Mustafa Bajrami: Flasim, por sa bisedojmë?

Grekët e vjetër besonin se e vërteta zbulohet vetëm nëpërmes bisedimit, dialogut. Urtësia, thoshin ata, arrihet me komunikimin e ndërsjellë. Dialogu ushqen shpirtin tonë, sikur loja me lodra që ushqen shpirtin e fëmijës. Nga grekët bota mësoi dialogun, ndërsa romakët na falën aftësinë e të folurit. Të parët hynë në histori me urtësi (fryti i bisedimeve) të dytët u njohën me “të drejtën” (fuqia e retorikës).

Sokrati jetën e tij e kaloi duke biseduar. Sipas tij, edhe të menduarit është një lloj dialogu me vetveten. Dialogu është Hominem quaero, thoshte ai. Të jesh njeri, do të thotë të bisedosh me tjetrin. Njeriu nuk është qenie që vetëm flet, por qenie që bisedon.

 

Ka dallime substanciale mes të folurit dhe të biseduarit. Të flasësh do të thotë të jesh vetëm ti, ndërsa kur bisedohet pranohet edhe tjetri, i barabartë me ty dhe afër teje.

Sot njerëzit nuk janë gjithaq të vetëdijshëm për rëndësinë e krijimit të urave mes tyre. Ata po flasin shumë, por shumë pak po bisedojnë. Njeriu që flet tepër nuk ka shumë për të dhënë, ndërsa kur dëgjon vetëm vetveten nuk dëgjon të tjerët. Njeriu ka nevojë të mësojë si të bisedon, por edhe si të dëgjojë. E tërë jeta është luftë për veshin e huaj, thoshte Milan Kundera. Nëse është e vërtetë se “muret kanë veshë”, e vërtetë më e madhe është se “veshët kanë mure”. Dialogu më i mirë është pa ndërmjetësime. Sa më shumë që ka ndërmjetësues aq më larg janë palët mes vete.

 

Ky numër kaq i madh i institucioneve, shoqatave, organizatave dhe të tjerave që për çdo ditë themelohen tregon mungesën e dialogut i cili do të duhej të prodhonte respekt të ndërsjellë dhe dashuri mes nesh. Njerëzit janë në kërkim të vërtetës të cilën zor po e gjejnë. Në skenë janë antivlerat, ndaj kërkohet ndihma e institucioneve që në fakt ato nuk prodhojnë dashuri.

Por, cilat janë shkaqet dhe motivet që pengojnë dialogun mes njerëzve? Mos është të folurit e tepërt që vetëm llomotitet, por nuk bisedohet?

Dialogu nuk bëhet vetëm duke folur. Në dialog dëgjohet edhe mendimi tjetër. Njerëzit me përvoja të thella jetësore janë të gatshëm të dëgjojë më shumë se ata me përvoja të pakta. Ibën Halduni kishte nënvizuar se njeriu me përvojë dëgjon më shumë sesa flet. Personi i gatshëm për dialog dallon nga ai që refuzon dialogun dhe i cili është asgjë. Me dialog zbutet bindja e gabueshme se vetëm njëri ka të drejtë. Dialogu jep mundësinë e vlerësimit të tjetrit, krijon mundësinë e qasjes kritike ndaj çështjes së shtruar. Ai është fillimi i përfundimit të besimit të çoroditur se pala tjetër nuk ka të drejtë.

 

Njeriu, “i gjallë” është atëherë kur tregon gatishmëri për të biseduar. Dialogu pa rezultate është më i mirë se rezultati pa dialog. Pyetjet (çështjet) e parashtruara në dialog janë esenca e dialogut e jo përgjigjet e dhëna aty. Liria e të pyeturit është djepi i mendimit të lirë.

Pyetja lidhë njerëzit dhe është themeli i shoqërisë së hapur. Pyetjet e shtruara në dialog janë ato që bashkojnë, ndërsa përgjigjet që dalin nga aty janë ato që mund të ndajnë. Pyetja “jote” së bashku me pyetjen “time” krijojnë pyetjet “tona”. Pyetjet janë më të dashura se përgjigjet. Ajo që mbetet dhe nuk ndryshon është pyetja e jo përgjigja. Kur largojmë mënjanë përgjigjet, të freskëta, mbeten vetëm pyetjet sepse ato jemi “ne”. Kur bisedohet me tjetrin, biseda është dialogu mes njerëzve. Njeriu si njeri mund të ekzistojë vetëm kur bisedon me njeriun përndryshe nuk është njeri.

 

Dialogu është marrje-dhënie reciproke. Si i tillë prodhon dashuri. Dashuria e vërtetë është ajo që jep dhe merr. Kur bisedohet, njerëzit bashkohen dhe duhen mes vete. Aty ku gënjehet, nuk ka dashuri. Dialogu krijon bazën e dashurisë mes njerëzve. Dashuria shtohet vetëm duke biseduar.

Dialogu është mënyra për t’i bërë njerëzit të hapen ndaj njëri tjetrit. Mbyllja e betonuar në vetvete është strofulli i djallit, por edhe i diktatorit. Në fakt, ai i cili për ndonjë arsye mbyllet në vetvete, nëse dëshiron të mbetet njeri, ai duhet të bisedojë, së paku me karakterin e brendshëm, por gjithsesi të bisedojë. Pa dialog njeriu është diçka tjetër, por jo më njeri. Nëpërmes “tjetrit” njeriu njeh vetveten ndërsa me ndihmën e të tjerëve tejkalon “vetëm vetveten”.

 

Nga rrafshi antologjik njeriu është i pa përkryer, ndërsa nga rrafshi gnoseologjik është i kufizuar. Dialogu është mënyra më sublime për të arrit të vërtetën. Berzhajevi mendonte se e vërteta është sikur jeta bashkëshortore; e vërteta nuk është vetëm e njërës palë, por e të dyja palëve. Mendimi mbi veten korrigjohet me mendimin e tjetrit për ty. Dialogu mes njerëzve perfeksionon edhe atë që është “Unë” edhe atë që është “Ti”. Ai është mozaiku i të qenit “Ne”.

Vetëm njeriu që pretendon se njeh plotësisht të vërtetën nuk ka nevojë të bisedoj dhe me që nuk ka njeri të tillë të gjithë njerëzit kanë nevojë të bisedojnë. Dialogu nuk duhet të bëhet me imponime, sepse imponimi shkel mbi integritetin e tjetrit. Njeriu është i prirë të jetë materialist më shumë se që i jep rëndësi vlerave të larta morale. Mohimi i të drejtës së tjetrit për të jetuar është krim i rëndë që i bëhet njeriut. Egoizmin nuk e duron as Zoti. Dialog nuk mund të ketë as mes njerëzve që mendojnë njëjtë.

 

Të qenit të njëjtë nuk ka kurrfarë kuptimi. Nëpërmes dialogut duhet kërkuar të vërtetën e jo fitoren ndaj tjetrit. Sikur që nuk është e vërtetë krejt çka them unë, nuk është gabim as krejt çka thua ti. Nëse ka njeri që krejt çka thotë është ashtu, atëherë pse të ekzistojnë të tjerët? Dialogu zhvillohet vetëm aty ku njerëzit mendojnë ndryshe. Të bisedohet me ata që mendojnë si ti donë të thotë t’i flasësh me vetveten. Zhdukja e dallueshmërisë mes njerëzve është fillimi i vdekjes së shpirtit të shoqërisë.

 

Njeriu dogmatik nuk duron dallueshmërinë. Dogma pengon debatin dhe zhvillimin. Dogma është forma e brendshme e dhunës ndërsa dhuna është forma e jashtme e dogmës. Pushteti i Greqisë së vjetër pranoi mendimin gjenial të Sokratit, por vetëm deri atëherë kur ky i fundit preku dogmat helene, dhe kur i kritikoi ato, e helmuan për vdekje. Edhe në fe ekzistojnë dogmat. Të mira apo të këqija që janë, ato nuk lejon të preken. Nëse dikush merr guximin t’i interpretojë, ai njeri shpallet heretik dhe i kërkohet koka.

Gjeneratat e para të myslimanëve nuk ishin dogmatike, ndaj Islami u përhap në katër anët e botës, shpejt dhe efektshëm. Shkaqet e prapambeturisë së myslimanëve të sotëm duhet kërkuar në dogmatizmin e gati gjitha segmenteve të fesë. Nëpërmes interpretimeve të thata, ku në prapaskenë qëndrojnë interesat e ngushta të individëve dhe grupimeve të caktuara, institucionet fetare i kanë bërë kinse janë të shpallura nga Zoti dhe s’ka kush që mund të thotë edhe një të vetmen fjalë për to. Dogmë është bërë sot edhe politika e krerëve të atyre institucioneve dhe sa herë që mendohet ndryshe nga ata, shpallesh armik i atij institucioni mbase edhe i fesë.

 

Në fakt, këtu, ndoshta qëllimisht harrohet se që dy djemtë e profetit Adem ishin besimtarë. Kabili dhe Habili i përkisnin të njëjtës fe të babait të tyre. Por, ajo që bëri të vriten mes vete, nuk ishte mbrojtja e fesë. Ata u vranë për interesa të ngushta. I pari sakrifikoi Zotin për interes të kësaj bote, ndërsa i dyti sakrifikoi jetën për hir të dashurisë ndaj Zotit. Nëse ngjarjen e dy djemve të Ademit e interpretojmë me gjuhën e sotshme, ata, sidomos Kabili, do të kishte gjetur fjalor të përshtatshëm fetar për të arsyetuar dhe legjitimuar qëndrimin e vet karshi vëllait të tij, Habilit, ku ky i fundit nuk ngriti dorë kundër të parit. Habili po mbronte imazhin e familjes, babait të tij profet dhe la të kuptojë se do të ketë njerëz që sakrifikojnë të veten në emër të mbrojtjes së interesit të shoqërisë. Soji i kabilëve vazhdon të jetë edhe sot e deri në Ditën e Fundit, njëjtë sikur që do të ketë edhe Musa të shumtë në “pallatet” e faraonëve që shtypin lirinë, mbase edhe krejt jetën e njerëzve.

Dialogu i vërtetë nuk duron shumë rregulla e as filozofi. Mjafton sinqeriteti i njerëzve. Vetëm njerëzit me shpirt të pastër mund të bisedojnë, të tjerët vetëm flasin. “Ne mund të ekzistojmë vetëm kur unë dhe ti puqemi diku, për të biseduar”, thoshte Martin Buber.

Në dialog askush nuk humb, të gjithë mund të fitojnë. Përgjatë dialogut dalin gjëra të mrekullueshme. Aty zhvillohet një “sharing” i së vërtetës. Sa do që e vërteta, e bukura dhe e madhërishmja ndahen mes njerëzve, ato kurrë nuk pakohen. Vlera e njeriut duhet të matet me shkallën e bashkë-ndarjes me të tjerët; sa më shumë që jemi të hapur ndaj njëri tjetrit aq më shumë i afrohemi Zotit dhe sa më shumë që largohemi nga njëri tjetri aq më larg i jemi Atij.

 

Dialogu është analizimi i vetvetes si dhe metoda më e mirë për pranimin e tjetrit. Dialogu duhet të vlerësohet mbi bazën e interesave të përbashkëta të palëve që dalin nga bisedimi. Në një shoqëri ku flitet më shumë se që zhvillohet dialog, aty nuk ka liri. Fati i asaj shoqërie mbetet në duart e fatit të kohës. Në këtë gjendje duket se jemi ne dhe nëse vazhdohet kështu shqiptarët do ta kenë shumë të vështirë.

Dialogu që nuk ka kuptimin e bashkëpunimit shndërrohet në imponim dhe si i tillë është fillimi i dhunës. Herodoti te “Historia” e tij kishte shkruar: “Askush nuk duhet të zgjedhë luftën para paqes. Në paqe fëmijët varrosin prindërit, ndërsa në luftë prindërit varrosin fëmijët”. Prandaj, sa më shumë që bisedohet, aq më pak dhunës i mbetet hapësirë.

 

Dialogu është politika më e mirë e mundshme. Është imperativ i kohës të kyçemi në dialog, sa më shpejt që është e mundur. Duhet të lejohet zhvillimi i proceseve integruese për çështjet e hapura dhe të krijojmë marrëdhënie reciproke për tejkalimin e gjendjes së krijuar, kudo në hapësirat shqiptare.

Gjithnjë e më shumë po ngjallet vetëdija edhe tek pjesëtarët e Bashkësisë Islame mbi nevojën e krijimit të një atmosfere të re dhe më tolerante. Qëndrueshmëria e saj varet prej marrëdhënieve që do të krijohen mes të gjithëve. Solidariteti, pranimi i njëri tjetrit dhe qëndrimi larg diferencimeve duhet të jetë bazë e përpjekjeve për një të ardhme më të mirë. Këto, dhe shumë të tjera arrihen vetëm nëpërmes dialogut të hapur, të sinqertë dhe larg interesave të ngushta personale.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …