Ramadan Avdiu: Ripërtypësit

Pas problemeve serioze që pata me shëndetin dhe punës së mundimshme këtë vit, pas këtij pushimi e ndjeja veten mirë dhe prisja t’u kthehem punëve të mia të përditshme. Kur u ktheva, disa miq sikur u habitën kur mësuan se unë nuk kisha qenë në korrent të shkrimeve të disa të vetdeklaruarve ‘shkrimtarë’, ‘analistë’ e ‘intelektualë’. I gjeta dhe i lexova nga e para. Nga ai i Fatos Lubonjës e pastaj ato të Arben Idrizit, Berat Buzhalës, Halil Matoshit e Imer Mushkolajt dhe menjëherë, do të pasojë tendosja e lodhja. I pashë edhe reagimet e Jakup Krasniqit, Ismail Kadaresë, Bardhyl Mahmutit, Rexhep Mejdanit, Behxhet Shalës etj. Pavarësisht faktit se këta të fundit, intelektualë të spikatur, të njohur edhe përtej hapësirave tona kombëtare, fare mirë e kishin argumentuar irracionalitetin e shkrimeve të atyre që rëndom kanë qejf ta quajnë veten me epitete si ‘opinionist’, ‘analist’, ‘shkrimtarë’ e ‘mendimtarë kompetentë’ të ‘gjithanshëm e të gjithëdijshëm’.


Vendi nuk më lë të qetë e të mos e them edhe unë fjalën time të lirë, nga prizmi i një aktori të ngjarjeve për të cilat shkruajnë këta farë analistë, që Kadare i trajton si horra, e të cilat ngjarje synojnë t’i plasojnë si dëshirojnë ata apo siç janë të porositur t’i plasojnë. Të gjitha ata që nuk i ka lënë kujtesa e dinë ‘vizonin serb’ për luftën në Kosovë. Pra, për historinë tonë më të re. Edhe gjatë luftës Fatos Lubonja kujdesshëm plasonte qëndrime pro ‘versionit serb’. Ne e konsideronim si skizofren dhe nuk merreshim me të. Tani ai skizofren, i cili nuk vlerëson asgjë nga e kaluara jonë historike, kulturore e kombëtare, e që është normale për tipat skizofrenikë, arrin në atë shkallë sa ta cilësojë gjithë ‘popullin si skizofren’ e veten si ‘kozmopolit mendjendritur’. Duke i lexuar shkrimet e Lubonjës, Idrizit dhe të mbrojtura nga Matoshi e shpura e tyre, domosdo që më parafytyroheshin konfrontimet e shumta që kishim ne me vizionin serb të plasuar në fushën mediatike dhe diplomatike gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë. Madje, në këtë rast po e heq modestinë, ne e kemi çmontuar, komplet, e kemi dekonstruktuar dhe shpartalluar vizionin serb para qarqeve diplomatike dhe mediatike ndërkombëtare. Serbët e patën futur bishtin nën shalë dhe nuk u pati mbetur derë ku të trokisnin përveç në mediet e tyre brenda Serbisë dhe në ato media që akoma i botonin në Kosovë sepse shkrimet dhe versioni i tyre për të vërtetën e luftës në Prekaz dhe në tërë Kosovën ishte amalgamë vetëm për ta. Por, duke i lexuar shkrimet e Lubonjës, e të atij farë Arben Idrizit, që më shumë ngjasojnë me personazhin e filmit ‘mbledhësi puplave’ sesa me shkrimtarë a intelektualë, njeriu e sheh se ai amalgamë është gëlltitur edhe nga kjo shpurë që na hiqen si mendimtarë e partizanë të mendimit të lirë, në emër të mendimit të lirë po e ripërtypin ‘vizionin serb për Kosovën’ dhe nëpërmes mediumeve në gjuhën shqipe synojnë ta riplasojnë në mediume ndërkombëtare, ‘punë e çirakëve vullnetarë’ në të mirë të vizionit serb për Kosovën, do të thoshte Kadareja. Se e bëjnë me zell e vullnet këtë ripërtypje do të thosha edhe unë. Por, intuita ma thotë se nuk janë vullnetarë.


Unë lexoj libra e shkrime në katër gjuhë të ndryshme dhe mund të them se askund nuk kam mundur të lexoj diçka më perverse sesa shkrimet e Lubonjës e Arben Idrizit, të cilin e drejton ‘instinkti prej shkrimtari’ dhe ashtu instinktivisht’ i kualifikon protagonistë të rëndësishëm të historisë sonë ‘si vrasës’, kurse lemeritet pse në themelet e pavarësisë së shtetit tonë qëndron Adem Jashari dhe familja e Jashari, pse në themelet e shtetit tonë qëndrojnë ata të cilët për lirinë edhe të këtyre kalemxhinjve batakçinj u bënë fli e këta i përdhosin duke i quajtur kriminelë, cuba, banditë, vrasës e … o tempura o mores … vrasës edhe të familjeve të tyre!!! Që nuk kanë lënë asnjë ide dhe as një histori dashurie pas … që kanë vetëm muskuj dhe armë … e gjepura të tjera.


Vallë, çka synojnë këta matrapazë të fjalës publike?! Arben Idrizi thotë se nuk ka burime historike për ta vlerësuar Adem Jasharin. Ai shtron edhe dilemën se çka do të thuhet për të pas 50 a 100 vjetësh. Mbase ‘instinkti’ ja thotë se shkrimet e tij do të jenë referencë për shkruesit e historisë. Por, unë i them se Ademi dhe familja Jashari nuk do të përjetësohen vetëm me një këngë si Ahmet Delia, Demë Ahmeti apo Hoxhë Breznica. Lufta e Ademit, Hamzës dhe familjes Jashari mobilizoi gjithë popullin, përveç bashkëpunëtorëve të pushtuesve, por edhe gjithë diplomacisë ndërkombëtare ia ktheu vëmendjen në Kosovë. Ata do të mitizohen, kurse A. Idrizi dhe shpura e tij do të mbesin vula e turpit në ‘muzeun’ e kujtesës kombëtare shqiptare. Këtë e dinë ata që i kanë porositur të shkruajnë, prandaj synojnë t’i rikthejnë mitet e tyre duke i kontestuar Ademin e heronj të tjerë, madje duke e mohuar gjithë luftën e drejtë dhe të domosdoshme për t’u çliruar nga pushtuesit serbë. Ndërkaq shumë protagonistë kryesorë të kësaj lufte që kanë mbijetuar me instinktin e tij Arbeni i kualifikon kriminelë e vrasës. Luftërat, heroizmat e sakrificat për të mirën dhe lirinë, gjithmonë u kanë shërbyer mendjeve të ndritura, shkrimtarëve, artistëve e krijuesve si burim frymëzimi. Te ne nuk ka qenë gjithmonë ashtu. Këta pseudointelektualë janë pinjoll të atyre që kanë thënë edhe për Azem Galicën se ‘ia pa sherrin krejt Drenica’. Për shkrimtarët e artistët e mirëfilltë, jeta, intelektualiteti, përkushtimi për të luftuar për liri, historia e dashurisë dhe rënia heroike e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit do të ishin burim i përhershëm frymëzimi për të krijuar, kurse ky Arben ‘shkrimtari’ nuk denjon të merret me këto personalitete polivalente, por e shpall kriminel të vëllanë e Fehmiut, Ramizin, si shumë bashkëluftëtarë të tij, sepse për këtë ka referencë materialet e UDB-së dhe propagandës serbe, të përmbledhura në të ashtuquajturin “Libri i bardhë” për Kosovën.


A është dashur të luftohet apo jo? Këtë dilemë e shtrojnë tash 14 vjet pas përfundimit të luftës, ata që po t’ua vështrosh mirë surratet, sheh se si ravijëzohet skizofrenia në rrudhat e tyre. Ata kanë krijuar mediume e portale si puqilla me ujë, ku shikohen çdo ditë. Aty vetë shkruajnë, vetë komentojnë, vetë gjykojnë, vetë kontrollojnë, vetë censurojnë, vetë plasojnë dhe shikohem orë e çast në ujë, besa Anton Pashku do të thoshte, e shohin veten në një materie tjetër të lëngët dhe u duket vetja se nuk ka si ata, u duket vetja se ata edhe zotin e kanë vdekur. Për ata si Fatos Lubonja, Arben Idrizi, Berat Buzhala, Halil Matoshi, Imer Mushkolaj dhe kompaninë mbështetëse të ‘vizionit serb’ për Kosovën që pretendojnë se e ‘kanë vdekur zotin’ vlen një shprehje tejet e përhapur në Kosovë. Këta tipa, me ja mësy e hanë edhe hekurin!  Për të gjithë bëhet e qartë se këta tipa ‘intelektualësh me instinkt’ mund vetëm ta ripërtypin ‘vizionin serb’, i cili do t’u mbetet në fyt.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …