Behxhet Sh. Shala: Hashim, amanet Millutinin e Gojbulës dhe Gvozdenin e Besianës…

Nobeli për Kosovën dhe Serbinë, lesh Marie për Tanzaninë


 


Shpërblimi Nobel përveç se është nder për fituesin , kombit që i takon, shtetit shtetas i të cilit është apo shtetit ku i është dhënë strehim politik, është edhe një biznes shumë përfitues si për laureatin (i merr një milion euro) ashtu edhe për industrinë përcjellëse në të cilën përfshihen një armatë e tërë e çakejve të uritur për famë dhe para.


 


Shqiptarët si popull i talentuar dhe i shumëvuajtur, i lashtë dhe patriotik, kosmopolit dhe multietnik, deri më tani dy herë e kanë fituar këtë shpërblim. Gonxhe Bojaxhiu apo Nëna Terezë e Kalkutës së Indisë dhe Ferid Muradi, shtetas amerikan, ndryshe me prejardhje shqiptare, i ish Maqedonisë. Askush nga fituesit e mëparshëm, por edhe ata pas tyre nuk e kanë fituar këtë shpërblim më me meritë se këta të dy.


 


Nëna Terezë e Kalkutës tërë jetën e saj ua ka kushtuar kujdesit ndaj të sëmurëve nga leproza në kohën kur të gjithë kishin hequr dorë nga ta. Këtë nuk e ka bërë askush tjetër. Sakrificë dhe vetëmohim i pazakonshëm! Shëruese e shpresave të thyera dhe ofruese e dashurisë për ata që ishin lënë në mëshirën e ndërgjegjeve të pista!


 


Ferid Muradi gjithashtu ishte shpëtimtari që i rikthente në jetë ata që ishin buzë vdekjes apo që kishin vdekur… seksualisht! Me viagrën e tij të famshme shpëtoi shumë çifte nga shkurorëzimi, por njëkohësisht shkatërroi shumë martesa duke i shndërruar tereqtë e lodhur në dema të tërbuar. Prandaj, Feridi me të drejtë llogaritet një lloj alkimisti! Feridët në përgjithësi janë të rrezikshëm! Ferid Murati e riktheu dinjitetin mashkullor duke e ngjallur trurin e mashkullit i cili kishte pushuar së vepruari!


 


Edhe Nëna e Kalkutës, si dhe Baba i Viagrës, kishin problem komunikimi në gjuhën shqipe. Si shumica e gazetarëve në Kosovë dhe deputetët kosovarë me prejardhje shqiptare në Parlamentin e Republikës së Kosovës!


 


Kandidati, ta them i parapaguar për shpërblimin Nobel për letërsi, ishte dhe mbeti shkrimtari “rebel” në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe “disidenti” i demokracisë në të cilën e kishte të “rrezikuar” jetën shumë! Prandaj, u largua në pikë të ditës nga Shqipëria! Është fjala për Ismail Kadarenë, komshiun e Hoxhës nga Gjirokastra i cili, për dallim nga dy fituesit e Nobelit me prejardhje shqiptare, e flet gjuhën shqipe shumë bukur-shkrim! Nobelistët në fushën e letërsisë janë shpërblyer kryesisht për shkak të disidentizmit të tyre e më pak për shkak të cilësive në letërsi!


 


Duket se kohëve të fundit ka devijim nga kjo praktikë ndryshe Kadare, si disident i dy diktaturave në Shqipëri, komuniste dhe asaj “demokratike” do të duhej të ishte fitues i padiskutueshëm i Nobelit. Ose kosovari me prejardhje shqiptare nga Kosova, Halil Matoshi, i cili është i njohur për disidentizmin e tij. Ka qenë disident i të gjitha sistemeve, ndërkaq ka pushuar së qeni i tillë kur është sistemuar mirë. Tash është disident i vetvetes. Deri në disidentizmin e radhës!


 


Po përfolet se mund të nominohen për shpërblimin Nobel kryeministrat Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi. Në fakt, po i mashtrojnë keq. Kryeministri ynë e ka merituar Nobelin për vet faktin se e ka emëruar z. Gjergj Dedaj zëvendësministër për Kulturë, Rini dhe Sport. Gjeniale, me një fjalë! Edhe Hashimi është alkimist që antivlerat i bën vlera! Gjergjin e ka bërë pjesë të trashëgimisë kulturore. Diçka si Hoçën e Madhe. Ndërkaq, Ivica Daçiq në fund të bisedimeve do të shpërblehet nga Aleksandar Vuçiq, i cili aktualisht po e shqyrton dosjen e nominimit se ku do të vendoset kryeministri serb. Në burgun e Nishit, Zabellën e Pozharevcit, në Sremska Mitrovicë apo centralni zatvor – CZ në Beograd!


 


Hashim, amanet Millutinin e Gojbulës dhe Gvozdenin e Besianës…


 


Ndonëse jemi shtet ende në pelena , i kemi 19 ministri, po aq ministra, nja 300 zëvendëskryeministra dhe 1500 zëvendësministra. Që na dallon nga shtetet tjera dhe na bënë të ndjehemi krenarë. Por, meqë jemi shtet në zhvillim e sipër dhe në rrugën e integrimit në BE, NATO apo Shengen Jugosllavija si copëz e Shengenit të Madh, kemi nevojë të forcohemi edhe më shumë institucionalisht, por edhe me resurse njerëzore. Prandaj, është e domosdoshme ta formojmë fillimisht edhe një ministri për të vazhduar edhe me të tjera!


 


Çka janë për ne 100 ministri. Ne jemi Kosovë e jo Gjermani! Duket se do të formohet Ministria e Shtetit. Pa shihe njëherë, sepse nuk po bëjmë hajgare! Ministria e Shtetit dhe…! Për këtë pak më vonë pasi të jap një sqarim.


 


Me kryeministrin e tashëm kam pasur raporte të qëndrueshme. Nuk do t’i quaja as idilike e as romantike. Jo me fajin e tij, sepse nuk jam aspak tip romantik. Kam lexuar shumë romane, por kurrë nuk u bëra romantik . Mbeta vetëm lexues! Mirëpo, gjithmonë bëhet shkaktar i treti i cili krijon situata dramatike në raportet midis miqve. Në rastin konkret fajtori ka emër dhe mbiemër: Behgjet Pacolli! Hasha më la mua për Pacollin dhe ngushëllimin po e gjej vetëm duke e dëgjuar Medën! Faleminderit Medë, rrofsh sa malet dhe këndofsh përjetë! Pacollit i erdhi vërejtja për atentatin ndaj miqësisë sime me kryeministrin dhe për fillim e theu zogun e këmbës. Po nuk mblodhi mend vjen ndëshkimi tjetër! Për këtë arsye më shumë i besoj drejtësisë hyjnore se asaj tokësore! Qoftë madje edhe e EULESH-it!


 


Pacollit sinqerisht i urova shërim të shpejt. Pacolli mbeti me zog të thyer, ndërsa Hashimi duket këmbët i ka të shëndosha! Po si shoqëri dhe shtet në zhvillim përfundimisht, jemi të padrejtë duke mos dalluar vlerat nga antivlerat. Të gjithë flasim dhe brengosemi për Zogun e Tunësm ndërsa askush nuk e përmend Zogun e Thyer të Këmbës së Pacollit. Me përjashtim timin. Miku i mirë dihet në ditë të vështira!


 


Millutini nga Gojbula mund të jetë person i trilluar apo i vërtetë. Mund të jetë gjallë apo në rrethin e 86 të Ferrit të Dante Aligerit! Më kujtohet se si fëmijë fare i vogël, dëgjoja se kur kalonin qerret me dru nga fshati i dajëve në Lupç i Epërm, për t’u shitur në tregun në Vushtrri, duhej të kalohej nëpër fshatin Gojbulë ku Millutini ishte polic, doganier, prokuror dhe gjykatës.


 


Gojbula ishte zonë neutrale e mbretërisë së Kral Millutinit. Kush shpëtonte vetëm me një të sharë ishte me fat! Ndonjë shpullë apo shqelm merrej si ushtrim fitnesi. Po dogana paguhej në formë të një pule të shoqëruar me vezë, fasule apo ndonjë bylmet. Millutini hante vetëm ushqim të shëndosh, ekologjik! Kur nuk ishte në ditë të mira, nuk na lejonte fare të kalonim nëpër fshat! Na bënte bllokadë sikur Maqedonia! Madje, njërit nga katundi i dajëve pati mbetur me dhëmbë të thyer pas një kundërshtimi verbal ndaj tiranisë së Millutinit. Në fakt, nuk kishte dhëmbë edhe për t’u lavdëruar dhe dhëmbët e socialit nga plastika i rrinin më mirë! Ia pa hajrin Millutinit. Madje, kur shkonim dhe e vizitonim dajën me “dhëmbë të rinj”, sepse në atë kohë kishte pak të tillë me dhëmbë të socialit dhe na dukeshin shumë interesant, i shihnim dhëmbët që qëndronin në një bokall të qelqit me ujë. Më vonë kur kuptova se si dukej akuariumi e ktheva mendjen te dajët përkatësisht pacientit të Millutinit , dhëmbët e të cilit notonin në akuarium në vend të peshqve.


 


Gvozdeni, përkthyer në shqip i Hekurti, ishte një kohë arsimtar e pastaj edhe drejtor në një shkollë të mesme në Besianë. Ishte çetnik me librezë të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë me një zë prej baritoni. Këndonte duke na sharë: “Jebem vam majku shiptarsku, jebem vam Allbaniju i jebem vam flamur sa zog”. Kur të rrihte këtë punë, e bënte paq. Kryesisht të shtrinte për toke duke të shqelmuar, ndërsa duart i ruante. Thonë se gjatë luftës dukej si Bred Piti me uniformën e policisë rezerviste serbe.


 


Prandaj, në kohën e riformatimit të Qeverisë besoj se duhet të të gjendet një mundësi që ata të kenë ndonjë post. Nëse Millutini nuk është në këtë botë atëherë së paku duhet të dekorohet për humanizëm nga presidentja e Kosovës. Gvozdenin në asnjë mënyrë nuk duhet ta lëmë pa ndonjë post. Si mundësi e mire është që ai të zgjidhet dhe integrohet me policët e Serbisë në veri e që do të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës. Të zgjidhen në pako! Të kaluarën e kanë të pastër dhe nuk duhet të bëhet kurrfarë verifikimi! As nga Aki e as nga kaki. Për Gvozdenin garantoj se ai i ka duart e pastra sepse të ka rrahë ose me shqelma ose me ndonjë stupc bejsbolli (si adhurues i futbollit amerikan) apo kabllo elektrike!


 


Disa shqetësime serioze që më lënë pa gjumë


 


1. Pralajmërimi i AKR-së se mund t’i bojkotojë zgjedhjet nëse nuk ndërpritet fushata e parakohshme parazgjedhore që po bëhet në mënyrë të kundërligjshme, për mua është paralajmërim që më ka tmerruar. Nuk mund t’i paramendoj zgjedhjet lokale pa pjesëmarrjen e AKR-së në to. Por, shpresoj se pasi Partia e Fortë e tërhoqi kërcënimin për bojkot të zgjedhjeve e kështu do të veprojë edhe AKR si parti pak më e “fortë”!


 


2. Tango(a) lif(v)e: I kemi disa media që të bezdisin. Që duan të të hyjnë edhe në intimitet. Në brekë qofshin ato edhe tanga. Ishte një lajm për tangat e presidentes. Ishte një lajm se mund të paditen në gjyq ata që filmuan dhe shkruan për tangat e presidentes. E pakripë fare! E kam një pyetje për trimat dhe trimëreshat e gazetarisë kosovare. Ku ishit dhe pse nuk shkruanit atëherë kur ish ambasadori Dell u hiqte tangat edhe femrave edhe meshkujve?! Të politikës dhe të shoqërisë civile. Ku bëjnë pjesë edhe mediet! E kam një këshillë. Duke shkruar për tangat e presidentes nuk fitoni asgjë. Prandaj lëreni këtë lojë. Luajeni lojën shpërblyese Tango life. Këtu nuk jeni pa gjasa. Mund të fitoni diçka!


 


3. Më shqetëson ndërrimi i besimit politik për një grusht eurosh apo valutë tjetër. Mercenarizëm moral. Mercenarizëm i Judës. Kur Juda e tradhtoi Krishtin këtë e bëri për 30 monedha të argjendit. Mirëpo, nuk e shau. Madje e puthi në ballë pas tradhtisë. Ndërkaq, disa që brenda natës e ndërrojnë partinë janë më të këqij se Juda. Përveç që marrin para kur shiten, ata fillojnë ta shajnë dhe fyejnë kryetarin dhe partinë e mëparshme. Që e patën lavdëruar dhe himnizuar deri në çastin kur e ndërruan grazhdin!


 


4. Shumë po më shqetëson rritja e dhunës në Familje(n) Moderne – KQZ, e cila po mbijeton në lokalet e Kafenesë të Oki-t. Së paku kështu duken personazhet në Komisioni Qendror Zgjedhor ku Adnani si mashkull e sulmon Valdeten si femër!


 


Një lajm i mire dhe një i keq në Kosovën e lirë


 


Më në fund do të ketë rritje të rrogave për policët të cilët kanë kërkuar rroga  600 euro. Këtë rritje e kanë kërkuar policët e MUP-it të Serbisë që do t’i veshin uniformat e Policisë së Kosovës. Madje, jo si kërkesë, por si kushtëzim! Policët që i kanë shërbyer Kosovës mbesin me rroga të njëjta dhe pa sigurime shëndetësore. Pak në mëshirën e Buxhetit të Kosovës, e shumë në mëshirën e Zotit!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …