Në Rahovec është organizuar një tryezë shkencore rreth rolit të festivalit të folklorit ,,Anadrinia Jehon”

Është organizuar një tryezë shkencore rreth rolit të festivalit të folklorit ,,Anadrinia Jehon” në ruajtjen dhe kultivimin e traditave kombëtare shqiptare. Me këtë rast, Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, mbajti fjalim në këtë tryezë: ,,Të nderuar studiues të kulturës popullore shqiptare, veprimtarë të çështjes kombëtare, organizatorë të festivalit të folklorit “Anadrinia Jehon”, të nderuar të pranishëm, më lejoni që në fillim duke ju përshëndetur, të përgëzoj të gjithë ata që për tetëmbëdhjetë vite me radhë u morën me organizimin e këtij festivali. Gjithashtu përgëzoj artistët që për vite me radhë ia kushtuan mundin dhe djersën prezantimit të vlerave tona kombëtare në aktivitete kulturore e artistike. Tryezës shkencore me temë: Roli i festivalit të folklorit “Anadrinia Jehon” në ruajtjen dhe kultivimin e traditave kombëtare shqiptare, i dëshiroj punë të mbarë dhe të suksesshme!

Të nderuar të pranishëm, Kultura popullore përbën elementin qenësor të një etnikumi. Shqiptarët kanë kaluar nëpër periudha të vështira historike dhe shpesh ekzistenca e tyre ka qenë në zgripc. Megjithatë, kanë mbijetuar dhe kanë arritur të ruajnë dhe kultivojnë vlera autentike, duke dëshmuar forcë dhe energji të pashtershme. Kënga, vallja, ritet dhe traditat popullore janë transmetuar nga brezi në brez, duke dëshmuar lidhjen e fortë me trashëgiminë, luftën, historinë, rëniet, lindjet, vdekjet dhe me gjithçka tjetër që përcakton etninë. Jehona e bëmave të luftëtarëve e heronjve kombëtar është përcjellë nga brezi në brez dhe ky ka qenë frymëzim për shumë qëndrestarë. Burrat e këtij vendi kanë qëndruar në istikame duke kënduar heroizmat e të parëve tanë, madje edhe deri në çastet e fundit të jetës. Lahuta dhe çiftelia e kanë përcjellë në varr heroin shqiptar të mbuluar me flamur kombëtar. Në këtë mënyrë kombi shqiptar ka dëshmuar forcë dhe vullnet për të qëndruar në trojet e veta, e pushka e kënga janë bërë bashkë në festa, gëzime e në beteja. Tradita e organizimit të festivaleve, festave familjare dhe shoqërore, kanë pasur si synim transmetimin nga brezi në brez të kësaj trashëgimie të pasur. Kjo edhe përbën thelbin e formimit të kombeve. Historia na ka treguar se kombet që në zanafillë kanë nisur të gjurmojnë këngët, doket e traditat popullore për të dëshmuar përkatësi etnike dhe lidhje me vendin ku jetonte një etni kompakte. Prandaj, edhe populli shqiptar, si trashëgimtar të fiseve ilire, ka arritur të ruajë cilësi të veçanta që e dallojnë nga popujt tjerë. Këto veçanti kanë gjetur shprehje sidomos në folklor. Organizimi i aktiviteteve, festivaleve, rivistave të folklorit në vise të ndryshme shqiptare, përbën element me rëndësi në kulturën tonë popullore. Përmes këtyre shfaqjeve publike, por edhe në festa e ahengje private, janë sjellë risi nga artisti popullor, si dhe janë futur elemente të reja gjuhësore, muzikore, etnografike e sociologjike. Bazuar në këto elemente të kulturës tonë kombëtare ishte detyrimi ynë moral e institucional të mbështesim ngjarje të këtilla, siç është festivali i folklorit “Anadrinia Jehon”, që mbahet në fshatin Dejnë që nga maji i vitit 2001. Nuk kemi mundur të mos e mbështesim këtë ngjarje me rëndësi për kulturën tonë kombëtare, sepse përkon edhe me nisjen e luftës së armatosur në këtë rajon të Anadrinisë. Më 12 maj 1998 djemtë dhe vajzat i kapën armët dhe u vunë në mbrojtje të nderit, dinjitetit dhe krenarisë kombëtare. Dhe ashtu siç është në traditën tonë, jehona e pushkëve u bashkua me atë të këngës dhe bashkë krijuan harmoninë e shpirtit shqiptar. Duke parë rëndësinë e këtyre elementeve në formimin njerëzor e kombëtar, vendimi për të mbështetur këtë festival mbarëkombëtar dhe mbështetja për individët, grupet dhe artistët që paraqiten në këtë skenë, konsiderojmë se është legjitime dhe e dobishme. Organizimi i një tryeze me karakter shkencor, dedikuar vlerave të prezantuara në skenën e festivalit “Anadrinia Jehon”, përbën vlerë të shtuar, duke e materializuar një punë shumëvjeçare në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave tona kombëtare në këtë skenë. Me kontributin e shkencëtarëve dhe studiuesve të kulturës tonë popullore besojmë se ky Festival do të marrë energji të reja dhe se entuziastët e folklorit do të marrin motiv për të vazhduar më tutje ta kultivojnë frymën popullore. Shfrytëzoj mundësinë që të falënderoj dhe përgëzoj të gjithë ata djem e vajza, gra e burra që për vite me radhë janë marrë me organizimin e kësaj ngjarjeje me rëndësi për ne, duke i falënderuar për përkushtimin e tyre dhe vullnetin e dëshmuar. Gjithnjë kemi parasysh faktin se ka pasur shumë vështirësi në organizim dhe ndonjëherë edhe lodhje e dëshpërim, por gjithmonë ia kanë dalë mbanë. Fshati Dejnë dhe fshatrat përreth kanë dëshmuar zemërgjerësi, bujari dhe mikpritje, ashtu siç na kishin mësuar të parët, duke pritur e nderuar miqtë nga anë e anës. Pjesëmarrja e grupeve dhe artistëve nga të gjitha viset shqiptare dhe nga mërgata, përbën thelbin e ekzistimit të këtij festivali. Besojmë se edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të organizojmë rivista të këtilla të kulturës popullore shqiptare, sepse aty është e kaluara, historia, e tashmja dhe e ardhmja jonë. Aty është identiteti ynë kombëtar dhe ne e kemi obligim ta ruajmë e kultivojmë, sepse gjaku i të rënëve do t’na mallkojë. Falënderim të veçantë kam për studiuesit dhe njohësit e folklorit, të cilët i janë përgjigjur ftesës për të dhënë mendimin e tyre shkencor për festivalin e folklorit “Anadrinia Jehon”. Në këtë mënyrë ju i keni dhënë një dimension të ri, jo vetëm këtij festivali, por edhe kulturës tonë kombëtare në përgjithësi. Ju përgëzoj për punën dhe përkushtimin tuaj”, ka thënë në fjalën e tij kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti mbledhjen e katër të rregullt

Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur sot mbledhjen e katërt të rregullt. Me këtë rast …