Vangjel Sako

Vangjel Sako: A kanë turp këta njerëz, se burrëri jo e jo!?

Java që mbyllëm kishte mysafirë në ekranet e televizioneve kryesore shqiptare, dy “ korifejt” e demokracisë së këtyre 30 vjetëve, Ilir Metën dhe Sali Berishën. Duke u sorollatur nga një ekran në tjetrin, ata shfaqën pa dorashka një të përbashkët: na zbuluan ne që i njohim aq mirë, se ishin dy heronjtë e kësaj demokracie, që kishin luftuar aq ndershmërisht në të mirë të vendit dhe që ishin tashmë “dashnorë” të popullit dhe sovranitetit të tij. Me një guxim prej të marri dhe me një paturpësi të frikshme, ata u vetëshpallën si luftëtarë të paepur të kësaj demokracie, se kishin dhënë mjaftueshëm dhe më të mirën për të, sepse në vitet që do vijnë kanë ruajtur surpriza të drejtimit dhe se do të bëjnë namin.

 Ndërsa ne presim që të ikin sa më shpejtë nga sytë këmbët dhe ta çlirojnë njëherë e mirë këtë vend nga e keqja, ata deklarojnë se do t’i kemi nëpër këmbë edhe shumë vite të tjera, edhe 50 deklaron presidenti në detyrë. Duke mos marrë parasysh një sërë të gjatë dështimesh të bujshme në drejtim që kanë ndikuar edhe në dështimin e shtetit për të marrë konturet e një shteti modern, ngarkuar me dhjetëra akuza politike dhe korrupsioni, një pjesë të madhe të të cilave ata të dy ia kanë vënë në dukje edhe në podiumin e parlamentit njëri-tjetrit, ata marrin guximin dhe me zë të lartë deklarojnë se janë kalorësit e demokracisë dhe kjo e mjerë Shqipëri nuk ka vuajtur dhe vuan prej tyre. Mësuar këta 30 vjet me veset më të këqija të njerëzimit, me pështy dhe lëpi, urre dhe dashuro, armiqësohu pastaj bëhu aleat, ata kanë harruar evolucionin si dukuri që nuk varet prej tyre: ka ndryshuar jo vetëm skena politike, por janë qartësuar edhe “spektatorët “, votuesit.

 Edhe nëse do ta quanim një “rrëfim përpara priftit” në fakt përpara opinionit, ata ishin të pasinqertë me ne, po edhe me veten. Në asnjë pyetje të bërë ndaj tyre, ata nuk dhanë një përgjigje të drejtpërdrejt, por u munduan të tregojnë atë që donin ata dhe jo atë që prisnim të dëgjonim ne. Edhe në pyetjen më të thjeshtë (megjithatë më duhet të jem i sinqertë dhe të pohoj se si gjithmonë kolegët që kishin përballë më shumë ishin simpatizantë dhe bënin pyetje dashamirëse se sa të ishin në pozicionin e tyre profesional dhe të përfaqësonin opinionin e gjerë publik), ata spërdridheshin si bishti i dhelprës dhe për të ardhur aty ku ishin i binin nga Kina. Mirë burrëri nuk kanë këta që të përballen me të vërtetën, po a nuk kanë të paktën pak turp kur gënjejnë kaq hapur? Tre herë e pyeti gazetarja Ilir Metën se çdo të bënte nëse Gjykata Kushtetuese shprehej për shkarkimin e tij dhe ai të tre herët nuk u shpreh me diçka konkrete, por topin mundohej ta linte në fushën kundërshtare. Të mos e njohësh veprimtarinë politike dhe shoqërore të Ilir Metës dhe Sali Berishës në vite dhe t’i dëgjosh për herë të parë, bindesh se ata janë “dy dragonj të demokracisë”, që u rri ngushtë kostumi për drejtimin vetëm të Shqipërisë, por duhet të marrin shpatën dhe të udhëheqin Ballkanin, Europën për të mos thënë gjithë botën.

Dërdëllisin sikur Gërdeci, vjedhja e floririt dhe 21 janari i përbashkët (sa për konkretizim), nuk kanë ndodhur kur ata kanë qenë në udhëheqje, por kanë ndodhur shekuj më parë dhe duart e tyre janë më të pastërta në botë. E pranojnë vetë se vendi sot gjendet në një situatë aspak më e mirë se 30 vjet më parë dhe hiqen sikur president, kryeministër apo kryetar kuvendi nuk kanë qenë ata, por unë me shokët e mi. U janë errësuar aq shumë sytë dhe arsyeja sa ata 5 apo 10 mijë vetë që mblodhi në 2 mars Iliri i bën sot 200 mijë dhe sulmin që bëri Saliu ndaj godinës qendrore të PD, partisë që vetë e themeloi, ta quajë revolucion paqësor. Historia botërore të paktën deri më tani nuk njeh asnjë rast të revolucionit paqësor kur revolucionarët mbajnë në duar varre dhe qysqi, thyejnë xhama dhe tentojnë edhe më shumë.

Nuk mbajnë frena për të përmendur këdo emër që u kujtohet, nuk lënë pa thënë një mijë herë se i thashë dhe më tha këtë e atë dhe nuk e shikojnë historinë në sy dhe të rrëfehen për gjynahet që mbartin me vete. Nuk e çoj dot nëpër mend me gjithë nivelin tim intelektual se si mund të jetë mik Ilir Meta me Sali Berishën kur ky i fundit e ka akuzuar atë publikisht, as më pak dhe as më shumë si hajdut i floririt të Kërrabës dhe për vrasje pas malit të Dajtit. Ilir Floriri nuk e quajta as unë dhe askush tjetër, por vetë Sali Berisha që ky tashmë e quan si politikanin më të ndershëm. Kanë 30 vjet që çfarë thonë në mëngjes nuk e thonë në darkë dhe çfarë deklarojnë në darkë e mohojnë në mëngjes. Kam një përjetim personal të ngjashëm si dy pika ujë më sjelljen e këtyre dy kampionëve të mashtrimit.

Ndryshimet e para administrative pas marrjes së pushtetit nga PD ishin ato që ndodhën në ushtri. Më një urdhër dite largohej nga detyra një gjeneral apo kolonel që kishte investuar jetën në interes të mbrojtjes së Atdheut dhe vinte menjëherë në atë detyrë kush kishte qenë i zoti që kishte ngritur i pari dy gishtat lart. Çuditërisht një kolegu ynë që ne mendonim se do të ishte i pari që do largohej nga detyra sepse prej 25 vjetësh kishte qenë sekretar i organizatës së partisë së shtabit të divizionit dhe tmerri i oficerëve, nuk lëvizi nga detyra. Për një qafore të qepur, jo në rregull apo për një mos nderim kur shkëmbeheshe me të ishe i detyruar të shkoje të shërbeje në repartin më të largët. Një ditë më thërret në zyrë së bashku me një koleg dhe shok, Albanin. Na tha se meqë kishim kaligrafi të mirë do të merreshim me korrigjimin e disa hartave. Kur ishte duke na shpjeguar detyrën e lajmërojnë se e kërkonte në mbledhje shefi i Shtabit të Divizionit, i sapo emëruar. Kur kthehet ishte furtunë. Pa mbyllur mirë derën na pohon se “më gomar, më të paaftë dhe më injorant se shefi i Shtabit nuk kishte”. Pa mbaruar fjalinë, hapet dera dhe në kornizën e saj shfaqet as më pak dhe as më shumë vetë shefi i Shtabit.

Unë dhe Albani hapën sytë të habitur dhe prisnin çdo të ndodhte. Në moment shefi ynë i thotë shefit të madh se “me ato direktiva që na dhe në mbledhje o shef, ti nuk duhet të jesh këtu ku je, por duhet të punosh në shtabin e NATO-s”. Dha një porosi shefi i madh dhe u largua ndërkohë që unë e Albani shikonim njëri-tjetrin në sy dhe na dukej se ishin në një film fantashkencë. Na zgjoi vetë shefi që na ulëriti të kishim kujdes se do të na binte boja nga pena në hartë. Unë, na tregoi, kam 25 vjet që e shtyj kështu në ushtri e ju gjytyrymët na habiteni, uleni kokën dhe punoni. Edhe Sala e Likja kështu kanë gjithë këtë kohë që e shtyjnë. Por duket u ka ngecur sharra në gozhdë. Dhe bëjnë karagjozllëkun. Mezi po pres korrikun thotë Likja sikur e pengon njeri që qysh nesër të shkojë tek ai “populli që e do fort”.

Vetëm ky fakt që ai shprehet se do vegjetojë këto muaj në Presidencë, mjaftojnë për të zhvlerësuar figurën e tij. “Kam bazën me vete, ulërin Saliu, po nuk jam mban që gjithë veprimtarinë që ka bërë deri tani nga 9 shtatori t’i nënshtrohet statusit të partisë, por krijon statuse të reja. Kur ishte vetë kryetar ka përjashtuar pothuajse gjithë themeluesit e PD dhe i ka detyruar të bëjnë parti të re, por vetë nuk e bën dot një të tillë. Të ishin burra të dy nuk sokëllinin nëpër ekrane, po dilnin dhe qetë-qetë i deklaronin popullit se “ne kemi qenë pjesë e kësaj udhëheqjeje që Shqipërinë e kemi prurë në këtë derexhe, kemi dhënë më të mirën tonë, por meqë mbi ne janë gjithë këto akuza ne tërhiqemi nga drejtimi dhe të vijnë të rinj më të aftë për të bërë atë që ne nuk e bëmë”. Por këtyre, mirë që u mungon burrëria, por këta nuk njohin as turpin që mesa duket do ta hedhin mbi veten deri në kupën e fundit. (SOT)

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …