Eliot Engel: Qeveria e Serbisë duhet ta kuptojë se Kosova është shtet i pavarur dhe se e tillë do të mbetet

Ramiz Lushaj: “MIRËNJOHJA SHQIPTARE”  për Kongresmenin Amerikan ELIOT ENGEL,  nga “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024” 

Kongresmeni Amerikan Eliot ENGEL- ish Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme  të Kongresit Amerikan, një mik i shquar i Shqiptarëve në Ballkan e në Amerikë, një ndër 
kontributorët e mëdhenj për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës, për 
Njohjet Ndërkombëtare të saj, u nderua me Çmimin e Madh “Mirënjohja Shqiptare“ nga 
“Takimi i Madh i Prishtinës, 2024″ (Këshilli Kombëtar Organizativ i Takimit), ku merrnin pjesë 
511 të Ftuar Nderi nga Republika e Kosovës, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e 
Preshevës e Sanxhaku, Çamëria, Europa, Amerika, Australia, etj.. mbajtur këto ditë në në sallen 
“Beethoven” të “Emerald Hotel” (me pesë yje) në Prishtinë, kryeqytetin e Republikës së Kosovës. 
 
Çmimi i Madh “Mirënjohja Shqiptare“ për Kongresmenin Amerikan Eliot Engel, mban 
të nënshkruar motivacionin: “Për kontributet e shquara si Kongresmen (1989-`21) dhe Kryetar i 
Komisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan (2019-`21) për Lirinë, Pavarësinë e 
Shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe për njohjet ndërkombëtare të saj”. 
Kongresmeni Amerikan Eliot Engel nga Nju Jorku iu drejtua “Takimit të Madh të 
Prishtinës, 2024” me një Përshendetje (e dërguar në shqip e në anglisht), e cila u lexua në 
foltoren e Panelit të këtij Takimi PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik, të cilën po e 
publikojmë pjesërisht: 
“Të dashur miq të Takimit të Madh Prishtina 2024, 
Ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë që vendosët të më nderoni me Çmimin e Madh 
“Mirënjohja Shqiptare” për kontributin tim në Pavarësimin e Kosovës. 
E ndaj këtë nder me mikun tim të mirë të shumë dekadave, Harry Bajraktari, i cili ishte i 
pari që më prezantoi me çështjen e Kosovës dhe luftën e saj të drejtë për liri dhe pavarësi. Ai ka 
qenë gjithmonë përkrah meje dhe kemi punuar së bashku në Washington dhe New York për të 
siguruar mbështetje për Kosovën në Kongresin Amerikan, në Shtëpinë e Bardhë dhe në shumë 
organizata ndërkombëtare. 
Shumë pak njerëz në Washington e dinin se ku binte Kosova, kur e nisëm punën tonë, 
por kjo ndryshoi shpejt. Në vitin 1996, kur dukej se Kosovën po e harronin, udhëtova në 
Prishtinë dhe ngrita flamurin amerikan në sy të zyrtarëve serbë për të treguar se ëndrra ende 
jetonte. 
Më në fund, e gjithë bota demokratike u bashkua në mbështetje të Kosovës. Kjo u bë 
fare e qartë kur në 1999, Presidenti President Bill Clinton udhëhoqi NATO-n në luftën që 
shmangu një katastrofë humanitare, ndaloi genocidin, dhe më në fund solli paqen dhe 
stabilitetin në rajon. Kosova u çlirua dhe hyri në rrugën e pamvarësisë. 
Bashkë me Harry Bajraktarin dhe miq të tjerë, udhëheqës të komunitetit shqiptar, e 
vizituam Kosovën menjëherë pas çlirimit dhe u kthyem aty përsëri shumë herë gjatë këtyre
viteve. Nuk do ta harroj kurrë fjalimin tim të parë përballë Kuvendit të Kosovës, pas shpalljes së 
Pavarësisë. 
Për fat të keq, për shkak të rrethanave personale nuk mundem që të marr pjesë në 
takimin tuaj të nderuar. Por e duartrokas dhe mbështes me gjithë zemër vendimin tuaj për të 
festuar triumfin e lirisë dhe demokracisë në Kosovë. 
Vërtet, 25 vite pas mbarimit të luftës, ka shumë arsye për të festuar. Kosova është bërë 
një vend i pavarur, një demokraci solide, dhe një faktor  i paqes në rajon dhe në botë. Rreth 110 
vende dhe shumica e organizatave ndërkombëtare e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. E ardhmja 
juaj është e ndritur dhe ndjehem mirënjohës që pata fatin të luaj një rol e të isha me ju në 
pjesën më të madhe të këtij udhëtimi. 
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e Kosovës!– e përfundon 
Përshendetjen e Tij, Z. Eliot Engel, i cili ndërvite ishte, gjithashtu, edhe themelues e 
(bashkë)kryesues i “Grupit të Ligjëvënësve për Çështjet Shqiptare” në Kongresin e Shteteve të 
Bashkuara të Amerikës. 
 
Çmimin e Madh “Mirënjohja Shqiptare“ për Kongresmenin Amerikan Eliot Engel e 
dorëzoi Dr. Getoar Mjeku– shqiptaro-amerikan, Zv/Ministër i Ekonomisë në Qeverinë e 
Republikës së Kosovës (ish Zv/Ministër i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregëtisë), avokat 
ndërkombëtar, me shkollim universitar në Teksas të Amerikës dhe me zyrë avokatie në Amerikë 
përgjatë 10 vite të qëndrimit të tij në SHBA, publicist, studiues, përkthyes, ish gazetar i “Zëri i 
Amerikës“, etj. 
 
Çmimin e Madh “Mirënjohja Shqiptare“ për Kongresmenin Amerikan Eliot Engel e 
pranoi përfaqësuesi i deleguar (i autorizuar me nënshkrim në foot-note të Përshendetjes së Tij), 
av. Rasim Hasanaj– ish–Kryetar i Komitetit Shtetëror të Kulteve të Republikës së Shqipërisë, 
veprimtar elitar shqiptaro-amerikan, vllau i Azem Hajdarit (“Hero i Demokracisë“), një ndër 
miqtë e afërt (personal) të Kongresmenit Amerikan Eliot Engel dhe të Z. Harry Bajraktari –
“Nderi i Kombit”. 
“Takimi i Madh i Prishtinës” e vlerësoi e nderoi me Çmimin e Madh “Mirënjohja 
Shqiptare” edhe Z. Harry Bajraktari në New York-Amerikë, me motivacionin: “Lobues e 
kontribues i shquar për Çështjen Kombëtare Shqiptare në institucionet e larta Amerikane; për 
Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës; për Demokracinë në Shqipëri; për Liritë 
dhe të Drejtat e Njeriut në Rajonin Ballkanik Shqiptar; për Kulturën e Masmedia Shqiptare në 
Amerikë e në Atdhe”. 
 
Në fjalën e tij falenderuese, pas pranimit të Çmimit të Madh “Mirënjohja Shqiptare” për 
Kongresmenin Amerikan Eliot Engel dhe shqiptaro-amerikanin e mirënjohur Harry Bajraktari, 
përfaqësuesi i Tyre në këtë Takim, av. Rasim Hasanaj, ndër të tjera, theksoi, se: “Është nder i 
madh për mua që të përfaqësoj në “Takimi i Madh i Prishtinës, 2024” të nderuarit: të madhin 
Kongresmen Eliot Engell, ish kryetarin e Komisionit të Jashtëm në Kongresin Amerikan dhe 
mikun e Tij të ngushtë Harry Bajraktari, që siç e theksoi Kongresmeni Engell në Përshendetjen 
drejtuar këtij Takimi PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik, te dy punuan bashkë për 
 
Çështjen Kombëtare e në veçanti për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Republikës së Kosovës.  
I rëndësishëm është fakti se Kongresmeni Eliot Engel dhe shqiptaro-amerikani Harry 
Bajraktari vazhdojnë ende të punojnë me përkushtim për Çështjen Shqiptare…”. 
 

Kontrolloni gjithashtu

Sadik Halitjaha

Sadik Halitjaha: NUK DUHET TANI TË KËRKOHET FAJTORI! DUHET TË KËRKOHET ZGJIDHJA!

Vështirë është të gjendet zgjidhja! Zgjidhja i takon atij që e ka sjellë vendin në …