Adil Fetahu

Adil Fetahu: Koalicionet dhe “Lista serbe”

il fEtKuvendi i Republikës së Kosovës u shpërnda. Udhëheqësit dhe aktivistët e partive politike e patën filluar fushatën parazgjedhore edhe para se të shpërndahej Kuvendi, sepse dihej se ai nuk mund të funksionojë në situatën e krijuar. Tash pas shpërndarjes së Kuvendit, ka marrë hov beteja politike për të rritur numrin e anëtarëve të partive, për transferime individuale e kolektive prej një partie në tjetrën, për koalicione parazgjedhore. Në këtë fushatë, morali politik ka rënë në nivelin e çmimit të kastravecave. Secila parti lavdërohet me “prurje të reja”.  Fushata parazgjedhore akoma nuk është zyrtare,  për shkak se Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, mjeshtër për të krijuar kriza e tensione, po ua tensionon nervat me zvarritjen e paarsyeshme për caktimin e datës së zgjedhjeve. Kur të fillojë fushata zyrtarisht, populli do zbavitet e mërzitet me pallavrat e reja të udhëheqësve të vjetër të partive politike. Gjatë fushatës, kush të mundet do t’i futë ndërskamca e kuja në rrotë partisë tjetër. Me telashet e arsimit në vitin e ri shkollor do të merren vetëm arsimtarët. Bujqit nuk do të kenë kohë të merrën me përgatitjet për mbjelljet vjeshtore, sepse do valëviten nëpër tubime parazgjedhor dhe me shitjen e votave.

E bëra këtë hyrje të shkurtër, për të dalë te koalicionet para zgjedhjeve, dhe ato kryesoret e më të çuditshmet që bëhen pas zgjedhjeve. Vijat e kuqe, të cilat i kishin vizatuar dikur partite, se me cilën nuk do të bëjnë koalicione, tashmë e kanë humbur ngjyrën dhe janë fshirë. Sepse në politikë parimet nuk vlejnë pesë pare. “Lista srpska” që është bërë asht në fytin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës,  rri anash  deri në momentin e fundit, për të rritur pazarin e saj ultimativ në ndonjë koalicion me shqiptarët e pangopur për pozita. Do të bëhën pazare “xhambaze” për postin e kryeministrit e të kryetarit të Kuvendit, me premtime edhe për postin e kryetarit të shtetit. Prandaj “Lisa srpska” është një levë e rëndësishme manovrimi në këto pazare. Po cili është roli dhe qëllimi i “Lista srpska”-s?

Deri më tash është parë roli dhe qëllimi destruktiv i kësaj force politike serbe në skenën kosovare. Deputetët e asaj liste, por edhe ndonjë serb tjetër jashtë saj, janë si “Kali i Trojës” i Serbisë në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës. Tërë kohën kanë bërë dhe gjithnjë do të bëjnë obstruksione për të penguar funksionimin normal të institucioneve ku marrin pjesë. Këtë detyrë e kryejnë sikur të ishin “misionarë” të Beogradit, e jo përfaqësues të zgjedhur të minoritetit serb të Kosovës.

Politika dhe strategjia e Serbisë kaherë ka qenë, është e do të jetë veprimi destruktiv, për të penguar funksonimin normal dhe konsolidimin e shteteve fqinje. Këtë e kanë në gjak e në gjene dhe e kanë të përpunuar në programe, plane e dokumente zyrtare e jozyrtare, publike e të fshehta, të shtetit e të kishës, të akademisë e të universitetit, të diplomacisë dhe ushtrisë e policisë. Qysh në vitin 1939, ideologu i nacionalizmit hegjemonist serbomadh, akademiku Vasa Çubrilloviq, në një fjalim të mbajtur në Banjallukë (në vitin 1939), e porositi pakicën serbe që jetonte në Kroaci: “Pakica kombëtare serbe në tokat kroate gjithmonë duhet të punojë me përkushtim për pengimin e krijimit të çfarëdo shteti kroat, por nëse për shkak të rrethanave historike kjo megjithatë do të ndodhë, që Kroacia të bëhet shtet, është detyrë e kësaj (pakice  serbe,v.j.) të punojë aktivisht për ta dekonsoliduar shtetin e tillë”!

Kjo ide strategjike e kryenacionalistit Çubrilloviq është mishëruar, si vijë e kuqe, në të gjitha programet e memorandumet serbe, ndërsa pakica serbe kudo është manipuluar dhe ka shërbyer si “modus operandi”për kundërshtime, bojkotime, kryengritje, deri në luftë të përgjakshme, sikur ato të dekadës së fundit të shekullit të kaluar, në Kroaci, Bosnje, Kosovë.

Një strategji për destabilizimin e shteteve fqinje: Kroaci, Bosnje, Kosovë, Mali Zi dhe Maqedoni, është përcaktuar në “Memorandumi 2” të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (për atë Memorandum kam botuar një shkrim më të gjatë në vitin 2011; aktiviteteve destruktive të caktuara në atë Memorandum, tash politika dhe diplomacia serbe iu ka shtua edhe veprime të reja, të përshtatura kohës dhe rrethanave). Memorandumi është ruajtur si sekret dhe u është dërguar vetëm përfaqësuesve më të lartë të Serbisë për të vepruar, dhe me porosinë: “Lexoje, por mos e perhap më tutje”.

Në aktrimin e tyre patetik për rrezikimin e popullit serb “nga padrejtësitë, vuajtjet, diskriminimi, dhuna, sulmet, shpërnguljet me dhunë që gjoja po iu bëhet”, pakica serbe në Kosovë po manipulohet për qëllime politike-strategjike të Beogradit. Një “instrument” i fuqishëm manipulues i Beogradit është bërë “Lista srpska”, përfaqësuesit e saj në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës dhe në të gjitha segmentet e jetës publike në Kosovë, në nivelin qendror dhe lokal. Përfaqësuesit e asaj Liste haptas e mohojnë shtetin e Kosovës dhe deklarohen se punojnë për zbatimin e politikës së Serbisë në Kosovë! Ata tërë kohën e keqpërdorin votën paralizuese si minoritet, të cilën ua garanton Kushtetuta e Kosovës, kur është në pyetje votimi i ligjeve.

Është rasti i mirë, por i pabesueshëm, që në zgjedhjet e parakohëshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahën sivjet, nga radhët e minoritetit serb të zgjedhën njerëz të cilët do t’i përfaqësojnë denjësisht interesat e njëmendëta të atij minoriteti, e jo interesat e politikës destruktive të Beogradit; njerëz të cilët e duan  dhe krenohen me përparimin e shtetit të Kosovës, në të cilin jetojnë, punojnë, avancojnë pozitën e tyre shoqërore, ekonomike, arsimore, kulturore dhe të bashkëjetesës me të gjithë bashkëqytetarët. Të fillojnë procesin e katarsit të vet, t’ia kthejnë shpinën politikës destruktive të Beogradit i cili po futë përçarje dhe urrejtje dhe kështu po ua keqëson pozitën minoritetit serb.

Vetëm  një strukturë të re e përfaqësuesve të minoritetit serb, e orientuar kah bashkëjetesa dhe pranimi i shtetit të Kosovës si shtet edhe i tyre, e gatshme për bashkëpunim konstruktiv për zhvillimin e gjithanshëm të Kosovës, do të ishte e denjë për koalicion me partitë e shumicës dhe të minoriteteve tjera. Nëse nuk do të zgjedhet një strukturë e re, e pranueshme edhe për shumicën,  ajo do ta vetizolojë minoritetin serb, do të vazhdojë me politikën e Beogradit dhe do t’ia keqësojë pozitën e shumicës së serbëve të Kosovës.

Koalicionet bëhen me subjektet që kanë qëllime dhe pikëpamje të njëjta ose të afërta për realizimin e programit politik. “Lista srpska” ka pasur platform,vision dhe qëllim parësor dhe kryesor sabotimin e punës dhe funksionimit të Kuvendit, të Qeverisë dhetëgjitha institucioneve të shtetit të Kosovës, mu ashtu sikur e ka përcaktuar “Memorandumi 2,” i përmendur më sipër.

 Zoti mos e dhashtë që me një strukturë si “Lista srpska” të bëjnë edhe njëherë koalicion subjektet politike shqiptare, siç ishte rasti me Qeverinë e Isa Mustafës dhe të Ramush Haradinajt.

Ndërsa elektorati shqiptar, duhet t’i hapë sytë mirë në këto zgjedhje, të mos i përsëritë gabimet, duke i zgjedhur të njëjtit njerëz, por të zgjedh forca të reja kredibile e të pakorruëtuara, të cilat dijnë dhe duan ta qojnë përpara zhvillimin ekonomik dhe ta konsolidojnë e forcojnë pozitën e shtetit të Kosovës, në planin e brendshëm dhe të jashtëm. Aminin!

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …