Në një analizë të gjatë dhe kritike, analisti politik Behxhet Sh. Shala, ka trajtuar zhvillimet më të fundit në skenën politike të Kosovës, duke u ndalur veçanërisht te procesi i bllokimit të institucioneve dhe skenari që, sipas tij, është përgatitur për të mbajtur pushtetin me çdo kusht nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurti. Shala vlerëson se raundi i 25-të i tentativave për konstituimin e institucioneve është shndërruar në një duel të kurdisur, i cili, sipas tij, nuk kishte për qëllim zgjidhjen, por thellimin e krizës institucionale. LVV dhe Albin Kurti janë të vendosur të mos dorëzojnë pushtetin në asnjë rrethanë, madje edhe në kurriz të krizave të thella politike dhe sociale. Shala e quan ofertën e Vetëvendosjes ndaj LDK-së për koalicion si “puthja e Judës”, një veprim që synon më shumë manipulimin politik sesa ndërtimin e bashkëpunimit institucional. Sipas tij, opozita ka gabuar që nuk e ka lejuar formimin e institucioneve vetëm për të lënë pozitën të ekspozohet dhe të dështojë në mënyrë të natyrshme. Shala parasheh një skenar ku Nisma rrezikon identitetin e saj nëse bëhet pjesë e qeverisë. Ai nënvizon se Fatmir Limaj, ndonëse driblues i aftë politik, nuk do të pranohet kurrë si marionetë sipas standardeve të Kurtit.
