Rexhep Qosja

Jorgo Mandili: R.Qosja është një enciklopedi e gjallë… që mjafton ta lexosh dhe ke mësuar çfarë, si dhe pse kanë ndodhur të gjitha këto…

Nga Jorgo Mandili   Botuar në DITA

NJERI! Sa krenare tingëllon kjo fjalë tek personaliteti i shquar i kombit tonë, profesorit, akademikut e intelektualit Rexhep Qosja. Tek ky patriot e shqiptar i madh që veprën, punën, përpjekjet e përkushtimin e tij ndaj kombit dhe iluminimit të tij e ka shpalosur në 29 vëllimet e tij, të botuara nga Institutit Albanologjik i Prishtinës, ku spikat pasioni i pashuar i tij për çështjet shqiptare, për gjuhën, historinë e kombit tonë, patosin polemik me të cilin mbronte dhe vazhdon të mbrojë idetë e tij.

Ky përkushtim për të iluminuar ndërgjegjen e popullit të vet, e vendos atë në piedestalin e Rilindësve Kombëtarë dhe të intelektualit që aktivizon në favor të kombit e shoqërisë shqiptare njohuritë e përftuara, duke aspiruar zhvillimin gjithmonë e më të madh të Shqipërisë e Kosovës, të cilat dëshiron t’i shohë si shtete dhe si komb të përbashkët, gjithnjë e më mirë, gjithnjë e më të begatë e të zhvilluar.

Me të drejtë, publicisti dhe gazetari i njohur Ylli Minxhozi thotë se “për ne shqiptarët, Rexhep Qosja është guri kilometrik i rëndësishëm në ndërgjegjen kombëtare”.

Njohja e thellë që ai ka për botën dhe njerëzit, vizioni i gjerë dhe gjykimi i mprehtë rreth fenomeneve që i interesojnë, mënyra sesi na e shpjegon situatën me objektivitet e në mënyrë racionale e bën atë edhe një intelektual të shquar të kombit tonë

Një intelektual, që nuk sheh vetëm të tashmen por edhe të ardhmen, nuk sheh vetëm momentin aktual por edhe pikën e mbërritjes drejt së cilës është drejtuar kombi dhe shoqëria duke mbetur një luftëtar energjik dhe i panënshtruar në këtë aktivitet të tij si dhe në të gjithë të tjerët. Një intelektual që i është nënshtruar ligjit moral apo përputhjes me vetveten që i është parashkruar.

Një intelektual që ka zgjedhur të vërtetën si bashkëshorte, që është i lidhur me të në jetë dhe në vdekje, që e mbron atë kur kundërshtohet nga të tjerët, që e mbron publikisht kur përdhoset dhe fyhet, që duron në emër të saj urrejtjen e fshehur nga të mëdhenjtë maskarenj; qeshjen torollake të trapave dhe ngritjen pasionante të shpatullave të meskinit.

Këtë të vërtetë mund t’a thotë vetëm një intelektual “promethian” si R. Qosja me pavarësi të tillë të mendimeve e sjelljeve, saqë pranon rrezikun, që shpesh vetvetiu e përmban mospajtimi me të këqijat që ka krijuar kjo oligarki politike e financiare duke u shprehur në mënyrë kritike me gojë e me shkrim, publikisht në denoncimin e padrejtësive, pabarazive sociale, zhvatjeve të pasurisë kombëtare, vrasjeve e delikteve të tjera si mashtrimet gënjeshtrat, shpifjet, fyerjet e deri nëpërkëmbjet e dinjitetit të njerëzve të varfër e të pambrojtur.

R.Qosja është një enciklopedi e gjallë… një enciklopedi që mjafton t’a lexosh dhe ke mësuar çfarë, si dhe pse kanë ndodhur të gjitha ato vjedhje, uzurpime, mashtrime, vrasje, fyerje e gënjeshtra gjatë këtyre 30 vjetëve të këtij tranzicioni të pafund qe e ka çuar popullin ne mjerim dhe varfëri, kurse një kaste injorantesh e provincialesh në pasuri përrallore.

Shkrimi i z.Mandili është pjesë e forumit për Njeriun e Vitit me analistët dhe bashkëpunëtorët e DITA. Forumi botohet numrin e fundit të çdo vitiNëse lexon Qosen, mëson për sovranin e mashtruar, manipuluar, shfrytëzuar dhe sunduar prej një oligarkie politike, e ardhur në pushtet prej shtresës së varfër më shpesh fshatare se punëtore, ku e kaluara e saj, varfëria e saj, kanë përcaktuar sundimin e saj, sjelljen e saj, pangopësinë e saj materiale dhe pushtetore në politikën e brendshme dhe cirakësine e saj në politikën e jashtme.

Nëse lexon Qosen mëson për korrupsionin e pështirë në të gjitha institucionet e në të gjitha nivelet, nepotizmin, si dëshmi e primitivizmit të pa tejkaluar, plaçkitjen e pasurisë kombëtare, si dëshmi e babëzisë kriminale të demonstruar me privatizimet misterioze e të kriminalizuara, për sundimin e të vërtetave prej rrenave e mashtrimeve, për pushtimin e të drejtave prej padrejtësive, për rënien e vlerave para sulmeve feudale të prishësve.

Nëse lexon Qosen mëson për shtetin, që nuk është bërë ende shtet i së drejtës, por shtet i pushtetarëve, që e shohin atë pafytyrshëm si shtëpinë e tyre private, që drejtohet jo si shtet demokratik modern, por si despoti orientale, si një shtet që nëpërkëmb personalitetin e qytetarëve, që deformon dhe zhbën të gjitha zakonet e kombit, që degradon shpirtrat fisnikë dhe bujarë, që zbeh shkëlqimin e dinjitetit, që errëson arsyen dhe zëvendëson nderin më të lartë me neveritjen e përgjithshme.

Nëse lexon Qosen mëson për një shoqëri me papjekuri të brendshme, që nuk kupton se cili është realisht interesi i saj, që nuk e ka koshiencën e të drejtave të saj, ku ligji nuk është garant i të drejtave të qytetarëve, ku ka humbur çdo besim tek moraliteti në jetë, në politikë dhe në treg, ku veset shihen si virtyte, ku shpresa duket si një gënjeshtër e padobishme, që po degradon politikisht, ekonomikisht, kulturalisht e moralisht drejt vdekjes së saj të ngadalshme.

Nëse lexon Qosen mëson për mediat jo si tribuna demokratike me diskutime të kulturuara, të argumentuara, me të cilat paraqiten dhe mbrohen e drejta dhe e vërteta, por për ulërima parahistorike e aktrime të padenja analistësh, opinionistësh, politikanësh e deputetësh ku ushtojnë, fyerjet, kërcënimet, gënjeshtrat, mashtrimet e demagogeve, të diletanteve, të frazeologëve të injoranteve, të privuarve prej vetëdijes më themelore etike, plotësisht të papërgjegjshëm për pasojat e fjalës së vet.

Nëse lexon Qosen mëson për pronarët e partive, që në të shumtën e rasteve e dëshmojnë rangun e kryefeudalit partiak, jo vetëm pse rrethohen me besnikë të fshatit a qytetit prej nga janë vetë, por edhe pse sillen, veprojnë, mendojnë, bëjnë çmos që të çmohen e të jenë prijës të përjetshëm, feudale të vërtetë të partisë së tyre! Një provincializëm që ka sjellë prapambetje në rrugë historike: sa mosdije, ai është papërgjegjshmëri, sa rrudhje e trurit, është dhe rrudhje e shpirtit.

Nëse lexon Qosen …kupton se shumë çka nuk është si e dëshirojmë, se në politikën tonë, në ekonominë tonë, se në arsimin tonë, se në shëndetësinë tonë, se në kulturën tonë, se në mediat tona, se në gjuhën tonë politike, ka shumë të këqija, që nuk durohen më. Dhe, si të durohen më!

Këto të vërteta do t’i gjeni nëse lexoni Qosen …do të gjeni vendin tuaj se ku ndodheni, pse ndodheni dhe rrugët për të dalë nga gjendja ku ndodheni. Do gjeni VETVETEN!

Nëse lexoni Qosen do të mësoni se kush është Anti-Njeriu. Sa pështirosje përmbledh kjo fjalë tek individët e klasa politike

Nëse lexoni Qosen do të mësoni për anti-njeriun si individ për “njeriun banal” me një “të folme as letrare as dialektikore, thjesht një mbllaçitje shurdhuese, duke iu përulur “demokracisë, (pa e ditur se ç’është demokracia) vetëm për faktin se e la të lirë të bëjë ç’të dojë dhe të pasurohet sa të dojë” …kusar, mediokër e vulgar, që u përhap si metastazë kudo në çdo qelizë të shoqërisë … u bë edhe deputet, edhe ministër, edhe kryetar partie, edhe kryetar bashkie edhe gjyqtar, edhe prokuror, edhe profesor, edhe akademik edhe rektor, edhe shkencëtar. E gjen kudo, është ai “i forti” , “99-shi, që “di të pasurohet pa punuar dhe që bën karrierë me “shkërdhatokraci” .

Për Anti-njeriun si individ konkret. Si Sali-Ui …i pandëshkuari i madh, si përbindëshi që i bëri  gjëmën Shqipërisë me vrasje, djegie, plaçkitjeje, shkatërrime, vjedhje, anarki e mashtrime. Mallkimi më biblik i Shqipërisë, që ende vazhdon të cicërojë kur duhet të vuante burgimin e përjetshëm. Që ende bën thirrje për revolucion sepse nuk është ngopur as me gjak, as me pasuri e as me pushtet. Armik i gjinisë njerëzore, ish president e kryeministër mizantrop që shfaq vese shtazore, që urren për gjithçka, veç familjes së tij.

Për Anti-njeriun si Ilir që u shfaq si “kingmaker” dhe u kthye në “virusmaker” që megjithëse u kap me zë e figurë për korrupsion, shpëtoi me procedurë falë “dashurisë dhe qetësisë” me monstrumin Sali-Ui. Nuk u ndëshkua. Vazhdoi me “qetësi e dashuri” edhe me Edi Ramën mandatin e parë për pushtet, por humbi “qetësinë e dashurinë” në mandatin e dytë, ku si president po shfaqet tashmë një “mbrojtës i flaktë i demokracisë dhe kushtetutës deri në abnegacion si Alende e deri në revolucion për “mbrojtjen” e demokracisë e cila është përçudnuar nga Edi Rama dhe klani i tij. Në fakt e gjithë kjo “stuhi në gotë” bëhet për pushtet!

Për Anti-njeriun si KaraMedi…smirëzi e hipokrit e i pa vlerë, por që bën të vlerësueshmin. Më i ziu i politikanëve pas Sali-UI, që shfarosi një fshat të tërë duke vrarë mbi 26 njerëz, midis tyre edhe fëmijë. Me paturpësinë më të madhe, i ngrefosur e me pamje kapadaiu del e bën moral për drejtësi, barazi e ndershmëri, në një kohë që “duhet të vuante burgim të përjetshëm”. Ky i pandëshkuar i madh vazhdon t’i bëjë karshillëk popullit që e ka vrarë dhe frustruar flet edhe në emër të popullit.

Për Anti-njeriun si Luli që kërkon me çdo kusht e çdo mjet pushtet, kur nuk ka treguar asnjë aftësi edhe si ministër i brendshëm (vrau 4 veta më 21 janar), edhe si ministër i jashtëm (shiti detin), edhe si ministër i transportit (vodhi rrugën e Kombit), edhe si kryetar partie (tri herë humbës i madh). Si mundet t’i besosh këtij dështaku  të madh “çelësat” e qeverisjes?

Për Anti-njeriun si Edrama që i mashtroi, gënjeu e i lëndoi shqiptarët të cilët shpresuan për një  realitet të ri qytetëronjës nëpërmjet Rilindjes shpirtërore të mentalitetit oriental me reforma e jo me “mballoma e kozmetikë” në administratë, në shëndetësi, në bujqësi e sidomos në arsim për një edukim të ri.

Shpresuan shqiptarët në një drejtësi për ndëshkimin e Sali-Ui, Luli Bashës, Fatmir Mediut e shumë të tjerëve që kishin abuzuar e nuk ishin ndëshkuar. Shpresuan shqiptarët për një mirëqenie sociale e për një dinjitet më njerëzor nga Rilindja e Edi Ramës. Prandaj i dhanë edhe një milion vota, të cilat ja kërkoi popullit për t’a pasur timonin i vetëm.

Por më kot. Të korruptuarit, vrasësit, kusarët e pushtetit vazhdojnë të pandëshkuar livadhisin.

Për Anti-njeriun edhe si frymë që përshkon gjithë “fermën e kafshëve politike” shqiptare, që në historinë politike të Shqipërisë nuk ka pasur tjetër me një instinkt kaq të zhvilluar për pushtet, kaq të babëzitur për pasuri e kaq të pacipë në hedonizëm.

Një klasë politike dhe një lidership që po i bën varrin Shqipërisë, që pa shpifje e pa mëkat në ndërgjegjen tonë i meriton për herë të parë në historinë e Shqipërisë fjalët e të madhit Konica: “Nëqoftëse Shqipëria-fjalë fatale-vdes, atëherë mundet, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…”

…një klasë politike me

Koshiencën më të ulët për patriotizmin, atdheun, flamurin, kombin dhe popullin që hyri në politikë për të marrë e për të zhvatur  dhe jo për të bërë e për t’i dhënë diçka shoqërisë…e vazhdon ende me paturpësinë më të madhe e pangopësinë shtazarake me pazare, marrëveshje, konflikte, demagogji e hipokrizi të riciklohet përsëri. Një klasë politike që ka refuzuar njerëzoren, të menduarit, dhembshurinë e dashurinë për kombin, atdheun e njerëzit.

http://www.gazetadita.al/forumi-dita-jorgo-mandili-njeriu-i-vitit-rilindasi-promethian-rexhep-qosja-antinjeriu-i-vitit-nje-klase-politike-dhe-nje-lidership-qe-po-i-ben-varrin-shqiperise/

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …