Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj” MODELI I MARRËVESHJES NDËRKOMBËTARE TË PRESPËS DHE MARRËVESHJA KOSOVË-SERBI

Marrëveshja e Prespës, Maqedoni-Greqi normalizoi marrëdhëniet Maqedoni-Greqi, hapi perspektivën euroatlantike dhe europiane të Maqedonisë, ndihmoi në stabilitetin rajonal. Është përshëndetur dhe mbështetur nga Komuniteti Ndërkombëtar dhe faktori shqiptar. Po rekomandohet nga kancelari dhe qarqe politike si model edhe për Kosovën dhe Serbinë.

Por ka disa dallime thelbësore në rastin e Kosovës dhe Serbisë dhe duhen plotësuar disa parakushte nga Serbia për të shkuar në nënshkrimin final të saj me garancinë e SHBA dhe Bashkimit Europian. Është kjo arsyeja që dita e nënëshkrimit të një Marrëveshjeje të Madhe Politike Kosovë-Serbi nuk është e afërt. Siç e theksova edhe më sipër topi është në fushën e Beogradit dhe ai duhet të ndërmarrë nisma dhe veprime të guximshme e të tregojë vullnet politik për realizimin e një marrëveshje të tillë.

Maqedonia dhe Greqia e nënshkruan Marrëveshjen si dy shtete të pavarura, sovrane që e kanë njohur njëra-tjetrën reciprokisht prej kohësh. Kur Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës, atëherë për çfarë vlen Marrëveshja Kosovë-Serbi?!…

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një intervistë dhënë TVS, më datën 8 maj 2020 lidhur me Samitin e Zagrebit deklaroi: “Unë nuk do të shkruaj kurrë me dorën time njohjen e Kosovës… Nëse serbët kanë dikë që mund ta bëjë një gjë të tillë, le ta zgjedhin, zgjedhjet presidenciale do jenë në më pak se një vit.” Qëndrimi i tij dhe i udhëheqjes serbe ka qenë dhe mbetet i pandryshueshëm: “Nuk do të pranojmë pavarësinë e Kosovë, do të punojmë parreshtur për zhbërjen e pavarësisë së saj.” Pra njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është parakushti, hapi i madh dhe i guximshëm për Marrëveshjen e Paqes Kosovë-Serbi.

Maqedonia dhe Greqia nuk kanë pretendime teritoriale ndaj njëra-tjetrës. Serbia në Kushtetutën e saj ka paragrafin e betimit të Presidentit: “Betohem se do të ushtroj të gjithë fuqinë që më jep Kushtetuta për ruajtjen e sovranitetit të tërësisë territoriale të Serbisë, përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë thelbësore përbërëse e saj”. Pra i duhet të bëjnë ndryshime në Kushtetutën e saj. Udhëheqja e lartë shtetërore serbe vazhdon avazin e vjetër, duke mbrojtur tezën e vjetër se Kosova është zemra e Serbisë dhe kosovarët janë shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut të tyre. Edhe Kisha Ortodokse Serbe vazhdimisht ka mbrojtur idenë se serbët nuk kanë hequr dorë nga Kosova dhe nuk janë penduar për krimet atje: “Kosova dhe Serbia për ne serbët janë pjesa më e shenjtë, aty është zhvilluar e gjithë historia e popullit tonë. Është zhvilluar kultura dhe ana jonë shpirtërore. Numri i madh i shenjtorëve që ne nderojmë në kishën tonë është nga kjo krahinë”.

Gjithashtu kënga serbe “Vitin tjetër në Prizren”, e cila këndohet në të gjitha hapësirat serbe është thirrje për luftë, jo për paqe:

“Kosova është fara prej së cilës unë kam mbirë,

Burimi dhe shtrati prej të cilit populli ka rrjedhur…

Betimi i Kosovës, i cili do të zgjatë për gjithmonë…

Zemra e atdheut tim, esenca e personalitetit tim…

Shpirti ytë i lënduar,

Tokë e shenjtë prej Qiellit e blerë.

Lulëkuqet do të  na ringjallën,

Kremtën, vitin tjetër në Prizren”.

Kërcënimet e Vuçiçt shkojnë edhe më tej: “Do të fitojmë pavarësinë dhe tërë territorin e saj të plotë”. Për të realizuar këtë Serbia po armatoset çdo ditë.

Marrëveshja Maqedoni-Greqi u nënshkrua nga një lidership i ri – Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras, të cilët hapën një epokë të re në marrëdhëniet dypalëshe. Situatë tjetër është në Serbi. Kanë kaluar plot 21 vjet nga shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve të Kosovës nga pushteti serb, por as strukturat e larta shtetërore të Serbisë, as Akademia e Shkencave të Serbisë nuk kanë kërkuar falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës. As nuk janë ndëshkuar urdhëruesit dhe ekzekutorët. Pikërisht gjeneralët vrasës, oficerët gjakpirës, ushtarët dhunues, paraushtarakët e droguar, plaçkitës e zjarrvënës u rritën në përgjegjësi dhe u dekoruan me motivacionin “Shembuj të Heroizmit e Patriotizmit”. Kur mungon institucioni i faljes duhet bërë kujdes dhe duhet treguar vigjilencë e lartë, sepse pasardhësit e Millosheviçit, të Sheshelit, të Arkanit po t’u jepet mundësia përsëri ushtrojnë gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës. Atje e kanë mendjen… Barku që e polli nacionalizmin e çmendur e të sëmurë të Millosheviçit ende nuk është shterpëzuar. Është po ajo klasë politike në Serbi sot që ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në dekadën e fundshekullit XX. Presidenti Vuçiç ka qenë Ministër i Informacionit në kohën e Millosheviçit, po qeveris në koalicion me Ivica Daçiç, kryetar i Partisë Komuniste të Millosheviçit. Në krye të ushtrisë janë gjeneralët që organizuan shpërnguljen e madhe të shqiptarëve, në diplomaci ata që mbrojtën në kancelaritë botërore gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.

Marrëveshja Maqedoni-Greqi i hapi rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO (tashmë është anëtare me të drejta të plota e saj) dhe perspektivës së saj për në BE. Serbia po e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, duke patur edhe mbështetjen e Rusisë. Gjithashtu Serbia po e pengon Kosovën të jetë një shtet normal. I ka marrë tapitë e tokave, dokumentacionin për pensionet, dokumenta të tjera të rëndësishme. Duke i dhënë kompetenca legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore Asociacionit të Ri të Komunave Serbe synohet krijimi i një minishteti serb brenda territorit të Kosovës.

Është një marrëveshje e sinqertë midis dy popujve miq, pa urrejtje për njëri-tjetrin Marrëveshja e Maqedonisë me Greqinë. Situatë tjetër është në Serbi. Forcat destruktive atje (e nuk janë pak) nuk kanë hequr dorë nga urrejtja për shqiptarët. Dëgjohen herë pas here në sheshe, në stadiume, në manifestime, në protesta thirrjet: “Ubij, zakalji, da Siptár ne postaju” që në shqip do të thotë: “Vrit, prej që shqiptari të mos ekzistojë”. Udhëheqja e lartë serbe nuk është e sinqertë përsa i përket Marrëveshjes me Kosovën as me veten e saj, as me popullin e saj, as me shqiptarët, as me faktorin ndërkombëtar. Dinakëria, demagogjia, mashtrimi, pasinqeriteti – janë elementët që zotërojnë në propagandën dhe retorikën e saj për Kosovën. Aleksandër Vuçiç thotë se nuk ka asnjë ide sesi do të jetë zgjidhja e mosmarrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës. Nuk thotë të vërtetën me qëllime të largëta e të përcaktuara politike dhe për përfitime territoriale. Ai gjithnjë ka përsëritur tezën e tij konstante se nuk mund të arrihet një Marrëveshje Kosovë-Serbi pa përfituar Serbia. Pa e marrë veriun e Kosovës. Aspirojnë dhe e kanë në planet e tyre krijimin e Serbisë së Madhe. E tha vetë ai në takimin me serbët në Mitrovicën e Veriut: “Serbia do të jetë më e madhe”. Kryeministrja serbe Ana Brnabiç hiqet sikur nuk e di ç’është gjenocidi. Ajo e di shumë mirë, por nuk do ta dijë. Sipas saj: “Gjenocidi është kur ju jeni… duke vrarë gjithë popullsinë, gratë, fëmijët dhe kjo nuk ka ndodhur”. Siç duket asaj nuk po i mjaftojnë, pse politika serbe nuk ka arritur t’i vrasë të gjithë boshnjakët në Bosnje e Hercegovinë, të gjithë shqiptarët në Kosovë e kroatët në Kroaci e që pastaj udhëheqësit e Beogradit ta quanin gjenocid. Qëllimisht hiqen sikur nuk e dinë ç’është gjenocidi për të mos e dënuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Maqedonia plotësoi kërkesën e Greqisë për ndryshimin e emrit, pra i bëri lëshimin që kërkonte pala greke. Po Kosova a i ka bërë lëshime Serbisë? Po. Ka pranuar Planin e Ahtisarit, duke pranuar kufijtë ekzistues të saj, por duke lënë jashtë territorit shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe duke pranuar mosbashkimin me Shqipërinë. Nuk është pak… Duhet marrë në konsideratë nga faktori ndërkombëtar, i cili presionin duhet ta bëjë mbi Serbinë, jo mbi Kosovën, e cila është e martirizuar nga Serbia në shekuj.

(Autori është përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë).

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …