Zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka reaguar ashpër ndaj një postimi të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili kishte përmendur rritjen e pagave në sektorin privat gjatë vitit 2024, duke e cilësuar këtë si një sukses ekonomik. Mustafa e ka quajtur këtë deklaratë “manipulative dhe hipokrite”, duke theksuar se Murati po e anashkalon faktin e ndikimit të inflacionit në fuqinë blerëse të qytetarëve. Sipas tij, krahasuar me vitin 2019, fuqia reale e pagave ka rënë, pavarësisht rritjes nominale. “Flet për paga pa marrë parasysh inflacionin. Fuqia blerëse është më e ulët se në vitin 2019”, ka shkruar Mustafa. Ai akuzoi Qeverinë Kurti për politika armiqësore ndaj sektorit privat, duke përmendur në veçanti krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve të rrymës që, sipas tij, po i çojnë shumë biznese drejt falimentimit. Mustafa e cilësoi Muratin si simbol të një qeverie që do të mbahet mend për dëmtimin e ekonomisë dhe mungesën e mbështetjes reale për sektorin privat.
