Ilir Sefaj

Ilir SEFAJ: Ditari i pandemisë-tetëdhjetë ditë në karantinë!

Në një e recension timin të publikuar në fillim të vitit 2020, për librin Dritë mbi plagë, të hartuar nga krijuesit Lulëzim Etemaj e Isuf Sherifi, (që me të drejtë e quajnë, sprovë për antologji), në të cilin i pranishëm me vargjet e tij është edhe poeti e studiuesi, Agim Vinca, ndër të tjera, pata shkruar: “Së këndejmi, mendoj se libri Dritë mbi plagë edhe pse brenda tij ka vuajtje, dhembje, varre, uri, dënesje, lot e gjak, është dhurata më e mirë me të cilën lexuesi ynë do ta fillojë këtë decenie të re, e cila pa mëdyshje se do të jetë më premtuese se ato që kaluan, e për të cilat lutemi që të mos kthehen kurrë më”.

Si për inat, nuk u desh të kalonin edhe shumë ditë që të përmbysej kjo lutje “shpresëdhënëse” të cilën ia dëshiroja kombit tim të shumëvuajtur. Qysh në javët e para të vitit 2020, madje edhe më herët, diku kah fundi i vitit 2019, botës mbarë po i përgatitej një ogur i zi, pandemia COVID-19, e cila edhe tash kur veç po kalon gjysma e vitit 2021, po merr jetë njerëzish e po trazon shpirtrat tanë, por kësaj radhe pa zgjedhur popujt.

Jo rastësisht e fillova në këtë mënyrë këtë përqasje timen, meqë target i saj është pikërisht pandemia në fjalë, por e shikuar nga një perspektivë tjetër. E shikuar nga prizmi i krijuesit, poetit, shkrimtarit e studiuesit, Agim Vinca.

Në rreth 300 faqe sa i ka libri Ditari i pandemisë, Agim Vinca i ka regjistruar përshtypjet dhe përjetimet e tij si individ, mënyrën se si e kundroi ai këtë mynxyrë, këtë zezonë, për plotë 80 ditë të kaluara në karantinë teksa qëndronte në banesën e tij në Prishtinë.

Profesor Vinca e nis Ditarin e tij me një parathënie nëpërmjet së cilës ia bën me dije lexuesit se e gjitha filloi “si diçka e vogël, por që ditë pas dite e javë pas jave, erdhi duke u rritur, ashtu siç rritet topi i dëborës kur niset nga maja e bjeshkës për të përfunduar në fund si ortek a rrungajë”.

Dihet se teoritë letrare ia njohin prozës dhe poezisë, por edhe zhanreve të tjera letrare “autonominë” e tyre, dhe po ashtu nuk janë të rralla krijimet në të cilat hasim hibridizim zhanresh, sikurse ta zëmë është proza poetike apo poezia

prozaike, e që zakonisht njihen si forma që dalin jashtë rregullave që lidhen me ecurinë e një proze apo poezie, mirëpo Ditari i pandemisë i krijuesit Vinca, është më shumë se kaq, është edhe prozë edhe rrëfim edhe histori.

Në tetëdhjetë ditë sa edhe ka mbajtur shënime profesor Vinca në Ditarin e tij, përveç që shpalosë detaje me rendësi nga përditshmëria e tij, telefonatat e zhvilluara me miq, njerëz të artit e të kulturës, përcjelljen me vigjilencë të lajmeve që vijnë nga vende të ndryshme të botës, rrëfimet për mënyrën se si këto vende përballen me virusin vdekjeprurës, ai po me kaq interes i ndjekë dhe i gjykon edhe zhvillimet politike në Kosovë.

Nëse shtetet e tjera të botës ia kishin shtrirë dorën e solidaritetit njëra-tjetrës, duke përfshirë edhe Shqipërinë tonë, e cila i dërgoi rreth 30 mjekë e infermierë në Itali për t’i dalë në ndihmë shtetit fqinj të dërmuar nga koronavirusi, lufta e ashpër mes taborëve politikë në Kosovë është në kulmin e saj, anipse pamëshirëshmërinë e tij vazhdon ta shfaqë hapur virusi enigmatik, i njohur si COVID-19.

Ani pse i diplomuar në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Telekomunikacionit, neve që kemi zgjedhur ta studiojmë shkencën e letërsinë, e që e konsiderojmë veten kompetent kur luajmë rolin e “demiurgut” kundrejt një vepre të caktuar letrare, sikur na bënë xheloz konstatimi i kryeministrit Kurti, dhënë për librin Ditari i pandemisë të profesor Agim Vincës: “Përsiatjet individuale të autorit në kohë izolimi, ndryshimi i detyruar i raporteve dhe rutinave familjare e shoqërore, virusi në politikë e politika me virusin… Mediet në Kosovë e Shqipëri me polemikat e panumërta (më shumë dërrmuese sesa shteruese), librat shqip dhe të huaj që i ka për qejf autori apo që i rebelohen atij nga përgjumja në kujtesë, ngjeshin radhët e tekstit 300 faqesh të ditarit 80 ditorë nga pranvera 2020 e Kosovës”.

Studiuesi i shkencave kompjuterike e lexuesi pasionantë i letërsisë, lideri i Lëvizjes studentore dikur, tash kryeministër i vendit, kur flet për verbin krijues të profesor Vincës, shton: “Ka libra që nuk mund t’i lexosh për një ditë. Ka libra që nuk mund të mos i lexosh brenda ditës. I këtillë është Ditari i pandemisë së Agim Vincës. Po e more në dorë dhe e hape faqen e parë, s’e shqet dot nga dora deri në faqen e fundit”.

E di që do të ishte ideale që ky vështrim imi për librin e profesor Vincës të përmbyllej me konstatimin e kryeministrit aktual të vendit! Megjithatë, kujtoj që nuk është e tepërt nëse themi se pandemia, ky emër qe është bërë pjesë e përditshmërisë sonë për pothuajse tri vitet e fundit, pa mëdyshje se një ditë edhe do të kalojë.

Kjo dergjë që trazoi botën, në të ardhmen e afërt (shpresojmë!), në rastin “më të mirë” do të përmendet shkarazi. Por, një gjë është e sigurt, kjo situatë makthi me të cilën vazhdon të përballet edhe më tej njerëzimi, do të jetojë gjatë në memorien tonë, vetëm se jo edhe aq sa në librin Ditari i pandemisë, të krijuesit të rrallë, autoritetit të kulturës shqiptare, profesor Agim Vincës.

Dhe, nëse e parafrazojmë atë që me modesti e thotë autori i librit, profesori i nderuar, do të thoshim: Le të mbetet një dëshmi, nëse jo për histori, së paku për jetën e përditshme të njerëzve të një kohe, të cilët e përjetuan pandeminë COVID-19.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …