Gjendja e rënduar e pabarazisë sociale nga viti në vit po thellohet e po degradon drejt kaosit

Gjendja e rënduar e pabarazisë sociale nga viti në vit po thellohet e po degradon drejt kaosit

Gjendja e rënduar e pabarazisë sociale, veçmas në Kosovë, nga viti në vit po thellohet e po  degradon. Pasurimi enorm i të pasurve në vendin tonë, rritja qind për qind e pagave të atyre që janë të zënë me punë dhe paguhen nga taksapaguesit e vendit, mungesa totale e investimeve në krijimin e vendeve të punës, ka bërë që klasa e të varfërve, të ikë sa më parë nga vendi, me qëllim për të mbijetuar.

Kosova është shndërruar në një Republikë, ku Buxheti i Shtetit konsiderohet  pronë private e Qeverisë në pushtet dhe e të pasurve, të cilëve u shumëfishon fitimet. Paraja publike po derdhet në autostrada të kushtueshme e ndërtime kapitale nga ku vilet fitimi nga tenderët qindra milionësh nga zyrtarët e lartë të vendit.

Po të mos uzurpoheshin paratë e buxhetit dhe po të mos destinoheshin në radhë të parë për përfitimet e qeveritarëve, mund të hapeshin dhjetëra mijëra vende punë, por kjo nuk është në agjendë të koalicionit qeveritar, edhe pse nuk mungon retorika e tyre e përditshme për krijimin e mirëqenies në vend, duke marrë për bazë mirëqenin e tyre, të familjeve e të afërmeve të tyre,  militantëve e sekserëve partiakë.

Afër  20-vjet pas luftës dhe çlirimit të Kosovës, nuk ka ndërruar për të mirë pozita sociale në Kosovë, as janë ngritur të ardhurat për një banor, as është zbutur papunësia, as është përfillur dhe përfillet pozita e rëndë e klasës punëtore e fshatare në vend.

Privatizimi i fabrikave e kompanive, agjencive, uzurpimi i pronave nga mujsharët e politikës, ka varfëruar edhe më tej të varfrit, ndërsa ka pasuruar qindfish të pasurit dhe ish zyrtarët e regjimit pushtues serb e jugosllav.

Të gjithë ish drejtorët e kohës së Serbisë, zyrtarët e lartë të shtetit, disa nga bashkëpunëtorët e të gjitha regjimeve të huaja,  sot janë magnatë dhe njerëz me shumë ndikim në jetën ekonomike dhe politike të vendit.

Ata  kanë qindfishuar pasuritë,  drejtojnë  firmat dhe kompanitë më dobiprurëse në vend, krejt kapitalin e kanë të lidhur, sidomos me firmat e Serbisë dhe të gjitha  përfitimet e tyre bëhen mbi kurriz të qytetarëve të Kosovës, sepse blejnë lirë në Serbi dhe u sheshin më shtrenjtë bashkëkombësve, në Kosovë e në Shqipëri,  madje u shesin edhe mallrat e skaduar me vite të tëra, që Serbia i mbanë nëpër depo. Mallrave të skaduara ua ndërrojnë tiketat   dhe e sheshin në Kosovë dhe në Shqipëri si mall taze, natyrisht  me çmime pak më të lira, por me fitim të majme.

Krejt ky shfrytëzim i egër kapitalist bëhet mbi kurrizin e punëtorëve e fshatarëve, ndërsa paqja sociale blihet me pak para, duke i blerë krejt lirë përfaqësuesit e sindikatave, të cilat vetëm emrin e kanë sindikata, por për 20 vjet rresht ato nuk kanë arritur, as të unifikohen, as të marrin qoftë edhe një akt kundërvënie të vërtetë klasore kundër shfrytëzuesve. Ata, përveç se blihen nga krerët e shtetit, po ashtu qeveritarët i frikësojnë se nuk bën të protestojnë për shkak se Serbia mezi pret destabilizimin e Kosovës dhe krejt kjo, sipas politikanëve tanë të matur e të moderuar  mund të ketë pasoja tragjike për vendin. Sindikalistët tregohen të suksesshëm vetëm në shkatërrimin e sistemit të arsimit, të cilat me greva të arrijnë qëllimet e tyre mbi kurriz të nxënësve dhe kundër çdo etike edukative e arsimore.

Masa kritike e shpërthimit të zemërimit  social është konstante por ajo nuk lejohet të shpërthejë. Të varfrit,  qindra mijëra të papunë, qindra e mijëra me paga deri në 200 euro, me lëmoshë sociale, 15.000 mijë veteranët e vërtetë dhe 45 mijë veteranët  e rezervuar për vota gjatë zgjedhjeve, marrin nga 170 euro në muaj, më shumë se 100.000 familje në asistencë sociale jetojnë  me  120 euro në muaj, kjo është e arritura  sociale në Kosovë, kjo është jeta e shumicës shqiptare në Kosovën e lirë dhe të pavarur, e cila sado e mirë se ardhur për çdo shqiptar liridashës, nuk jep më shumë sepse, në kushtet e zhvillimit të kapitalizmit, nuk ka barazi, nuk ka program të mirëqenies  së vërtetë  sociale edhe pse ka një ministri me emër të tillë, në Qeverinë e Kosovës, krahas 20 të tjerave.

Dhe këta qindra mijëra shqiptarë, po të mos mbaheshim me eurot e dollarët që u dërgojnë të afërmit e tyre nga shtetet e botës, do të zvarriteshin nëpër malet e fushat e shteteve të Evropës, duke kërkuar azil social bashkë me sirianët, afganët e palestinezët. Kjo është ana “e zezë” e gjendjes në Kosovë.

Po Kosova ka edhe anën e vetë “të bardhë”, të favoreve e fitimeve, ka kapitalistë të  rinj puro “shqipo” me kollare e me koka të rruara, ka milionerë e miliarderë, ka zyrtarë e qeveritarë, ministra e zëvendës-ministra,  këshilltarë e zëvendës këshilltarë të këtyre ministrave e zëvendës-ministrave, ka bodiguardë  e shoferë dhe zëvendës të tyre, ka shpura tarzanësh që të marrin gjak në vetull, ka femra bomba me syze të zeza e me muskuj si të meshkujve, ka  tërë një klasë sunduese, e cila i ka të gjitha të mirat, dhe shumë nga ata na qajnë edhe hallin, dhe qe pesëmbëdhjetë vjet rresht na premtojnë liberalizimin e vizave, presin kohën  kur do të na hapin dyert, sikur u hapin dyert kafshëve të egra nga Kopshti Zoologjik, dhe pastaj, lamtumirë Kosovë,  e të mirë mbetsh, varfëri.

Ka Evropa jonë “e dashur”  edhe shumë VC e mbeturina  që duhen pastruar, ka nevojë për punë krahu, për ata që punojnë ditë e natë me kazmë e lopatë, ka nevojë për rojtarë e bujq e mirë e të vyer, që janë të gatshëm të gatshëm t’ i përvishen  çdo pune të ndershme, por kur nuk ka të tilla ata i përvishen edhe çdo trafiku, çdo lloji të drogës e të  gjitha marifeteve të botës së pasur kapitaliste.  Me rëndësi është të na lënë të lirë të bredhim nëpër Evropë, sepse dimë si të gjendemi. Asnjë popull në Evropë, as në Azi nuk di të gjendet për të mbijetuar si dinë shqiptarët, sepse kështu kanë qenë të detyruar të veprojnë, gjatë tërë historisë së tyre mijëravjeçare, me qëllim për të mbijetuar   për të mos  u zhdukur.  Ashtu sikur ka ditur të mbijetojë nën Romë e Bizant, nën sllavë e nën turq, nën italianë e gjermanë, nën serbë e jugosllavë, nën unmikistan e Evropistan.

Dhe ja tani, 20 vjet pas çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese e shfrytëzuese, të cilën e luftuam dhe e dëbuam nga trojet tona, natyrisht edhe me ndihmën e atyre që deshën dhe na ndihmuan, tani në vendin tonë kemi krijuar klasën tonë të shfrytëzuesve, të kapitalistëve puro kosovarë, të mujsharëve   tanë të cilët na shtypin e na shtrydhin, madje për këto “shërbime” kërkojnë edhe  t’ i falënderojmë, sepse këta na paskan çliruar nga Serbia dhe kjo nuk është pak. Andaj edhe duhet të durojmë të paktën derisa të na i liberalizojnë ato viza, për të cilat po presim qe 15-vjet dhe pastaj, kah sytë këmbët.

Ky është preokupimi kryesor i Qeverisë dhe i Shtetit të Kosovës. Me liberalizimin e vizave na thonë se  vjen parajsa për shqiptarët e Kosovës. Këtu edhe merr fund mundi e stërmundi i të gjithë zyrtarëve të vendit tonë, që aq shumë kanë dhënë dhe po japin kontribut duke rendur nëpër zyrat e kancelaritë e vendeve  Evropës, me shpura kolektive zyrtarësh, prej 40 deri në 110 veta, të cilët tërë angazhimin e tyre po e derdhin për të mirën e vendit, për të mirën e qytetarëve, kur një ditë do të hapen dyert e parajsës dhe Qeveria do të flejë rehat, sepse nuk ka më pse frikësohet nga trazirat sociale, edhe ashtu të tilla as ka pasur as do të ketë, përderisa ka rrugë të tjera, më të leverdishme, sot për sot, për nesër ka kush kujdeset.

Kriza sociale në Kosovë, në kushtet dhe rrethanat tona, me politikat aktuale qeveritare që po ndërmerren, vetëm mund të thellohet, po kurrsesi nuk mund të zgjidhet, pavarësisht se çka premtojnë socialdemokratët të majtë të qendrës, pavarësisht çka premton Vetëvendosja, sepse sistemi kapitalist, i cili është instaluar dhe po funksionin në Kosovë, nuk e ka preokupim barazinë sociale, të drejtat e punëtorëve e fshatarëve, mirëqenien e qytetarëve, por shfrytëzimin e tyre me të gjitha format e metodat. Dhe këtë po e bën, në të gjitha segmentet, madje po e bën më mirë se ata kapitalistët nga të cilët e kanë mësuar zanatin.

Andaj, punëtorë e fshatarë të Kosovës, gëzuar 1 majin Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve. Gëzuar pushimi e dëfrimi në “Gërmi”, gëzuar ëndrrat për liri, drejtësi e barazi.

Ahmet Qeriqi

Prishtinë

1 Maj 2019

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …