Rexhep Kasumaj

Rexhep Kasumaj: Daullet e luftës qytetare

  1. Zhgënjimi idhnak.

Regjimi i hashimisëve hoqi parzmoren hijeshuese të gjentilencës politike dhe të përgjegjshmërisë pushtetare.

Kam ndjekur gjatë si gazetar i lajmeve ndërkombëtare zhvillime dramatike: rebelime, konflikte civile, tiranë autistë që kanë vegime amshimi, gjeneralë puçistë a prijës autokratë me shpirtëra të shfytyruar që përflakin tokën për kupolën e epërme..!

Por pozicionimi i djeshëm i juntës hashimiste kapërcente parathënmet më të errta. Ishte, vërtetë, e vështirë, gati e pamundur, të gjeje një aluzion apo, më saktë, një përskajim identik në botë. Ishte proverbiale në meskinitetin e saj për të shpallur të drejtën atnore mbi truallin, mbi shtetin dhe mbi popullin e Kosovës.

  1. Thirrja tragjike

Në paraqitjen e përbashkët kërcënuese, Premieri minak hartonte numëratore të kampeve politike dhe tabelë të hierarkisë morale të antarësisë së tyre. Kurse tjetri, dytësi i tij i kryengrirë, deklaroi habitshëm se i paskësh pritur protestuesit në qeveri, por ja që ikën qyqarisht me bisht nën këmbë. Ç’hipokrizi! Kur protestat e mëparme patën elementë përplasjesh – ata akuzonin me gëzim barbar opozitën për dhunë, ndërkohë që tani kur ajo ishte paqësore, do ti kaplonte çuditërisht një  zhgënjimi i thellë. Si kështu? Ç’ishte ky dyzim moral? Arsyeja ngjan, dhimbshëm e bajatshëm, krejt e tejdukshme. Madje dhe për syrin e pafajshëm fëminor. Sepse, thjeshtë, maskës së  prostituimit politik do ti binin përfundimisht ngjyrat mashtruese. Me ç’afsh kriminal e paskëshin dëshiruar një konfrontim fizik, si levë akuzimi dhe, më pas, kompromitimi të Lëvisjes opozitare!

Pastaj, tutje, ndërsa i pari i bënte ofezë të ulët elektorëve që nuk duan të frekuentojnë shkollën e tij, i dyti, Hashimi i Brojës, ndërkaq, kumtonte strategjinë e gatshme dhe të fshehtë, të përleshjes fatale. Këtë rezervë alternative do ta provojë fjala e tij rrezikzezë e që i binte daulleve të luftës qytetare: besonim të vinit me joshje e padurim, por s’do mirëpriteshit me kafe! Po me çka tjetër, vallë? Me tytat e armëve për të derdhur sërish gjakun e njomë shqiptar…Veçse, tashmë jo nga serbë e pushtues të gjithandejmë, por nga uzurpatorët e autorsisë së luftës dhe vjedhësit e lirisë.

  1. Shëmbëllesa trishtuese

Ndaj dhe, në kërkim shembëllese, do t’më vinte si tundim i frikshëm një paralele e dyfishtë e interesante. E para nxirrte krye që nga lashtësitë e mugëta me figurën e Lemurëve, këto hije të vdekjes që mbjellin tmerr e mort saherë behin nga terri i përtejmë. A nuk ftuan ngjashëm hashimisët për përballje forcash dyluftuese? Po për dallim prej tyre, këta janë të këndejmë, realë dhe terri i vdekshëm vetë. E si të mos mjaftojë kjo, një tjetër simbiozë e kësojetshme, pretendon nyjëtimin fatkeq. Dhe do thoshja mendueshëm e gjithë deshpërim: ky klan juntist ka asimiluar lakmueshëm dy biografi të mnershme nga vende e kohë të ndryshme. Nuk është e lehtë të njësosh ato për të dhënë një definim, a farkim fjalëformues që do të kapërthente botën e tyre. Por ngjashmërinë sikur simbolizojnë çuditërisht dhe  vetë emrat e tyre. Esadi dhe Asadi – ja referencat krahasimore dhe idhujt e admiruar! Rrjedhimisht, prandaj, ata do jenë esadistë –  sepse tregtojnë troje të kombëtare, kurse poaq dhe asadistë, sepse shtyhen drejt implozionit të përgjakshëm në Kosovë.

Si do të përfundojë i pari në Paris, kjo është krenarisht e njohur. Po dhe i dyti në Damask, megjithë rrethansinë e ndërlikimeve

globale, nuk është e pritshme të ketë fat tjetër.

Ndonëse i veçantë në llojin e tij, dhe klika e Kosovës, ky regjim i “thinjur nga neveria”, sërish nuk del dot nga shtrati i tipilogjisë së një diktature: identifikimi dramatik me fuqinë politike, ideja e misionarizmit, truku i pazëvendsueshmërisë, propaganda shurdhuese, veshtarët përgjues, armiqësimi për vdekje i “atdheve politikë”, frika nga statusi i qytetarit të lirë,  kooperativat oligarkike tribale, demonizimini i rivalëve dhe, më pas, persekutimi i tyre dhe, së mbrami, flijimi unikal e i fundjetshëm: flijimi i popullit për fronin e tyre…

Duke qenë pjesë dhe viktimë e doktrinës tiranike, dinastët primitivë të Prishtinës si shemra zelltare e një pararendësi të vrarë dhe një tjetri të rrethuar – inauguruan dilemën apokaliptike me shpresën mizore se do të shmangin të njëjtin, të pandryshueshmin fund: heshtja do ti betononte, kurse rezistenca do të kërkonte tagrin e gjakut.

A mund të përtrolliset kjo dilemë e ligë e shpifarake? Pa as më të voglin dyshim: me përtrollisjen e tyre vetë! Duke shpalosur fytyrën e pjellës më të poshtër që ka parë ndonjëherë ky dhé, ata legjitimuan vetë arësyen e lartë sublime të rrëzimit të tyre…

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …