Prof. dr. Nusret PLLANA MOS - HARRESA NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE!

Prof. dr. Nusret PLLANA MOS – HARRESA NË SHËRBIM TË KUJTESËS HISTORIKE!

Gjenocidi serb në Makofc të Prishtinës me rrethinë!

Në këtë krim gjenocidial Serbia fashiste, më 17, 18 e 19 prill 1999, i vrau 160 shqiptarë civilë, pa kursyer moshë as gjini, pleq e fëmijë, në mesin e tyre 8 trupa ende konsiderohen të zhdukur.

Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Republikës së Kosovës,

Të nderuara familje të dëshmorëve dhe martirëve të kombit,

Të nderuar invalidë e veteranë të luftërave tona çlirimtare,

I nderuari Kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama,

I nderuari Ahmet Isufi,

I nderuari Sylë Vitija,

I nderuari,  Fatmir Sopi

Të dashur vëllezër e motra,

Të rënët për liri kanë përmasë historike dhe kombëtare. Të rënët në luftën për liri dhe çlirim, janë themeli i kësaj Kosove që kemi sot, por edhe procesi i madh historik i bashkimit kombëtar.

Të rënët në logun e betejës janë peshorja e ndërgjegjës së shqiptarëve. Ideali i lirisë, i të rënëve në të njëjtën kohë, për ata shqiptarë që ende kanë dilema se a duhej të bëhej lufta çlirimtare, është kamxhikosje e psikologjisë së robit. Atdheu i të rënëve për lirinë e Kosovës është atdheu i të gjithë shqiptarëve.

Masakra në Gollak, përkatsisht në Makofc, më 17, 18 e 19 prill të vitit 1999, është ajo pjesa tragjike e jetës historike të popullit shqiptar, vazhdimësi e masakrës gjenocidale të masakrës së Parapashticës e Keqekollës, ku edhe para më shumë se 100 vitesh regjimi barbar serb i pat vrarë dhe djegur 1020 shqiptarë të Prapashticës, kurse 514 të Keqekollës, e që pat shpëtuar vetëm një foshnjë në djep, dhe për fat të keq, sot e kësaj dite, as edhe një film dokumentar nuk e kanë bërë institucionet tona kompetente për këtë gjenocid të paparë të fillim shekullit XX në Kosovë, prandaj shumë shpesh më vie në kokë thënja e të Madhit – gjeniut të letrave shqipe, Faik Konicës, kur zemërplasur me budallakitë e shqiptarëve thoshte: “Ruaje Zot Shqipërinë prej shqiptarëve”, sepse për fat të keq harresën e kujtesës historikevazhdojmë ta kemi edhe më tutje “defekt gjenetik”.

Defekt aq të madh sa që, nuk mund të durohem pa e cituar para jush një njeri me famë botërore, një shkenctar austriak me prejardhje hebreje, autorin e librit “Golgota Shqiptare”, ku ndër të tjera thot: “ Shqiptarët kanë kujtesë të shkurtër, aq të shkurtër sa që xhelatët e tyre për një kohë të shkurtër i thërrasin miq”.

Ndërkaq senatorja belge Anne Marie Lizin, shqiptarëve vetëvrasës dhe bukëpërmbystë ju drejtohet kështu: “Edhe nëse ajri i pastër të vinte nga Serbia dhe jeta ime të ishte e varur prej tij, të isha shqiptare nuk do ta blija. Do të më dukej përbuzje ndaj të gjitha viktimave”.

E ne shqiptarzijtë, edhe më tutje, qe 23 vite rresht vazhdojmë pa fije turpi ta ushqejmë armikun tonë barbar dyshekullor me duart tona, duke ia blerë mallrat e kontaminuara me qindra miliona vjet për vjet, që don të thot miliarda e miliarda para të gatshme ia dërgojmë Serbisë gjakatare në arkën e shtetit të saj, duke i thënë “faleminderit shumë Serbi që na vrave, na dogje e na poqe”, por ne jemi trushpërlarë dhe prap të duam”.

Dhe, e njejta Serbi pushtuese dhe gjenocidiale është forcuar aq shumë ekonomokisht e ushtarakisht me parat tona të përgjakura, sa që ka blerë armët më moderne e më të sofistikuara të kohës, bile këto ditë i ka blerë edhe raketat e prodhimit kinez me rreze të gjata veprimi, që shkatërrojnë gjithçka, edhe në largësi prej mijëra kilometrash.

Të dashur vëllezër e motra,

Sot na ka tubuar gjaku i djemëve dhe vajzave tona më të mira, i fëmijëve tanë engjëj, i nënave dhe baballarëve tanë, të cilët Serbia nazifashiste e gjenocidiale i vrau vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë.

Mëngjesin e 18 prillit 1999 forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe sulmuan shumë fshatra të Gollakut, të Komunës së Prishtinës, ku vranë e masakruan në mënyrën më barbare 160 civilë shqiptarë duarthatë, burra, gra, pleq e fëmijë. Kjo ngjarje tragjike ka hyrë në histori me emrin Masakra e Makofcit me rrethinë.

Në Kosovë Lufta e UÇK-së kundër forcave ushtarake dhe policore pushtuese serbe kishte mbi dy vjet që zhvillohej. Gjatë kësaj periudhe në Kosovë kishin ndodhur edhe masakra të tjera, secila më e rëndë se tjetra, shumë tragjike dhe shumë të tmerrshme, por ajo që ndodhi në Makofc, kur edhe me sharrë druri ekzekutoheshin njerëzit e kësaj ane, ishte diçka e paimagjinueshme për logjikën e njeriut normal. Andaj, këtë barbari e mizori fashizoide nuk do ta duronte as truri i njeriut, po të ndodhte edhe në kohë të mesjetës, e lëre më në zemër të Evropës, të ashtuquajtur ‘demokratike’, e cila për fat të keq, me gjithë këtë gjenocid të ushtruar nga barbaria dhe mizoria serbe mbi shqiptarët, për gati dy shekuj me radhë, ajo(Evropa pra) shqiptarët edhe sot e kësaj dite i konsideron qytetarë të rendit të dytë, e pa fije turpi mundohet, me çdo kusht ta barazoj viktimën me kriminelin, i akuzon çlirimtarët për krimet e supozuara, ndërkaq Serbinë pushtuese e gjenocidiale e trajton edhe më tutje si të përkëdhelurën e Ballkanit.

Skenat barbare nga masakra e Makofcit kishin tronditur opinionin ndërkombëtar, por edhe ngjarjet me kufomat e kësaj masakre dhe të masakrave të shumta gjithandej Kosovës, ishin akte shumë çnjerëzore, që e vërtetonte për të satën herë brenda dy shekujve, urrejtjen patologjike të çmendurisë serbe ndaj racës pellazgo-iliro-dardane, përkatësisht shqiptare.

Të nderuar udhëheqës të Republikës së përgjakur të Kosovës,

Të nderuar qytetarë të Gollakut me rrethinë,

Të nderuar të pranishëm të këtij këtij tubimi përkujtimor,

Nuk e mban mend asnjë periudhë e historisë njerëzore lojen me të vdekurit, varrosjen dhe zhvarrosjen e tyre, sa herë ju tekej, siç e kanë bërë regjimet barbare serbe mbi shqiptarët në vazhdimësi, e sidomos në fund luftën e viteve 1998/1999, vetëm e vetëm që të zhduknin gjurmët e këtij gjenocidi të paparë në Evropë, pas luftës së dytë botërore. Këtë lojë të çmendurisë së tyre me kufomat shqiptare, vazhdojnë ta bëjnë qe 23 vite rresht, dhe për fat të keq, në mungesë të presionit të mirëfillt ndërkombëtar, edhe më tutje na i mbajnë gjithandej Serbisë gjenocidiale trupat e 1645 shqiptarëve civilë, që i vranë e masakruan barbarisht, vetëm e vetëm pse ishin racë e kundërt me ekzekutorin.

Dihet se pas masakrës, një luftë tjetër e ashpër u zhvillua për marrjen e kufomave, për varrimin e tyre dhe për analizat e komisionit ndërkombëtar, të cilat për pushtetin e satrapit të Ballkanit Millosheviq kishin pak rëndësi, siq nuk kanë rëndësi fare as për kriminelin Aleksandër Vuçiq, Daçiq, Vullin e shumë e shumë kriminelë të tjerë të Serbisë fashiste, që janë fotokopje e Kryekriminelit Millosheviq.

Krimi shtetëror serb në Makofc ndikoi drejtpërdrejtë në ndërgjegjësimin e opinionit ndërkombëtar dhe të qarqeve e të qendrave botërore vendimmarrëse për atë çfarë po ndodhte në të vërtetë në Kosovë.

Prandaj, mos – harresa e kujtesës historike është jo vetëm obligim moral, edukativ e kulturor për ne të gjallët e vdekur, por edhe obligim historik, që t’i kujtojmë më të dashurit tanë, jo vetëm gjatë përvjetorëve të rënjes së tyre, por me vepra e punë të mira për atdheun tonë të larë me gjakun e djemëve dhe vajzave tona, të nënave dhe baballarëve tanë që u therrorizuan me shekuj për lirinë e Kosovës dhe Bashkimin e trojeve shqiptare. Sa herë atdheu i një populli të robëruar përgjaket, janë të rënët ata që bëjnë shenjat e ringjalljes së tij.

Andaj, sot jemi tubuar këtu të përkulemi para tyre, të betohemi para gjeneratave të reja dhe brezave që do të vijnë, se këto flijime me përmasë antologjike të djemëve dhe vajzave tona më të mira, të nënave dhe baballarëve tanë, nuk do t’i harrojmë kurrë, sepse gjaku i tyre është vet liria e Kosovës.

Sido që të merret, flijimi dhe sakrifica e të rënëve për lirinë e atdheut, janë pjesë e kujtesës sonë historike, të brezave që do të vijnë, sepse çdo gjë mund të harrohet, por gjaku i derdhur për liri nuk harrohet kurrë. Andaj, nuk harrohet as gjaku i këtyre 160 qytetarëve të Makofcit e fshatrave të tjera të Gollakut me rrethinë, të rënë këtu, sot e 23 vite më parë, nuk harrohet as vrasja e djaloshit të dëshirit, apo të hasretit siq thot populli, gjaku i dëshmorit Latif Krasniqi, vëllait të vetëm të 7 motrave, njëra prej të cilave, e mbijetuara e kësaj masakre Bukurije Krasniqi, enkas ka ardhë sot nga Gjermania, për t’i nderuar të rënët për liri, të kësaj masakre gjenocidiale, por nuk harrohet as gjaku i atyre nënave, i plakut të moshuar, por as gjaku i asaj foshnje, që është bërë pjesë e lirisë sonë.

Qoftë edhe vetëm për këtë fakt, të rënët për lirinë e Kosovës kanë përmasë historike dhe kombëtare.

Të kësaj përmase janë edhe të rënët e Masakrës së Makofcit e të fshatrave të Gollakut me rrethinë.

LAVDI E PËRJETSHME!

18 Prill 2022,

Prishtinë – Makofc

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …