…Dhe në prag të festës kombëtare 28 Nëntorit shkollave shqipe në Zvicër i shtohet edhe një pikë shkollore në Othmarsingen të Kantonit të Argaut
Të lumtur që më në fund mund fillojnë me mësimet në gjuhën shqipe. Mësuesja Nuraj Iljasi së bashku me nxënësit e shkollës shqipe në Othmarsingen të Kantonit të Argaut
E hënë 27 nëntor 2023, pas një pune të përbashkët mësues dhe prindër, Shkolla shqipe në Othmarsingen hap dyert për fëmijët shqiptarë të këtij rajoni, me qëllim që edhe ata ta mësojnë gjuhën amtare në mënyrë te rregullt. Mësuesja Nuraj Iljasi një mësuese e përkushtuar, e cila punon edhe në pikën shkollore në Pratteln të kantonit të Basellandit ishte tepër e lumtur që ëndrra e saj të punoj me fëmijët shqiptarë edhe atë në Zvicër, po bëhet gjithnjë e më tepër realitet. A ka gëzim më të madh për një mësuese? – kur sheh prindërit shqiptarë, të cilët i sjellin fëmijët e tyre për t`i regjistruar në shkollën shqipe.
Gëzim i pa përshkruar dhe festë në të njëjtën kohë. Buzëqeshjet e këtyre fëmijëve ishin dhurata më e bukur për shkollën shqipe në këtë ditë festive.
… Për nxënësit e Shkollës shqipe në Othmarsingen festa e 28 Nëntorit këtë vit ishte edhe më e bukur, edhe më e dashur sepse të hënën në prag të festës filluan edhe me mësimin në gjuhën shqipe. A ka festë më të dashur? – kur festa shoqërohet edhe me shkronjat e gjuhës shqipe, me këngën për flamurin, atdheun, Shqipërinë.
Dhe me të vërtetë kështu ndodhi këtë nëntor, mësuesja ua shpërndau librat, abetaret dhe pastaj filluan bashkërisht t`i shfletojnë shkronjat e gjuhës shqipe, duke i shqiptuar ato dhe duke e parë dallimin e shkronjave me gjuhën gjermane. Pastaj ata vazhduan duke vizatuar shqiponjën simbolin e flamurit kombëtar dhe flamurin kuq e zi. Me ato duart e arta vazhduan secili në mënyrën e vet duke i dhënë klasës një pamje të bukur, një ngjyrë festive, sepse 28 Nëntori është padyshim festa më e dashur e të gjithë shqiptarëve.
Nxënësit: Amini, Hira, Klea, Ciara, Loriku, Amari, Enuari, Lirioni, Melia, Diari, Esma, Sara, Ailinda, Amra, Ajra iu bëjnë thirrje bashkëmoshatarëve të tyre, që edhe ata në ditët në vijim të regjistrohen në shkollën shqipe. Mësimi zhvillohet çdo të hëne nga ora 16:00 -18:00, në shkollën fillore në adresën Schulstrasse 10, në Othmarsingen.
Vlen të përmendet se në këtë përpjekje për hapjen e pikës shkollore një kontribut të çmuar kanë dhënë veprimtarët e arsimit shqip në Zvicër Riza Demaj dhe Vaxhid Sejdiu si dhe mësuesja Nuraj Iljasi.