RKL

RKL: Kur krejt aspiratat e drejtat të lirisë, drejtësisë, bashkimit e përparimit reduktohen në kërkesë për liberalizimin e vizave

Edhe 21 vite pas luftës dhe 12 viteve pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, vendi ynë nuk i ka zgjidhur problemet e brendshme as të jashtme, në mungesë të një vizioni të çartë kombëtar dhe në mungesë të një programi unik mbi të ardhmen,  i cili do të buronte nga një referendum gjithë-popullor, si përcaktim i së drejtës së një populli i cili jeton në pesë shtete dhe është pajtuar me këtë përdhunim barbar historik,  të cilin ua ka caktuar Evropa.

Pikërisht për këtë mungesë uniteti, ne jemi unik vetëm në një kërkesë dhe ajo është vetëm liberalizimi i vizave, që nga politika jonë e trekëndëshit: Tiranë-Prishtinë-Shkup, cilësohet si arritja më e madhe, parajsa e vetme tokësore, ku synon jo populli shqiptar, por politika shqiptare, me qëllim që me servilizmin që i drejtohet autoriteteve të caktuara të Evropës, ta marrë bekimin e saj,  për të qëndruar në pushtet dhe asgjë më shumë.

Kjo dalldi nonsens për liberalizimin e vizave, nuk buron nga populli i lodhur, sepse ai e di se nuk ka çka pret prej këtij mashtrimi, sepse të shëtisësh  nëpër rrugët e Evropës pa euro në xhep, dihet se ku mbaron. Asnjë të mirë shqiptarëve nuk u sjellë liberalizimi, pasi nuk sjellë punë, nuk sjellë ndihma humanitare, nuk sjellë pozitë më të mirë sociale, por lë anash vetëm torturën para zyrave të shteteve Evropiane në Prishtinë,  dhe përgatitjen paraprake të një krahu me dokumente, pastaj zhgënjimin e 80 për qind të atyre që kërkojnë viza dhe nuk i marrin ato. Por ne jemi mësuar me këto pritje, dhe as na bëjnë fare përshtypje. Edhe ashtu jemi popull i vonuar me fajin tonë dhe të botës mujshare.  Jemi bëtë aq të adaptuar në pritje, sa nuk na bën fare përshtypje. Kjo është gunga jonë që e mbajnë mbi supe dhe nuk na bëhet vonë, sepse është bërë pjesë e qenies.

Pse politikanët tanë aq shumë i fryjnë borisë së liberalizimit?

Nuk është hera e parë po as e fundit që politikanët tanë kapen për liberalizimin e vizave  si të arriturën më të madhe të tyre, meqë derisa ka premtime, ka edhe gënjeshtra, mashtrime, manipulime, abuzime të lloj-llojshme. Secili nga politikanët tanë kur vjen në pushtet, gjënë e parë që premton është liberalizimi, në afatin e tij  të qeverisjes dhe kurrë e në asnjë rast nuk i shpjegohet popullit çka do të thotë liberalizim dhe çka fitojnë shqiptarët kur me “pesë kopetë e tyre”  të hyjnë në “kopenë e madhe” të quhet, Bashkim Evropian.

Ata fitojnë lëvizjen pa viza dhe shumë detyrime të tjera që nuk i ka plotësuar dhe as i plotëson asnjë shtet. Çka fitoi Shqipëria nga liberalizimi, përveç largimit të dhjetëra mijëra qytetarëve të mashtruar se në vendet e BE-së, është parajsa tokësore, që ofron të gjitha mundësi, krejt deri në momentin kur secili ballafaqohet me anën tjetër të medaljes.

Natyrisht se në Evropën “nënë e njerkë” në të njëjtën kohë, gjendet punë në të zezën, ka plot mbetje xhirizesh që Evropa nuk i   pastron vetë, ka punë me shata e lopata, funksionojnë të gjitha trafiqet që i shpikur “inteligjencia kapitaliste” është tërë një botë që të verbon dhe t’ i merr mendtë  me reklama, me lakuriqësi, me ndragie, me oferta ndër më të ndryshme, ndër më joshëset, sidomos për të rinjtë që manipulohen lehtë nga reklama e pa shpirt e kapitalizmit vulgar e virulent, që  t’ i hapë të gjitha dyert, ashtu sikur bën merimanga me thurjen e rrjetit të saj, pastaj fillon të shtrëngojë e të shtrëngojë deri sa  të ngulfat, ose derisa sa të bën  të përdorshëm  dhe të shpërfytyruar në shumë segmente, pastaj  hë hedh rrugëve.

Kosova është shteti që ka pritur më shumë se kushdo liberalizimin e vizave, është i vetmi popull e vend në kontinentin e Evropës, që nuk i ka plotësuar kushtet për liberalizim, sepse Evropa kërkon nga Kosova të pajtohet me çdo kusht me Serbinë, duke bërë koncesione, marrëveshje të dëmshme  për veten,  dhe duke i lëshuar pe Serbisë në të gjitha kërkesat e saj. Ky është kushti, pa të cilin nuk ka liberalizim as në vitet e ardhshme. Kjo është dashuria e madhe e shqiptarëve për BE-së,  e cila e dashuron vetveten dhe Serbinë, sepse e  ka rehabilituar, pikërisht pasi  ka kryer krime fashiste kundër shqiptarëve, myslimanëve të Bosnjës, kroatëve të tjerëve.

Duket shumë cinik ky konstatim, por është kjo Evropa, që ka themeluar një gjykatë raciste, fashiste kundër shqiptarëve, të cilët kërkon t’ i dënojë e t’ i ndëshkojë sepse janë mbrojtur nga gjenocidi, sepse me ndihmën e Amerikës kanë krijuar një Shtet të ri, të cilin dikur gjyshërit e këtyre të sotmëve,  ia kishin bërë tapi Serbisë dhe vendeve sllave ortodokse të Ballkanit.

Evropa  e di se shqiptarët nuk do të do të kënaqen me kaq, por do të kërkojnë edhe atë që u takon si e drejtë e natyrshme, e pakonsumuar, e drejtë e patjetërsueshme për të jetuar në një shtet të vetëm, sikur edhe të gjithë popujt e tjerë, mbi baza të së drejtës për Vetëvendosje mbi parimet  e njohura historike dhe etnike.

Evropa, është po ajo e kohës së  Gjergj Fishtës, dhe tani ka do kërkesa në dukje të tjera, por në esencë të njëjta me ato të kohës së Bizmarkut, i cili kishte thënë:  Shqipëria është shprehje gjeografike, ajo nuk ekziston. Formula e Bizmarkut e vitit 1878 sot është reduktuar në ruajtjen e status-quosë. Shqipëria tani ekziston, por jo pjesët e saj. Ato nuk do t’ i bashkohen kurrë Shqipërisë, sepse prishet “Namuzi i Bizmarkut”, prishet konsensusi evropian dhe kjo tërheq me vete efektin domino. Ky efekt nxjerrë në sipërfaqe hartën e arnuar të Ballkanit  me lëkurët e shqiptarëve,  dhe kjo nuk do të ndodh derisa Evropa ka Berlin, Paris, Romë, Beograd, Athinë, Moskë, Peking etj.

Evropa  dhe ne të lakueshmit në mesin e shqiptarëve, përjashtuam Uashingtonin, Londrën   e cila i la shëndenë Evropës së mërrytë…

Tani Gjermania sërish me premtimet e saj. Po liberalizim, por duhet pritur, duhet rregulluar Ballkanin e ri me hartat e vjetra  të qepura në Paris, në Berlin, në Londër, në Jaltë, në Rambujenë e parë, në Versajë, në Bukuresht e vende të tjera.

Dashuria e shqiptarëve për Evropën nuk ka si të mos na kujtojë dashurinë e madhe të stërgjyshërve tanë për baba Dovletin dhe kur përmendej  emri i tij, ata lëviznin nga vendi. Kjo është shqiptaria e bërë dhe e pabërë në të njëjtën kohë. E duam Evropën edhe kur na copëton edhe kur na injoron dhe kur na shpërfillë e na përjashton…

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …