Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i përkujton të rënët në masakrën e Poklekut të Vjetër të Drenasit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i përkujton të rënët në masakrën e Poklekut të Vjetër të Drenasit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka përkujtuar të rënët në masakrën e Poklekut të Vjetër në Drenas, gjurmët e këtij krimi janë endë të freskëta edhe tani pas 22 vitesh. Ai ka thënë edhe pse drejtësia heshti, nuk u zbehën kujtimet e as nuk u shua malli për ata që fëmijëria e tyre u rrëmbye nga barbarët serbë. Në vazhdim të shkrimit të tij Haradinaj ka pyetur Përse kjo urrejtje? Përse të sulmohen tri familje të pambrojtura? Përse të vriten fëmijët e nënat e tyre? Përse të digjen kufomat? Përse drejtësia heshti para këtij krimi makabër?

 

Shkrimi i plotë

Edhe pse drejtësia heshti, nuk u zbehën kujtimet e as nuk u shua malli për ata që fëmijëria e tyre u rrëmbye nga barbarët!

Me dhembje në zemër, duke e ditur se drejtësia ende nuk është vendosur, njëzetedy vite pas Masakrës në Poklek të Vjetër, kur gjurmët e gjakut në bodrumin e Fadil Muqollit ende janë të freskëta, kujtojmë jetët e pafajshme të humbura e të rrëmbyera nga ata që tentuan të zhbijnë qenien dhe ekzistencën tonë.

Tre fëmijët e Mehdi Muqollit ishin prej dhjetëmuajsh deri në katër vjeç.

Dorës barbare nuk i shpëtuan as vajzat e Qamil Muqollit, Liria gjashtëmuajshe dhe Florentina tri vjeçe, e as fëmijët e Fadil Muqollit, Egzoni katër vjeç, Ylberi dhjetë, Naseri dymbëdhjetë dhe Shehidja trembëdhjetë vjeçe.

Në Poklek, u ekzekutuan mizorisht edhe Fatos (Xhavit) Muqolli një vjeç dhe motra e tij Eronita katër vjeçe, pesë fëmijët e Ilmi Muqollit, Albulena (5), Agroni (10), Rexhepi (12), Fatmirja (17) dhe Vezirja (20), katër vajzat e Sinan Muqollit: Hafija, Sherifja, Elifja dhe Eminja nga dhjetë deri në njëzetedy vjeçare, fëmijët e Liman Muqollit, Mërgimi, Mirsadi dhe Menduhija nga pesë deri njëmbëdhjetë vjeçarë, djemtë e Ejup Carakut, Hasani dymbëdhjetë e Besarti trembëdhjetë vjeç.

Nuk shpëtoi as Avdullahu dymbëdhjetë vjeç e as katër djemtë e Ymer Elshanit.

Përse kjo urrejtje? Përse të sulmohen tri familje të pambrojtura? Përse të vriten fëmijët e nënat e tyre? Përse të digjen kufomat? Përse drejtësia heshti para këtij krimi makabër?

Që të jetojë i lirë shqiptari, ne bashkuam pushkët në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe shporrëm armikun jashtë. Pas çlirimit, vazhduam me TMK-në dhe FSK-në, të cilën e transformuam në ushtri. Ushtri që nuk do të lejojë që populli ynë të ripërjetojë dhembjet që u shkaktuan mbi ne për më shumë se tetë dekada okupimi.

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja, Eliza Hoxha thotë se Ministria që udhëhiqet nga Liburn Aliu, brenda një viti ka lidhur 42 kontrata pa procedura prokurimi

Eliza Hoxha: Kryeministri në detyrë po shkel rendin kushtetues – po mban dy pozita paralelisht

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti …