vogël të Dianës). Faqet e para të gazetave dhe lajmi kryesor i edicioneve televizive  nxori një foto të Harry-t 20 vjeçar, të veshur në uniformë naziste! A mund të kishte ‘skandal më të madh’ se sa një ‘pjesëtar i familjes mbretërore’ të vishte atë uniformë që ishte sinonim i tragjedive të panumërta për anglezët dhe për tërë njerëzimin. Harry, kësaj radhe në cilësinë e princit, sqaroi opinionin publik se këtë veprim e kishte bërë në një ‘festë kostumesh’ që kishin organizuar bashkëmoshatarët e tij dhe për këtë “gabim” ai “u kërkoi falje publike të gjithë atyre që ishin ndier të ofenduar’.


Përkundër vjelljes së vrerit të asaj « race gazetarësh», që përmes veprimeve dhe sjelljeve të një adoleshenti tentonin ta luftonin dimensionin mbretëror të sistemit politik të Britanisë së Madhe reagime të shumta pati nga specialist të lëmive të ndryshme (psikolog, sociolog, edukator etj).


 


Psikologët, sociologët dhe edukatorët që u prononcuan lidhur me këtë ‘skandal’ e zhveshën Harry-n nga funksioni i princit dhe e shtruan në rrafshin e veprimit të një adoleshenti. Vetëm kjo qasje shkencore mund të hapte rrugën, që përtej ‘funksioneve dhe roleve të trashëguara’ si fëmijë mbreti e mbretëreshe, fëmijë princi e princeshe, fëmijë ministri a ministreje, fëmijë deputeti e politikani etj të kuptohen veprimet dhe sjelljet e një adoleshenti si veprime dhe sjellje të një të riu.


Harry është adoleshent, si miliona adoleshent që në Angli dhe në mbarë botën tenton të testojë kufijtë e asaj që i përcaktohet si ‘e lejueshme’ apo si ‘e palejueshme’, si ‘e drejtë’ apo si ‘e padrejtë’, si ‘normale’ apo ‘jonormale’ etj. Para se të gjykohet për veprimet dhe sjelljet e tilla, Harry, si edhe çdo adoleshent tjetër në botë, ka nevojë të kuptohet nga rrethi, si formë e vetme që siguron pranimin e ndihmës nga ana e adoleshentit dhe evitimin e përsëritjes së veprimeve të ngjashme.


Diskualifikimet, akuzat dhe sidomos intrumentalizimi i sjelljeve të një adoleshenti për të sulmuar politikisht prindërit e adoleshentit janë veprime shumë të ulëta. 


Çka është edhe më e keqe, kjo « racë e papës» përpiqet në të gjithë botën, pra edhe në Kosovë, që të imponojnë në fushën mediatike «INDEKSIN» e temave që janë ‘legjitime’ të njihen dhe të ndiqen nga publiku i gjerë dhe temat që duhet të lihen në heshtje si ‘pa interes’ për publikun.


Ti Valdrin, megjithëse i ri dhe në moshën e adoleshencës, e ke përjetuar mbi kurrizin tënd  këtë logjikë të funksionimit të fushës mediatike në Kosovë.


Kur ti, së bashku me Petrit Avdylajn, Besart Kodraliun, Bardh Shabanin, Doruntina Sulejmanin dhe Alban Kryeziun si përfaqësues të Republikës së Kosovës në Olimpiadën e 54  Ndërkombëtare të Matematikës që u mbajt në qytetin Santa Marta të Kolumbisë nga 18-28 korrik të këtij viti, kishit nevojë për mbështetje të gjithanshme, përpos moderatorit Besim Dinaj që u mundua t’i jep pak oksigjen kësaj atmosfere të kontaminuar, u ballafaquat me heshtje totale!


Në vend të mbështetjes së gjithanshme për delegacionin që përfaqësonte shtetin e Kosovë në «Parlamentin e Dijes» dhe në vend që t’ju sigurohej mundësia që të shkonit së paku një javë para fillimit të garave në Kolumbi për t’u adaptuar me kushtet përtej Atlantikut, ju mezi arritët disa orë para se të fillonte kjo garë.


Përkundër kësaj, ju përfaqësuat në mënyrë dinjitoze shkencëtarët e ri të Kosovës në këtë garë ndërshtetërore dhe ngritët renditjen e shtetit të Kosovës për 15 vende (nga vendi 94 që ishte ranguar në garat e Olimpiadës paraprake të 53-të, në vendin e 79 në botë). Ju u kthyet me tri çmime «Honourable Mention» dhe jam i bindur se sikur të kishit përkrahjen minimale, në krahasim me mbështetjen financiare dhe mediatike që u bëhet olimpiadave të muskujve, ju do të ishit kthyer me gjashtë çmime. Mungesa e tri çmimeve duhet t’i fakturohet mospërfilljes për të investuar në shkencëtarët e ardhshëm dhe pamundësinë që t’ju krijojmë kushtet dinjitoze për ta përfaqësuar denjësisht cilësinë dhe kualitetet e njohurive që i posedoni.


Ty Valdrin të uroj nga zemra për rezultatet e arritura dhe çmimin «Honourable Mention»! Duke të njohur mirë jam i bindur se ty nuk të bën dhe aq përshtypje fakti se ky delegacion përfaqësues i matematicientëve të ri të Kosovës në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës u prit vetëm nga familjarët e tyre! Në aeroport munguan përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe të medieve! Sa i përket politikanëve, me gjasë ata ishin në ‘pushim’! Ndërsa mediat?!!!!


Për delegacionin që përfaqësoi shtetin e Kosovë me rezultate shumë të mira në Olimiadën Nërkombëtare të Matematikës nuk pati gazetarë që të shkruajnë. U deshtë të marrim informatat përmes familjarëve tuaj apo përmes ueb faqes zyrtare të olimpiadës: (http://www.imo-official.org/year_country_r.aspx?year=2013&column=total&order=desc).


Duke të njohur mirë jam i bindur se ti Valdrin nuk do të kishe dashur të shkruhet në media se ti Valdrin Sherifi, i biri i politikanit Bilall Sherifit që për më shumë se 30 vjet është aktiv në skenën politike kombëtare (ish i dënuar politik me 15 vjet burgim, anëtarë i Grupit Diplomatik të UÇK-së, disa herë anëtarë i Kryesisë së PDK-së dhe aktualisht këshilltar i Kryetarit të Parlamentit të Kosvovës, z. J. Krasniqi) u kthye me çmim nga Kolumbia! Ti atje ishe si një person me individualitetin tënd dhe me njohuritë tua.


Ti Valdrin e din fare mirë se për mediat kosovare ju nuk bëni lajm! Në kohën kur ju ktheheshit me rezultate nga kjo garë ndërkombëtare «papa racët»  ishin të preokupuar të mediatizonin se si ‘Valon Buja, i biri i Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, kishte dëmtuar një pompë benzine në një aksident  me veturë’ apo se si ‘Guxim Grabovcit, të birit të Kryetarit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit, i është gjetur një armë gjuetie dhe një Kallashnikov në veturë’!


Kam bindjen e plotë se ti Valdrin e din se kësaj «race gazetarësh» nuk u intereson se a u lëndua apo nuk u lëndua Valon Buja në aksident por shpallin me pompozitet se dëmi i shkaktuar i pompës është 7000 euro!  Kësaj «race gazetarësh» nuk u intereson të shohin sjelljet dhe veprimet e Valon Bujës, Ngadhnjim dhe Guxim Grabovcit si sjellje dhe veprime të adoleshentëve dhe ta zhveshin interpretimin e gjërave nga bagazhi i funksioneve publike të prindërve të tyre. Përkundrazi! Përmes veprimeve dhe sjelljeve të adoleshentëve tentojnë të bëjnë luftën politike kundër personaliteteve të caktuara publike!


Adem Grabovci, Shukri Buja dhe të gjithë personalitetet publike janë objekte sulmesh dhe mbështetjesh për veprimet që i bëjnë apo nuk i bëjnë! Kjo është normale në çdo shoqëri që synon demokratizimin e vet! Ajo që është neveritëse te ne, sikurse edhe në vendet tjera, ka të bëj me instrumentalizimin e veprimeve dhe sjelljeve të fëmijëve për të luftuar prindërit e tyre! 


I dashur Valdrin! Jam i mendimit se ti, unë  dhe shumica dërmuese e njerëzve klithim në kupë të qiellit: leni fëmijët jashtë qërimit të hesapeve politike!


21 gusht 2013

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …