Opinionisti Visar Ymeri, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë radhë ka shmangur ndërhyrjet në zgjedhjet në Shqipëri për shkak të paralajmërimeve nga partnerët ndërkombëtarë, në veçanti nga Gjermania. Kurti është përmbajtur nga përfshirja e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor në Shqipëri, ndryshe nga herët e kaluara kur Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur publikisht kandidatë të afërt politikisht. “Mendoj që Kurti këtë herë është tërhequr për shkak të mungesës së përkrahjes së fortë për ndonjë subjekt në Shqipëri, por edhe për shkak të paralajmërimeve nga miqtë ndërkombëtarë, sidomos Gjermania,” u shpreh Ymeri. Ai shtoi se përfshirja e partive nga një shtet në politikën e shtetit tjetër rrezikon të shtojë ndarjet dhe polarizimin, në vend që të kontribuojë në bashkëpunim. Sipas tij, Gjermania ka qenë e brengosur çdo herë që ka parë përpjekje të tilla ndërhyrjeje, duke kërkuar vazhdimisht që Kurti dhe partia e tij të mos e përdorin këtë qasje.
