Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes ekipit të tij mbrojtës të kryesuar nga avokatja Sophie Menegon, ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Speciale, duke e cilësuar aktakuzën për pengim të drejtësisë si të paqartë dhe të mangët në përmbajtje. Në parashtresën e dorëzuar më 8 maj 2025, mbrojtja kundërshton veçanërisht pikat 1 dhe 3 të aktakuzës, ku Thaçi akuzohet për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre përmes veprimeve të bashkërenduara të një grupi. Sipas mbrojtjes, aktakuza përmend vetëm në mënyrë të përgjithshme ‘një gjyqtar, një prokuror, një zyrtar i gjykatës ose prokurorisë’, pa dhënë ndonjë fakt konkret apo emër të caktuar,” thuhet në parashtresë. Mbrojtja argumenton se kjo mospërputhje është në kundërshtim me nenin 401 (2) të Kodit Penal të Kosovës, i cili kërkon që pengimi të jetë drejtuar ndaj një zyrtari individual, jo ndaj një institucioni siç janë Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit të Specializuar. Avokatja Menegon thekson gjithashtu se mungesa e specifikimeve konkrete rreth mënyrës së pengimit dhe identitetit të zyrtarëve e bën të pamundur që Thaçi të mbrohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Gjykata pritet të shqyrtojë këtë parashtresë dhe të vendosë nëse do të kërkohet rishikimi apo saktësimi i aktakuzës nga ZPS.
